Veprat e Sali Shijakut në Berlin
Katherina Grebler është duke provuar cili ndriçim do të shkonte më mirë në dhomën, ku ka instaluar fotografitë nga Shqipëria. Ngjyrë portokalli me ngjyrim ngrohtësie, apo ndriçim të bardhë neoni me ndikim të ftohtë. Kjo ka ndodhur një javë më parë, kur Grabler po përgatitej për hapjen e ekspozitës. Ekspozita tashmë është hapur në Galerinë 18m në Berlin. Në verë ajo ndodhej në Tiranë, në Galerinë e Arteve dhe atje: “Kam bërë 4 mijë fotografi, në një sallë në katin e dytë. 2700 nga fotografitë e bëra atje i kam ngjitur këtu në këtë hapësirë të Galerisë 18 m. Fotografitë janë të gjitha din A3, kopje me ngjyra dhe janë ngjitur në mur me ngjitës tapetesh. Galeria e Arteve në Tiranë ndodhej në rikonstruksion kur Katherina ka bërë atje fotografitë. Në një nga sallat e katit të dytë, të lyer me ngjyrë të bardhë, më dysheme të shtruar me parket të ri, të ndriçuar me drita ishin vendosur piktura të viteve ‘60-‘70 të Shqipërisë komuniste. Mes tyre punime të Myrteza Fushëkatit, Spiro Kirstos, Sali Shijakut. “Në Kombinatin e Autotraktorëve”, quhet njëra prej pikturave të ndodhura në sallë, që e fotografuar vjen në Berlin. Fytyra krenare punëtorësh, që shohin drejt të ardhmes socialiste, gra me këmbë të ngulura fort në tokë që mbajnë pushkën në krahë, gati për të mbrojtur atdheun me çdo kusht, fytyra të shqetësuara intelektualësh marksistë leninistë të botës që hasen me vështirësi në përhapjen e ideve komuniste. Pikturat janë nxjerrë nga magazinat dhe nuk kuptohet a do të përdoren për ndonjë ekspozitë apo janë vendosur aty sa për të parë gjendjen. “Për mua është shumë mirë që pikturat ndodheshin në dysheme, sepse unë i fotografova ato ashtu siç ishin vendosur, të radhitura sipas kësaj radhe që tregohet edhe këtu. Unë kam fotografuar nga e majta në të djathtë, nga lart poshtë me teleobjektiv shumë të madh, kam bërë fotografi me detaje, njëra pas tjetrës, duke krijuar një si lloj panorame mbidimensionale”, thotë artistja. Salla e madhe e Galerisë së Arteve me gjatësi 30-40 metra, rijepet në një nga dhomat e Galerisë 18 m në Berlin, që ka madhësinë 5 me 5 metra. Në këtë dhomë shtrihet e gjithë salla e Galerisë së Arteve të Tiranës, për të bërë kështu transferimin e hapësirës në hapësirë, nga lindja në perëndim, nga e kaluara në të tashmen. Zvogëlimi i hapësirës shkakton efektin bllokues, mbyllës, klaustrofobik. “Unë fotografoj nga pika të ndryshme të sallës. Vendosem në një pikë dhe fotografoj me kënd 110 gradë nga e majta në të djathtë dhe nga lart poshtë, pastaj shkoj në një pikë tjetër për shembull pas 6 metrash dhe duke ruajtur largësinë nga muri bëj të njëjtën gjë”.
Aida Cama
Pothuaj dy vjet më parë shoqata “Kulturë-Media-Arte”, themeluese dhe organizatore e Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik “Marie Kraja” janë anëtarësuar në “Opera Europa”. Kjo Opera me qendër në Bruksel është organizata më e madhe profesioniste e kompanive dhe festivaleve operistike në Evropë. Ajo është një organizatë që reflekton parimet e komunitetit evropian në fushën e kulturës.