Derbi shqiptar, Duro mund Beqajn
"Legjionarët"
Ka qenë në një ditë të shkëlqyer Omonia dhe mesfushori i kombëtares, Klodian Duro, teksa kanë shkatërruar 4 0 Anorthosisin e portierit Arjan Beqaj. Edhe pse nuk shënoi, Duro iu afrua disa herë golit, sidomos në minutat 42 dhe 67. Nga ana tjetër, rrjeta e Beqajt u tund katër herë, por jo për faj të portierit të kombëtares. Fatale ishin gabimet në mbrojtje të Anorthosisit. Të dy kuqezinjtë luajtën nga 90 minuta, ndërkohë që Omonia e Duros, pas kësaj fitoreje ngjitet në vendin e parë të kampionatit qipriot.
- Mediat italiane kanë kritikuar lojën e sulmuesit shqiptar të Kievos, Erion Bogdani, në ndeshjen e fundit kundër Kaljarit. "U fut në lojë nga trajneri Iakini për të shfrytëzuar lartësinë e tij, por Bogdani nuk fitoi pothuajse asnjë dyluftim me mbrojtësit e Kaljarit."
- Mbrojtësi i kombëtares dhe i Vorskla Polltavës, Debatik Curri, ka dëmtuar në ndeshjen e fundit gjurin dhe, sipas uebsajtit zyrtar të klubit ukrainas, futbollistit i duhet të rrijë të paktën pesë ditë pushim.
- Dy asiste të dhëna prej fantazistit shqiptar Ervin Skela në ndeshjen e fundit ndaj Eintrahtit të Frankfurtit, kanë kthyer paqen te Kotbusi, midis tij dhe bullgarit Dimitar Rangelov. Lojtarët kanë pasur një konflikt më parë, por gjithçka është sheshuar.