E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhani: Ndryshimi i situatës te Partizani nis me trajnerin

Pak para fillimit të seancës së djeshme stërvitore, në ambientet e klubit ka mbërritur edhe presidenti Xhani, i cili i ka prezantuar skuadrës trajnerin ri, që është Shpëtim Duro. Më pas, njëshi i kuq ka folur edhe për mediat, ku ka theksuar se, duke disur nga ndryshimi i trajnerit, te Partizani do të nisë ndryshimi i klimës dhe ngjitja e skuadrës në vendin që i takon. "Ishte një ndërrim i detyruar i trajnerit, pasi në fund të fundit duhej një ndryshim. Pas shumë refuzimesh e pranuam dorëheqjen e trajnerit Lika dhe me ardhjen e trajnerit të ri, Shpëtim Duro, shpresoj që të ndryshojë fryma. Partizani i ka elementët, por vendi që mbajmë nuk është realisht i saktë. Menduam që trajner i ri i skuadrës të jetë Shpëtim Duro, pasi në shumicën e rasteve kemi qenë për trajnerë të klubit tonë, të gjakut tonë dhe t'u japim mundësi atyre, sepse kemi shumë trajnerë nga shkolla jonë e Partizanit. Objektivi për Duron dhe të gjithë futbollistët është që të gjithë së bashku të dalim nga kjo gjendje, pasi ne i kemi elementët, por është një vend që na imponohet ndoshta për shkak të fatit, ndoshta për shkak të penalltive dhe gabimeve njerëzore që vazhdojnë të bëhen ndaj Partizanit. Problemet e Partizanit janë të ndryshme, por hap pas hapi do t'i zgjidhim ashtu siç zgjidhëm problemin e trajnerit. Pavarësisht zërava të ndryshëm, ne të gjithë kemi besim në forcat tona, kështu që pretendimet do t'i tregojmë edhe këtë vit. Prandaj atë që kam thënë pas ndeshjes me Dinamon, duhet ta merrni seriozisht. Gjithashtu, dua të them se pas shtatë ditësh Hasan Lika do të jetë krahu im i djathtë, jo vetëm për sot, por përgjithmonë, kështu që së bashku me Tomorrin e Birçen do të luftojmë deri në fund, pasi jemi në shtëpinë tonë. Askush të mos mendojë se do të largohemi nga shtëpia jonë, pasi gjithçka që thuhet janë thjesht fjalë, sepse ne jemi në shtëpinë tonë dhe paguajmë për atë dhe do të sakrifikojmë për atë deri në fund,"- është shprehur dje për mediat presidenti i Partizanit, Albert Xhani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›