Kristiano Ronaldo merr çmimin "FIF Pro"
Kristiano Ronaldo u zgjodh "Futbollisti më i mirë profesionist i vitit" nga FIF Pro, duke marrë kështu trofeun e parë nga disa të tillë që pritet të marrë portugezi 23 vjeçar, i cili shënoi 42 gola në rrugën e Mançester Junajtedit drejt lavdisë në Ligën e Kampionëve dhe në Premier Ligë sezonin e shkuar. Ronaldo javën që shkoi është prononcuar se ajo që ka arritur vjet ka qenë kulmi i karrierës së tij të deritanishme; me këtë konstatim pajtohen të gjithë. I transferuar me shifrën 15 milionë euro nga Sportingu i Lisbonës në vitin 2003, Ronaldo rezultoi një blerje e zgjuar për kampionët e Europës, duke u shndërruar dalëngadalë në lojtarin më të rëndësishëm në Angli. Pritet që Ronaldo të marrë edhe trofeun "Topi i Artë" dhe trofeun e Fifa s, si "Lojtari më i mirë i vitit", ndërkohë që portugezi gjendet edhe në njëmbëdhjetëshin më të mirë të "FIF Pro". I pyetur për të ardhmen e tij, Rondalo është shprehur se është lojtar i Mançesterit dhe synon të jetë në këtë klub edhe për, të paktën një sezon ose dy. Edhe pse është dashur dy herë ndërhyrja e Sër Aleks Fergusonit, për ta bindur të qëndrojë në Angli; herën e parë pas Kupës së Botës 2006 dhe herën e dytë këtë verë, pas interesimit të Real Madridit, lojtari tashmë duket i angazhuar seriozisht për ta ndihmuar Junajtedin drejt titujve të tjerë, edhe pse mungesa e festimit nga ana e tij në momentet e golit është objekt bisedash dhe diskutimesh jo vetëm mes tifozëve. Ronaldo e ka pranuar se trajneri Ferguson ka luajtur një rol të madh në vendimin e tij, për të vazhduar karrierën me Mançesterin, pas spekulimeve për një transferim të mundshëm të tij këtë verë. "Ai ka qenë personi kyç. E respektoj shumë, sepse ishte ai që më mori në këtë skuadër dhe ka luajtur një rol shumë të madh në çdo gjë që kam fituar, - tha Ronaldo. - Në Lisbonë unë arrita një marrëveshje me të dhe tani kemi arritur sërish marrëveshje se, gjëja më e mirë për të gjithë është të vazhdojmë së bashku. Ai i dëgjoi argumentet e mia dhe unë të tijat. Tani e kuptoj se bëra mirë që qëndrova te Mançesteri. Jam me këtë ekip me shpirt dhe me trup," - përfundoi portugezi.