E Diel, 1 Nëntor 2026

Prova televizive "kryqëzon" Xhilardinon

Gjykatësi sportiv ka pezulluar dje për dy ndeshje, me anë të provës televizive, sulmuesin e Fiorentinës, Alberto Xhilardino, për golin e shënuar "qëllimisht" me dorë gjatë ndeshjes së të dielës në mbrëmje kundër Palermos. Gjesti është konsideruar në mënyrë "të rëndë antisportiv". Siç ishte parashikuar, goli me dorë i shënuar nga Xhilardino është sinjalizuar nga gjykatësi i Federatës Italiane të Futbollit drejt gjykatësit sportiv Xhianpaolo Tozel. Gjesti që u vlerësua me provën televizive tregoi sesi sulmuesi i Fiorentinës e ka shtyrë topin në rrjetë me dorën e djathtë dhe pastaj festoi. Të pyetur për këtë çështje, presidenti i Interit, Masimo Morati, dhe zëvendëspresidenti i Milanit, Galiani, mendojnë: "Besoj se nesër në mbrëmje Xhila do të jetë në fushë. Është e vështirë të shohësh një lojtar që, pasi të ketë shënuar me dorë të thotë: anulojeni golin. Ndoshta Xhilardino as që e ka kuptuar". I të njëjtit mendim është edhe Galiani: "Nuk dua të komentoj gjërat e të tjerëve. Besoj se është një lëvizje e paqëllimshme, ndërsa binte, por nuk mendoj absolutisht se e ka bërë me qëllim". Edhe Prandeli pranoi që goli duhej anuluar.

"Nuk kuptova gjë pas golit. Ishte një situatë e pavullnetshme: teksa po rrëzohesha pësova një goditje me gju nga pas dhe në mënyrë të paqëllimshme e kapa topin me dorë. Nuk është se e bëra me dashje, sepse doja ta prekja topin me këmbë, por teksa po bija m'u përplas në dorë. Nëse nuk do të kisha shënuar, gjyqtari do të jepte 11-metërsh". Alberto Xhilardino e shpjegon kështu episodin që zhbllokoi rezultatin e ndeshjes, pastaj i fituar nga Fiorentina në fushën e Palermos 3-1. "Nuk shoh arsye se pse prova televizive duhet të më akuzojë, - shtoi qendërsulmuesi vjollcë, që komentoi edhe festën e golit. - Aksioni ishte shumë i shpejtë dhe nga fusha nuk kuptova, nëse e preka topin me dorë, për këtë festova. Duke i riparë imazhet, e pranoj që e preka me dorë, por ishte e paqëllimshme." Ai që i hedh "benzinë zjarrit" mbi këtë episod kyç të ndeshjes është edhe portieri i Palermos dhe shoku i Xhilardinos në kombëtare, Marko Amelia. "Me shumë mundësi, nëse Albertoja nuk do të shënonte, gjyqtari do të jepte një 11-metërsh për Fiorentinën, - tha Ameilia. - Morganti, një nga më të mirët e Serisë A, ma konfirmoi vetë."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›