E Shtunë, 31 Tetor 2026

I pavdekshmi Maldini: Nuk ndihem i plakur!

Kapiteni legjendar i Milanit ka marrëçmimin "Xhiaçinto Faketi" për karrierën jetëgjatë

"Fusha është demokratike. Ndihem shumë mirë me lojtarët që janë më të rinj se unë." 20 vite futboll në këmbë dhe të mos i ndiesh ato. Paolo Maldini ka pasur pak emocione, kur ka marrë çmimin "Faketi". "Për mua marrja e këtij çmimi do të thotë shumë, - thotë ai, - sepse karriera ime dhe ajo e Faketit janë të ngjashme. Ai ka qenë flamuri i Interit, ndërsa unë kam kaluar një jetë të tërë te Milnai." Një pozicion, atë të mbrojtësit të krahut të majtë, në të cilin numri 3 kuqezi ka qenë më i miri në Itali gjatë gjithë viteve 90. Por tani, pas 40 vitesh, ekziston akoma dëshira për të qenë më i miri dhe për të dhënë shembullin e mirë për lojtarët e rinj. "E kam edhe unë "iPod"-in, por me kufje normale, - bën shaka Maldini. - Ndihem shumë mirë me 20-vjeçarët, madje janë bashkëmoshatarët e mi që ndihen pak ndryshe nga unë. Unë vishem akoma si të isha i ri dhe e konsideroj veten njeri shumë modern. Pastaj, fusha e lojës është demokratike, veshim të njëjtën uniformë dhe bëjmë të njëjtat gjëra. Nuk jam ndier asnjëherë në siklet me ata që janë më të rinj se unë; nuk besoj se të rinjtë e sotëm janë shumë të ndryshëm nga unë. Janë më modernë, por kanë të njëjtën ndjenjë turpi dhe sikleti që kam pasur edhe unë në fillimet e mia. Për t'u bërë futbollist i niveleve të larta duhet të sforcohen shumë, siç kam bërë edhe unë." Një fillim që ka ndodhur në vitin 1978, i ndjekur nga shumë momente të bukura. "Si imazh të parë për t'u kujtuar zgjedh stërvitjen e parë në fushën e Linates. Më pas vjen dita e debutimit kundër Udinezes, Botërori 90 dhe disa kupa me Milanin, ndoshta edhe Championsin e 2003-shit," - shprehet kapiteni kuqezi. Kujtime mbi ndeshje historike, deri në momentin kur është kthyer në një shembull për të rinjtë edhe jashtë fushës së lojës. "Fëmijëve të mi u them gjithmonë të jenë të drejtë, të mësohen t'i pranojnë si fitoret edhe humbjet, të japin maksimumin dhe të përpiqen të argëtohen. Ky është futbolli! Pastaj është jeta, shkolla, miqësia."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›