E Shtunë, 31 Tetor 2026

Derbi si Jezu Krishti, i mbërthyer në “1x2”

0-0 përfundoi sfida e fundit Partizani-Tirana. Prandaj, "derbi është derbi dhe i ka të treja rezultatet brenda". Këtë e thotë trajneri i Tiranës, Sulejman Mema, por edhe ai i Partizanit, Hasan Lika. Në të njëjtën linjë janë edhe donatori Refik Halili dhe presidenti i Partizanit, Arlbert Xhani. Gjithsesi, të gjithë janë në një mëndje: "Kjo mbetet gjithmonë një nga sfidat më të bukura të kampionatit shqiptar". "Derbi është derbi". Një përgjigje e zakonshme, që e thotë edhe kapiteni i Tiranës, Klodian Duro, por edhe ai i Partizanit, Paulin Dhembi. "Derbi mbetet derbi" është e shndërruar në një proverb futbollistike, për të vlerësuar dhe shmangur pyetjet e tjera rreth asaj që konsiderohet si përplasja më e madhe në futbollin modest shqiptar. Në mitikun "Qemal Stafa" (ora 18:00) do të jenë përballë dy skuadrat më të mëdha të kampionatit tonë, që së bashku do të sjellin në impiantin ndërkombëtar një "muze të lëvizshëm" ku janë arkivuar jo pak, por 38 tituj nga 68 kampionate të përfunduara deri tani në Shqipëri, qysh nga viti 1930.
Paratë e donatorëve
Të bindur se brenda grupit bardheblu ekziston një problem psikologjik, donatorët nisën një ditë përpara derbit edhe shlyerjen finaciare. "Derbi është derbi. E kemi vlerësuar maksimalisht. Dëshirojmë të bëhet një ndeshje e bukur, por dhe që Tirana të mos humbasë dhe të largohet nga objektivat sezonalë", - thotë donatori Halili. Një fitore e Partizanit do ta shkëpuste tetë pikë larg Tiranës, që aktualisht ndodhet në vendin e pestë. Sulejman Mema, trajneri i tretë sezonal i Tiranës (pas Starovës dhe Hafizit), ka fituar vetëm një ndeshje nga tre që ai ka drejtuar në kampionat. Fitorja 3-0 me modestët e Kastriotit, dhe sidomos dy barazimet pa gola me Teutën e Dinamon, ende nuk e kanë bindur për mentalitetin fitues që ka skuadra e tij. Mema do të përballet jo vetëm kundër ish-skuadrës që ka drejtuar, Partizanin - me të cilën fitoi një Kupë të Shqipërisë dhe një Superkupë, - por edhe ndaj një tifozerisë më të madhe në Shqipëri, "demave të kuq".
Ultrasit e Xhanit
Presidenti i Partizanit, një ndër veteranët e presidentëve të klubeve shqiptare (drejton skuadrën e kuqe nga viti 1988), është lakonik: "Derbi është derbi dhe i ka të treja rezultatet brenda". Xhani, megjithatë shton: "Gjithsesi, ne jemi përgatitur për t'ia dalë mbanë me sukses". I vetëdijshëm se pas fitores (1-0) së merituar me Dinamon kryesuese, ndodhet para një prove të vështirë ku do të varet edhe kampionati. "Për mua, tifozët dhe skuadrën, ky me Tiranën është derbi më i rëndësishëm, duke patur parasysh rezultatet e fundit', - tha ai për televizionin TVA. "Për më tepër, kjo është nga ato ndeshje që ka treguar se fiton edhe ajo skuadër, që në momentin e zhvillimit të derbit ka qenë më dobët se tjetra. Shpresojmë ta thyejmë këtë tabu, pra të fitojmë ne".

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 22
1 mars

TIRANA-PARTIZANI* (Sopjani)
DINAMO-SHKUMBINI (Meta)
ELBASANI-BESËLIDHJA (Latifi)
BESA-VLLAZNIA (Dobi)
SKËNDERBEU-KASTRIOTI (Janku)
FLAMURTARI-TEUTA (Jareci)
* Ndeshjet fillojnë në orën 15:00, * (18:00)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›