E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ora News: Pergjigja shqiptare e "Controcampo"- s italiane

"Ora Sport" një nga edicionet më të ndjekura sportive në Shqipëri (dy edicione ditore direkt: 12.30 dhe 21.00) do të startojë këtë të shtunë një emision të ri me format ndryshe, në orën 20:30. "Është një projekt i rëndësishëm dhe synojmë të sjellim një format si ai që ka ‘Controcampo' në televizionin italian ‘Italia Uno', - tha për "Albania-sport.com", gazetari sportiv Nertil Agalliu, një nga dy moderatorët e "Ora Sport", një prodhim i televizionit informativ "ORA NEWS".
"Do të jenë dy panele të ndryshme me të ftuar", - shton Jagert Dyrmishi, që ka drejtuar më parë "Fokus Sport" të televizionit "Koha". "Do ta nisim me një lidhje direkt nga stadiumi kombëtar ‘Qemal Stafa' pas ndeshjes Tirana-Partizani, ku do të përcjellim emocionet e protagonistëve".
Projekti është ambicioz dhe bosi i televizionit "ORA NEWS", Ylli Ndroqi ka ndërtuar dy studio të mëdha enkas për departamentin e sportit.
"Me investimin e kryer kemi mundësi të lidhemi me të ftuar të tjerë nga stadiumet e Shqipërisë, me ndërhyrje telefonike dhe për t'i dhënë jetë edhe debatit profesional, por edhe opinionet e drejtpërdrejta të trajnerëve, lojtarëve, por dhe presidentëve të klubeve", - pohon Agalliu.
"Shpresojmë të bëjmë një emision sportiv ndryshe, pasi thuajse në të njëjtën orë janë edhe rubrikat sportive të disa televizioneve të tjera", - përfundon Dyrmishi, që bashkë me Agalliun ia dalin të sjellin dy edicione të plota lajmesh sportive me zhvillimet me të fundit në Shqipëri dhe në botë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›