Dinamo, koka 1 e fazës së tretë

Dinamo ia arriti të jetë "koka 1" e fazës së tretë, pasi formacioni i Ilir Dajës, në debutimin e teknikut të ri blu në Superligë, fitoi 1-0 me Shkumbinin në javën e fundit të fazës së dytë.
Loja pati një ritëm mesatar nga të dy ekipet. Golin e vetëm të takimit e realizoi mesfushori Artion Poci minutën e 21-të, pas një asisti të mbrojtësit nigerian Abraham.
Kjo ishte edhe fitorja e 13-të sezonale për 16-herë kampionët në 22 javët e zhvilluara për sezonin 2007-2008.
Shkumbini pas eliminimit dramatik në Kupën e Shqipërisë u paraqit i zbehtë në "Selman Stërmasi", në një impiant ku spektatorët ishin shumë të pakët.
Takimi në fazën e parë midis tyre kishte përfunduar 0-0.
Në bilancin historik Dinamo regjistroi fitoren e 19-të në 34 ndeshje me Shkumbinin (7 fitore).
Në javën e parë të fazës së tretë, Dinamo do të luajë në kryeqytet kundër Skënderbeut të vendit të fundit, ndërsa Shkumbini do të përballet ne Kavajë me Besën.