Të rinjtë, në protestë: Të shkarkohet Vasil Bollano
Protestat kundër kreut të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, kanë zbritur në kryeqytet. Disa dhjetëra të rinj, përfaqësues të forumeve të ndryshme, protestuan dje paradite para godinës së Prokurorisë së Përgjithshme ndaj "veprimeve antikushtetuese dhe dhunënxitëse të kryetarit të Bashkisë së Himarës, Bollano", duke i kërkuar kryeprokurores Ina Rama fillimin e hetimeve ndaj tij. "Ngjarjet e turpshme të datës 11 prill, kur një grup njerëzish, me mbështetjen e kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, sulmuan me gurë postën e policisë në qytet, janë një dëshmi tjetër e papërgjegjshmërisë dhe mospërfilljes së plotë të z. Bollano ndaj institucioneve dhe shtetit shqiptar. Për përfitime afatshkurtra personale, ky zotëri ka zgjedhur sërish të mbjellë urrejtje dhe përçarje në qytetin e Himarës, duke provokuar dhe mbështetur artificialisht akte dhune", deklaruan të rinjtë para organit të akuzës, sipas të cilëve është për t‘u theksuar se veprime të këtilla nuk janë shfaqur deri më tani në asnjë zonë me popullsi më të dendur të pakicave greke sesa Himara dhe s‘është çudi që në mungesë të Bollanos s‘kishte për t‘u shfaqur as në këtë qytet. "Ky kryetar bashkie, i zgjedhur dy herë në krye të pushtetit vendor falë mbështetjes së forcave politike shqiptare, herë zgjedh të dëmtojë pronën publike, duke shkulur tabelat rrugore, e herë i fryn zjarrit të kotë të përçarjes kombëtare, duke ngritur paralele të paqena me Kosovën", pohojnë të vegjlit e Partisë së Legalitetit dhe Partisë Demokristiane, të mbështetur nga lëvizja "Mjaft" dhe "Tifozët kuq e zi". Ata pohojnë se në ditët e sotme, kur të gjitha vendet e rajonit po ecin me shpejtësi drejt një të ardhmeje pa kufij dhe të përbashkët në Bashkimin Evropian, veprimet e përsëritura të Bollanos janë një pengesë serioze për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis popullit shqiptar dhe atij grek. "Është e nevojshme që PBDNJ-ja dhe forcat e tjera politike që e kanë mbështetur në të kaluarën, të distancohen nga ai; t‘u jepet fund thirrjeve antishqiptare, si dhe në kuadër të traktatit të miqësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë të respektohen të drejtat e shqiptarëve në Greqi, ashtu siç respektohen të drejtat e pakicës greke në Shqipëri. Duke marrë parasysh përçmimin e Bollanos ndaj shtetit shqiptar, ne kërkojmë që prokuroria të shqyrtojë sa më shpejt veprimet e tij antikushtetuese dhe dhunënxitëse", përfundojnë përfaqësuesit e protestës.