E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dërgohet në spitalin e burgut dhëndri që vrau vjehrrin

SHKODËR/ Gjykata vendosi që Mikel Zefi, 42 vjeç, të shtrohet në spital gjatë kohës që vijojnë hetimet


SHKODËR - Dërgim në spitalin e burgut në Tiranë ka vendosur gjykata e Shkodrës për Mikel Zefin. 42-vjeçari mbrëmjen e së shtunës mbyti me mjete të mjete të forta vjehrrin e tij Shan Preçi në oborrin e banesës së këtij të fundit, në fshatin Juban të Shkodrës.


Me kërkesë të organit të akuzës, përfaqësuar nga prokurorja Marjana Shtjefni, trupi gjykues i kryesuar nga Ermira Dedja ka shqyrtuar materialet dhe provat e administruara nga prokuroria lidhur me dyshimet se Mikel Zefi ka plagosur rëndë me mjete të forta në kokë vjehrrin e tij, i cili ka vdekur në spitalin e Shkodrës.


Vetë i dyshuari, i njohur si person me çrregullime mendore dhe me kartelë klinike në spitalin psikiatrik të Shkodrës, nuk ka pranuar akuzën e vrasjes, duke deklaruar se ishte aksident i ardhur nga Zoti dhe leva e cila ka goditur vjehrrin e tij ka fluturuar nga toka në drejtim të tij.


Gjatë deklarimeve të tij i dyshuari Mikel Zefi ka shfaqur shenja të çrregullimit mendor, duke bërë deklarime të papërgjegjshme mbi rrethana që nuk kishin të bënin me objektin e akuzës.


Prokuroria ka kërkuar vlerësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të Mikel Zefit, si dhe dhënien e një mase sigurie personale të veçantë për të dyshuarin nisur dhe nga kartela klinike e tij që dëshmonte për çrregullimet psikike afektive depresive të të ndaluarit.


Me kërkesë të prokurorisë dhe nisur nga fakti që mbrojtja e la në gjykim të trupit gjykues dhënien e masës së sigurisë, gjykata e rrethit gjyqësor Shkodër vendosi dërgimin e Mikel Zefit në spitalin e burgut Tiranë, seksioni i veprave penale deri në fillimin e procesit gjyqësor. Në provat e administruara nga prokuroria pas arrestimit të Mikel Zefit nuk rezulton të jetë kryer asnjë ekpertim për gjendjen psikike te tij.


Mikel Zefi gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar të martën, pavarësisht diagnozës së përcaktuar nga spitali psikiatrik Shkodër, shfaqte dhe shenja të normalitetit, ku një ndër kërkesat e tij ishte pikërisht mbrojtja me një avokat të caktuar nga shteti, kërkesë e cila u respektua nga gjykata e Shkodrës.


Mikel Zefi është babai i tre fëmijeve, dy prej të cilëve në moshë të mitur jetojnë nën kujdestarinë e të afërmve, pasi nëna e tyre, bashkëshortja e të dyshuarit, njëkohësisht vajza e viktimës, prej dy vitesh është në Itali për tu kujdesur për vajzën e sëmurë. Në seancën gjyqësore të vlerësimit të masës së arrestit dhe caktimit të masës së sigurisë ishin të pranishëm dhe vëllezërit e autorit të vrasjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›