E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lola, historia e një kërcimtareje

Sonte, ora 19.00, në Akademinë e Filmit dhe Multimedias "Marubi" shfaqet komedia dramatike "Lola", realizim i vitit 1981, e regjisorit gjerman Rainer Werner Fassbinder. Filmi zgjat 113 minuta, është në gjuhën gjermane, me titra në anglisht.


Me aktorët:
Barbara Sukowa (Lola), Armin Mueller-Stahl (Van Bohm), Mario Adorf (Schukert).
Jemi në Gjermaninë Perëndimore, dhjetë vjet pas luftës, në kohën e shpërthimit ekonomik të saj.


Në një qytet të paidentifikuar, të krimbur në korrupsion, vjen një komisioner për ndërtimin, Herr Von Bohm, i angazhuar për rimëkëmbjen e vendit dhe përparimin e tij. Ai joshet nga Marie-Louise. Në pak kohë Von Bohm kupton që ajo është Lola, këngëtarja e një bordelloje.


Rainer Werner Fassbinder është regjisor i njohur gjerman, skenarist dhe aktor. Është konsideruar figurë përfaqësuese e Kinemasë së Re Gjermane, e viteve '60-'80, provokator i realitetit. Thërrisnin "Elefanti i tmerrshëm" i Kinemasë së re Gjermane.


Dhuna në institucione, kufizimet që i vihen njeriut në jetë, ishte motive të tij të preferuara. Fassbinder vdiq në vitin 1982, në moshën 37-vjeçare, nga një atak në zemër, për shkak të përzierjes së ilaçeve të gjumit me kokainë.


Vdekja e tij shpesh është konsideruar si fundi i Kinemasë së Re Gjermane. Fassbinder është regjisori i 41 filmave. Ndër ta: "Liebe ist kälter als der Tod" (1969), "Katzelmacher" (1969), "Der amerikanische Soldat" (1970), "Die Niklashauser Fart" (1970). "Rio Das Mortes" (1971), " Pioneers in Ingolstadt" (1971), "Martha" (1973), "Effi Briest" (1974), "Die Sehnsucht der Veronika Voss" (1982), "Querelle" (1982).


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›