E Diel, 1 Nëntor 2026

Leonardo, optimist për Interin

Nga Express më 29 dhjetor 2010 në ora 18:52

Kampioni i Italisë dhe Evropës, Inter, të mërkurën paradite ka prezantuar trajnerin e ri, Leonardo. Pasardhësi i Rafa Benitezit, ka thënë se kjo është një sfidë e madhe për të.

“Nuk po kërkoja një punë, por një ëndërr. Kjo është sfida ime më e madhe”, ka thënë Leonardo në konferencën e tij të parë për shtyp si trajner i Nerazzurrëve.

Edhe pse Inter nuk e ka nisur mirë sezonin, trajneri brazilian është optimist se mund ta fitojë Scudetton.

“Besoj se mund të fitojmë kampionatin. E di që 13 pikë janë shumë, por kampionati është i gjatë”, ka theksuar ai.

Ndërsa, presidenti i Inter, Massimo Moratti ka thënë se është shumë i lumtur për zgjedhjen që ka bërë. “Leonardon e kam vlerësuar gjithmonë. Tani duhet ta lëmë të punojë në qetësi, por me ambicien që duhet të ketë një klub kampion bote”, ka përfunduar Moratti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›