Të tallësh b...
Dje ishte një ditë perfekte që Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, të tregojë se përditë e më tepër është aty për të tallur... menderen.
Ndërsa në njërën anë guvernatori i Bankës Qendrore jepte me shumë sforcime lajme të zeza për të ardhmen ekonomike të vendit, kreu i ekzekutivit merrej me një ligj, që përfaqëson interesat perverse seksuale të një grushti njerëzish, interesat financiare të një OJF-je që merr fonde pa ndërprerë për liritë dhe të drejtat e njeriut dhe, mbi të gjitha, interesin e tij të përhershëm: që të hedhë shashka tymuese në një vend që ka 1001 halle të tjera, për të zhvendosur vëmendjen e publikut, për të cilin ai e di se sa i ndjeshëm është në këtë debat.
Martesat me njerëzve të të njëjtit seks janë një hata e madhe në këtë botë, ku Zoti bëri burrin dhe gruan që të krijojnë familjen - këtë burim të jetës. Ato hasin shumë rezistencë nga kombe ku e ku më të civilizuar se Shqipëria. Por kryeministri na thotë që ato do të legalizohen në vendin ku deri 19 vite më parë të "martonte partia".
Eshtë shumë perverse edhe që këtë ligj për një grusht njerëzish të devijuar seksualisht, ta përdorësh si "një kusht që duhet të plotësojë Shqipëria për të qenë pjesë e familjes europiane.. (!)".
Përtej qeshjes vesh më vesh të Lulit, ministër të Jashtëm, kjo nuk është as rrugica e duhur, nëse e kanë menduar për tu dukur sa më të "civilizuar" përpara burokratëve të Brukselit. Për më tepër, këto ditë kur këta ende presin me habi se si nuk ka një rezultat të certifikuar të zgjedhjeve parlamentare, të mbajtura këtu e një muaj më parë.
Nuk është e papritur që deklarata e djeshme e Berishës të mbetet një shashkë tymuese vetëm për të zhytur vendin në mjegull edhe më të madhe.
Prej 14 vitesh opinioni publik në Shqipëri ka treguar se nuk e pranon këtë grusht njerëzish si pjesë të komuniteteve tona familjare. Ashtu si 99 të këqijat e tjera të shoqërisë së liberalizuar pas rënies së regjimit komunist, shqiptarët kanë bërë sikur nuk e kanë parë edhe këtë kategori njerëzish.
Në verën e vitit 1994, qeveria shqiptare hodhi hapin e parë duke riparë një nen të Kodit Penal, që e konsideronte ilegal aktivitetin seksual mes partnerëve të njëjtë, por duke lënë një dënim prej tre vitesh.
Por, pas një fushate të shoqatës "Gay Albania" dhe presioneve të Shoqatës Ndërkombëtare të gejve dhe të Këshillit të Europës, edhe ky ndëshkim u hoq dhe më 20 janar 1995, Parlamenti Shqiptar legalizoi marrëdhëniet homoseksuale në vend. Neni 137 i Kodit Penal të trashëguar nga koha e socializmit, që parashikonte 10 vjet burg për atë që "ishte homoseksual", u hoq tërësisht.
Një anketim i vitit 2007, tregoi se vetëm 19 për qind e shqiptarëve i mbronin martesat mes homoseksualëve dhe vetëm 7 për qind ishin dakord për adoptimet e fëmijëve nga një çift homoseksual. Në Tiranë, apo qytete të tjera nuk ka lokale ku mblidhen homoseksualët, apo parada rrugëve etj., etj.
Pra ky është një diskutim i mbyllur për shqiptarët dhe me siguri Kuvendi i ardhshëm do t'i japë një përgjigje me kartona, fluturimit të rradhës së një kryeministri çdo ditë e më mitoman.
Keshilltaret e tij, të parët, duhet ti kujtojnë kryeministrit se e ka për detyrë të respektojë opinionin publik, i cili bashkohet me atë të dhjetëra e dhjetëra vendeve të tjerë shumë të qytetëruar, që i kanë thënë "jo" këtyre martesave. Një pakicë njerëzish të tillë, nëse duan të martohen shkojnë dhe e bëjnë këtë në Belgjikë, Holandë a Norvegji.
Problemi që shqetëson shqiptarët sot, është se çdo të ndodhë me liritë dhe të drejtat e një populli të tërë. Duke filluar nga rikthimi i dinjitetit të votuesve shqiptarë, të cilëve iu mohua vullneti i shprehur më 28 qershor, duke lënë në pushtet një Kryeministër që tall menderen.
Duke vijuar me problemet e panumërta ekonomiko-sociale, që janë shtuar frikshëm nga papërgjegjshmëria e partisë në pushtet, që shkriu buxhetin për të rrëmbyer një mandat tjetër mendertallës, me rënien drastike të dërgesave të emigrantëve, që vitin e ardhshëm të do të jenë 500 milionë euro më pak, tkurrjen e eksporteve dhe rritjen e papunësisë, alarmin e dhënë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim se në muajt që do të vijnë, kriza do të jetë edhe më e pamëshirshme me shqiptarët, se kreditë e këqija janë shtuar frikshëm dhe se bankat po kthehen në piramida me interesa të larta, për të grumbulluar sa më shumë likuiditete.
Çdo debat tjetër jashtë këtyre halleve, do të ishte i kotë dhe artikuluesi, ende në detyrë, tregon se nuk është aty për t'u bërë ballë atyre standardeve që vërtet të afrojnë me vendet e zhvilluara të BE-së, por thjesht për tu tallur me ëndrrën tonë europiane.