Austria pro Shqipërisë në BE. I dërguari i KE: Plotësoni kushtet
Ministri i Jashtëm i Austrisë ka deklaruar sot se pas Islandës edhe vendit tonë duhet t'i hapen dyert për anëtarësimin në familjen evropiane. Michael Spindelegger gjatë një takimi të ministrave të jashtëm në Bruksel tha se Bashkimi Europian nuk duhet të jetë diskriminues me vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, pas procedurës së ndjekur për Islanën duhen parë mundësitë edhe për vendet e tjera. Ai ka theksuar se vendi që përfaqëson mbështet krijimin e marrëdhenieve shumë më të afërta mes Shqipërisë dhe BE-së.
Ndërkohë, po sot gjatë një takimi zhvilluar në Tiranë për Migracionin, i ngarkuari me Punë i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, z Garrido Ruiz ka bërë apel për plotësimin e kushteve, duke shprehur përkushtimin e KE-së për procesin e liberalizimit. "Lidhja e qartë mes migracionit të rregullt dhe liberalizimit të vizave nuk mund të anashkalohet, dhe unë do të doja ta shfrytëzoja këtë rast për të rikonfirmuar përkushtimin e patundshëm të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë"- tha ai.
Sipas tij, nëse Shqipëria vazhdon të përparojë dhe nëse kushtet plotësohen, ajo do t'i bashkohet fqinjëve të saj së shpejti.