Tiranë, dy vetë në pranga për kontrabandë
TIRANË- Policia e Tiranës ka arrestuar për falsifikim dhe kontrabandë dy persona. Kasem Skera, kreu i shoqatës "Bujaria Shqiptare", si dhe Mëhill Hasani, anëtar i
Këshillit Bashkiak të Kamzës, sipas policisë janë personat e arrestuar.
Sipas burimeve të sotme të Policisë, arrestimi i tyre u krye sepse dyshohet se këta persona kanë paraqitur dokumente të falsifikuara, për të futur kontrabandë 20 ton këpucë.
Dokumentacioni, është bllokuar dje menjëherë nga Drejtoria e Doganës Tiranë, pasi shtetasit e sipërcituar dyshohet se kanë dorëzuar një praktikë doganore me dokumente të falsifikuara, për mallra të përdorura, duke i paraqitur ato si mallra për ndihmë humanitare, ku mallrat humanitare përjashtohen nga detyrimet doganore.
Sipas burimeve të Policisë, u kryen veprimet proceduriale, materialet do t'i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të "falsifikim të dokumenteve" dhe "kontrabandës me mallra të tjera" e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 186, 174 e 25 të Kodit Penal.
Po sipas burimeve të Doganës së Tiranës dje në këtë pikë doganore, është paraqitur shoqata humanitare "Bujaria Shqiptare" për të kryer procedurat për zhdoganimin e një ngarkese prej 20 ton këpucë të përdorura. Shoqata kishte nisur procedurat për të përfituar autorizimin për përjashtim nga taksat dhe ka paraqitur një kërkesë të kryetarit të Bashkisë Kamëz, i cili kërkonte lejimin e kësaj ngarkese të pretenduar si ndihmë humanitare për banorët e bashkisë së tij.
Drejtuesit e Drejtorisë Rajonale të Doganës Tiranë dyshuan për vërtetësinë e këtij dokumenti (një fotokopje me ngjyra që të dukej si origjinale) i cili mbante datën 5 Qershor 2009. Specialistët e informacionit (strukturë e DPD-së) pas verifikimeve në Bashkinë Kamës dhe kontakteve me autoritetet lokale sqaruan se dokumenti ishte i falsifikuar dhe asnjë kërkese e tillë nuk ishte bërë nga kjo bashki.
Strukturat e Antikontrabandës kanë kryer bllokimin e kamionit dhe bazuar në dispozitat e Kodit Doganor kanë njoftuar strukturat e krimit ekonomik, ndërsa të gjitha materialet i kanë kaluar për hetim prokurorisë. (atsh)