Dervishaj: Albpetrol, privatizimi brenda 2011-ës
Privatizimi i kompanisë shtetërore të prodhimit të naftës në Shqipëri, Albpetrol, do të përfundojë brenda vitit 2011. Zv.ministri i Ekonomisë, Sokol Dervishaj, ka deklaruar për gazetën “MAPO” se procedurat për procesin e privatizimit të kompanisë në fjalë po vazhdojnë dhe nuk janë ndërprerë ndonjëherë. Në këtë mënyrë, skandali që përfshiu Ministrinë e Ekonomisë, me tenderët dhe videon e ish-ministrit Meta, nuk e ka ndërprerë procesin e rëndësishëm të privatizimit të Albpetrol, privatizim që i jep fund ciklit të privatizimeve në sektorin e naftës në vend. Dervishaj pohoi për gazetën “MAPO” se kompania amerikane “Patton Boggs Llp”, e cila është caktuar të jetë konsulenti ndërkombëtar i qeverisë, në procesin e privatizimit të Albpetrol, nuk ka shprehur ndonjëherë idenë e largimit dhe ndërprerjen e kontratës për vlerësimin e aseteve të kompanisë së prodhimit të naftës. Sipas tij, kompania amerikane “Platton Boggs Llp” është ende duke punuar për vlerësimin e kapitalit të Albpetrol dhe brenda gjashtë muajve të parë të 2011-ës do të dalë me një raport konkret dhe zyrtar, në lidhje me punën e bërë. Ndërkohë që koha e nxjerrjes së rezultateve të kompanisë amerikane, i tejkalon afatet e kontratës, megjithatë zv.ministri Dervishaj hedh poshtë çdo zë për largimin e kompanisë “Patton Boggs Llp”, pas skandaleve me tenderët. Ai theksoi për “MAPO” se, kompania amerikane po vazhdon punën dhe pas raportit zyrtar të saj, që do të jetë në gjashtë muajt e parë të 2011-ës, do të çelet publikisht tenderi për privatizimin e Albpetrol. Dhe fundi i këtij viti do ta gjejë kompaninë në fjalë të privatizuar. Zv.ministri Dervishaj nuk jep detaje në lidhje me këtë proces, por burime konfidenciale për “MAPO” pohojnë se, pavarësisht interesit të madh të qeverisë për privatizimin e Albpetrol, për shkak të gjendjes së krijuar në vend, nuk ka të interesuar për blerjen e saj. Kriza ekonomiko-financiare globale, skandalet me tenderët, ngjarja e 21 janarit dhe të tjerat që e kanë pasuar, i kanë pezulluar synimet e investitorëve të huaj, për të derdhur kapitalin e tyre në vendin tonë. Aktualisht privatizimi i Albpetrol është në procesin e vlerësimit të aseteve, ndërkohë që tenderi për shitjen e kompanisë pritet të shpallet nga fundi i vjeshtës. Kompania amerikane, “Patton Boggs Llp” është caktuar të jetë konsulenti ndërkombëtar i qeverisë në procesin e privatizimit të Albpetrol, ku për një periudhë 6-mujore pritej të përfundonte procesi i vlerësimit të aseteve të kompanisë të naftës në vend. Sipas këtij afati, kompanisë amerikane i mbeteshin dhe tre muaj për të kryer vlerësimin. “Patton Boggs Llp” ka përgjegjësinë e marketingut ndërkombëtar në procesin e privatizimit të kompanisë shtetërore të prodhimit të naftës, Albpetrol, ndërkohë që kjo kompani ka eksperiencë të mjaftueshme në sektorin hidrokarbur, pasi ka kryer konsulentin ndërkombëtar edhe për privatizimin e ARMO. Kompania publike e nxjerrjes së naftës, Albpetrol ka shlyer detyrimet që kishte ndaj shtetit, para se të hynte në proces privatizimi. Kështu, nga 7.3 miliardë lekë dëme dhe borxhe të evidentuara në vitin 2009, 3.6 miliardë lekë janë shlyer, nga të cilat 2 miliardë lekë janë shlyer nga kompania Albpetrol.