Berisha premton ndryshimin e taksës së makinave
Kryeministri Berisha ka dhënë dje premtimin se qeveria shumë shpejt do të rishikojë taksën për shitjen e makinave të përdorura, që u vendos vitin që shkoi. Premtimi i Kryeministrit erdhi pas shqetësimit të ngritur nga deputeti Jemin Gjana, i cili theksoi se taksa e lartë kishte bllokuar totalisht tregun e automjeteve. Duke iu referuar efekteve negative në treg të taksës, Gjana i ka kërkuar Kryeministrit që qeveria të rishikonte vendimin e vitit të kaluar. Ndërsa kryeministri Berisha i është përgjigjur kërkesës së Gjanës pozitivisht, duke u shprehur se qeveria do ta ndryshojë taksën. Pak ditë më parë gazeta “Mapo” lajmëroi se taksa do të ndryshojë dhe për këtë është ngritur një grup pune në Ministrinë e Financave, i cili po trajton disa skema mbi të cilat të mund të mblidhet taksa e ndotjes në ambient. Taksa për automjetet e përdorura në momentin e shitjes, e cila llogaritej në bazë të cilindratës për çdo vit përdorimi, e ka bllokuar tregtinë e makinave të përdorura dhe për më tepër ka reflektuar me një rënie të të ardhurave në buxhetin e 2010-s, në krahasim me vitin 2009 kur taksa vilej në dogana. Burimet në Ministrinë e Financave njoftuan se ndryshimet në ligj do të hyjnë në fuqi këtë vit, ndërkohë që janë duke u shqyrtuar disa mundësi. Njëra prej tyre është vjelja e taksës në momentin e kolaudimit, duke e llogaritur atë në bazë të amortizimit dhe llojit të makinës. Një tjetër mundësi është një taksë në përqindje, që duhet të paguhet në momentin e shitjes. Ndërkohë që financat janë duke gjetur mundësinë e formulimit të taksës së re, një gjë është e sigurt, që kostoja për qytetarët do të jetë më e ulët. Për shkak se, sipas ligjit aktual, të shesësh një makinë të viteve ‘90, taksa që duhet të paguash për shtetin është shumë më e lartë se vlera e shitjes së automjetit. Sipas formulës aktuale me të cilën përllogaritet taksa, nëse makina është dhjetë vjet, taksa e ndotjes do të jetë: 1893*0.5*25, në total afërsisht 248 mijë lekë. Sipas kësaj formule, asnjërit nuk do t'i interesojë të shesë apo të blejë një automjet me vit prodhimi të largët. Buxheti i shtetit arkëtoi gjatë vitit 2010 7% më pak të ardhura se në vitin 2009, nga tregtimi i makinave të përdorura. Ligji i ri mbi taksën e transaksionit të makinave të përdorura hyri në fuqi në korrik të 2010-s, duke dhënë efekte të menjëhershme në tregtinë e automjeteve të përdorura, si nga importi i tyre, ashtu edhe nga tregtia e brendshme. Në respektim të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, qeveria shqiptare zëvendësoi taksën doganore, ose tarifën e ndotjes sipas viteve të përdorimit në momentin e importit të makinave, me taksën e mjedisit për tregtimin e automjeteve të përdorura.