Investitorët e huaj, zhvlerësojnë lekun
Zhvlerësimi i lekut në fillim të çdo viti po kthehet tashmë në traditë, për shkak se përkon me një sezon ku kompani të huaja transferojnë fitimin në vendet e origjinës. Burimet në Bankën e Shqipërisë njoftojnë se, shpërngulja e fitimit është shkaku themelor, pse vlera e euros ka kaluar kufirin e 140 lekëve. Dje, agjencitë e këmbimit e kanë shitur një euro 141 lekë dhe një dollar 103.7 lekë, vlera këto dukshëm të larta në krahasim me fillimin e janarit. Në një situatë të ngjashme, monedha vendase, leku, është gjendur edhe vitin e shkuar. Për shkak se, tashmë në tregun tonë operojnë investitorë strategjikë, që realizojnë një fitim vjetor të konsiderueshëm. Të shtrirë në sektorin e telekomunikacioneve, të bankave dhe industrisë, si AMC, Vodafon, Kurum, dhe pothuajse të gjitha bankat, këto kompani realizojnë fitime prej miliona eurosh. Duke qenë se, aktiviteti i tyre brenda vendit tonë ushtrohet kryesisht në lekë. Në këtë periudhë, ato transferojnë fitimin dhe u duhet të konvertojnë monedhën vendase me euro, duke ndikuar kështu në zhvlerësimin e konsiderueshëm të saj. Nisur nga ky fakt, ekspertët në Bankën e Shqipërisë sqarojnë se, zhvlerësimi i lekut ka natyrë të përkohshme. Ndërsa, përsa i përket faktorëve të brendshëm që kanë të bëjnë me zhvillimet politike dhe zgjedhjet lokale të majit, ekspertët shpjegojnë se, ekonomia e vendit tashmë është imune ndaj këtyre ngjarjeve, duke lënë të kuptojnë se ka shumë pak gjasa që të ndikohet tregu i këmbimit dhe vlera e lekut. Gjatë vitit që shkoi, monedha vendase u favorizua në kursin e këmbimit nga rritja e eksporteve, të cilat sollën mbi 1.2 miliardë euro hyrje valutore. Kjo sasi valute, në një farë mënyre zëvendësoi rënien e prurjeve të emigrantëve, të cilët gjatë dy viteve të fundit kanë sjellë gjithnjë e më pak euro në vendin tonë, për shkak të krizës që kanë kaluar vendet ku ato po jetojnë dhe sidomos Greqia. Ekspertët mendojnë se, situata në eksporte do të jetë pozitive edhe këtë vit, për shkak të situacionit optimal në prodhimin e energjisë elektrike dhe rritjes së çmimeve të metaleve dhe karburantëve në tregun ndërkombëtar. Pasi vitet e fundit, Shqipëria ka rritur ndjeshëm eksportin e kromit, energjisë dhe natës bruto. Pikërisht për shkak të tregtisë së jashtme, monedha vendase mund të pësojë goditje. Rritja e çmimeve të pothuajse të të gjitha mallrave të konsumit të përditshëm, të cilat blihen me euro, do të shtojnë kërkesën e importuesve për euro, duke ndikuar kështu edhe në rritjen e vlerës së saj.