Çmimi i bukës, i rikthehet rritjes, në Tiranë deri në 900 lekë
Një ton grurë po blihet në tregun ndërkombëtar me gati 400 dollarë, çmim ky shumë i lartë me mesataren e dy viteve të fundit. Kaq mjafton për tregtarët vendas të këtij produkti, për rritjen e çmimeve të miellit dhe të bukës, të cilat kanë nisur të rriten në të gjithë vendin, duke përfshirë edhe Tiranën. Tregu i miellit dhe i bukës po vepron me të njëjtën logjikë, si tregu i karburante, kur rritja e çmimit ka faktor bazë tregun ndërkombëtar. Megjithatë, sipas një vëzhgimi në furrat e bukës në Tiranë, çmimi i bukës nuk do të kalojë 90 lekëshin, ndërkohë që tani në pjesën më të madhe të pikave të pakicës, buka shitet me 70 lekë. Rritja e dollarit në bursat ndërkombëtare është një tjetër problem që reflektohet tek importuesit tanë. Vitin e kaluar, gruri shitej në bursë 160 dollarë për ton, ndërsa tani mbi 400 dollarë për ton. Në muajin gusht, u bë rritja më e madhe në bursë, pikërisht se Rusia, eksportuesi kryesor, uli furnizimin dhe tashmë për dy vite ka dalë nga tregu. Më pas, Australia uli furnizimin me 33 për qind. Ndërkohë, këto javë Egjipti ka blerë shumë drithëra për rezerva, për shkak të luftës së nisur atje, po kështu dhe Algjeria me Irakun. Ulja e prodhimit është ndjerë edhe në mesdhe, ku Franca ka qenë furnizuesi kryesor për këtë vit. Fenomenet natyrore kanë bërë që të ulet prodhimi ndjeshëm, dhe bursa të pësojë vetëm rritje. Gjatë këtij viti, megjithëse është rritur çmimi i drithërave në bursat ndërkombëtare, çmimi i bukës në Shqipëri ka mbetur i pandryshueshëm, ose është rritur shumë pak. Por, rritja e çmimit të grurit në bursa po vazhdon, po kështu dhe dollari, ndërkohë që firmat më të mëdha të prodhimit të miellit, po i mbarojnë rezervat që kishin dhe detyrimisht rritja e çmimit të grurit në bursa do të reflektohet në rritjen e çmimit të bukës. Mirëpo në këto raste shtohet edhe doza e spekulimit nga tregtarët, të cilët në këto raste nisin aburimet me granaturën, me cilësinë dhe me çmimin. Disa herë, Autoriteti i Konkurrencës ka ushtruar kontrolle në tregun në fjalë, por pa mundur të vërë rregull me çmimet. Janë aplikuar edhe gjoba nga konkurrenca dhe nga tatimet, por tregtarët shprehen se rritja do të jetë e pashmangshme, nëse çmimet e importit rriten me këto ritme.