E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dervishaj: Privatizimi i Albpetrolit ishte transparent

Procesi i privatizimit të Albpetrolit ishte transparent dhe për këtë nuk duhet që të ketë spekulime. Zv.ministri i METE-s, Sokol Dervishaj, njëkohësisht Kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në një pronocim për shtyp bëri me dije se Komisioni duhet të ndjekë rregullat dhe procedurat. Kohët e fundit ka pasur mjaft aludime në lidhje me procesin e privatizimit të Kompanisë Albpetrol. Ndërkohë që opozita gjithmonë e ka kundërshtuar vendimin e qeverisë për privatizimin 100 përqind.

Konsorciumi "Vetro Silk Road Equity ", i surprizoi ndoshta edhe më optimistët me ofertën e dhënë (850 mln euro) për blerjen e "Albpetrol". Nga të dhënat e publikuara prej saj në sajtin zyrtar, kompania duket se nuk ka asnjë lidhje naftën apo gazin. Kompania "Silk Road Equity LLC" me seli në Çikago të SHBA-ve, e themeluar në vitin 2003, deklaron se ushtron aktivitet prej më shumë se 20 vitesh në fusha si ndërmjetësimet financiare.
 

“Sa i përket privatizimit të Albpetrolit ju kërkoj durimin e nevojshëm për atë që po bën komisioni dhe të mos spekulohet. Gara ishte e ndershme dhe komisioni ka për detyrë të ndjekë rregullat dhe procedurat. Komisioni do të njoftojë për gjetjet në këtë proces. Çdo vendim do të jetë transparent por në momentin e duhur” tha Dervishaj.

Gjithashtu zv.ministri i METE bëri publike dhe datat e privatizimit të 4 HECE-ve. Aktualisht është mbylluar afati i fundit për paraqitjen e ofertave për blerjen e aksioneve të shoqërisë "HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2", sh.a. Ndërkohë të enjten, në datën 13 Shtator, ora 14:00 është afati i fundit për paraqitjen e ofertave për blerjen e aksioneve të shoqërisë "HEC Ulëz Shkopet", sh.a.Seanca publike për hapjen e ofertave të bëra prej kompanive të interesuar për blerjen e këtyre Hece-ve do të bëhet ditën e premte në datën 14 shtator.
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›