E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dervishi: Rama e Berisha, ping-pong për t'iu larguar akuzave

Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, sekretari për çështjet e brendshme në LSI-së, Sokol Dervishaj sqaroi dje se, paratë për shkolla dhe investime publike janë vetëm taksat e qytetarëve. 

"Dikush flet për shifra disa milionëshe, dikush tjetër flet për zgjatjen e hundës së pinokut. Por, duhet të keni parasysh se gjithë këto para nuk janë as të qeverisjes qendrore, as të qeverisë lokale. Këto janë lekë të taksapaguesve shqiptarë, këto janë para që dalin nga xhepat tanë, nga xhepat e të gjithëve ne, të pensionistëve, të papunëve, por edhe atyre që punojnë, apo të bizneseve", tha Dervishi. Sipas tij, ato janë para të qytetarëve, që në fund të fundit u kthehen atyre në formën e shërbimeve, si detyrim ligjor, që kanë qoftë qeveria qendrore dhe qoftë qeveria lokale, Bashkia e Tiranës, në rastin konkret. Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës e cilësoi këtë debat si një lojë ping-pongu me dy protagonistëve për të tërhequr vëmendjen ndaj akuzave, që atyre u bëhen për bashkëpunim. "LSI është e bindur që e gjithë kjo farsë, i gjithë ky ping-pong, që po zhvillohet nuk ka ndonjë qëllim të veçantë, përveçse të tërheqë vëmendjen nga çështje shumë më madhore, të cilat preokupojnë sot opinionin e gjerë publik, qytetarët e këtij vendi, por edhe fatet e të ardhmes së Shqipërisë dhe të shqiptarëve, për çështje ende të pazbardhura, sikurse janë tragjedia e Gërdecit, kalimi në një mënyrë diskret dhe fare pa transparencë, siç janë ndryshimet në Kushtetutë dhe i ligjeve të veçanta, të cilat cenojnë interesat e publikut të gjerë, sikurse ishte së fundmi edhe ligji "Për sportet", i cili i hap rrugë një procesi fare jotransparent dhe në dëm të qytetarëve dhe të interesave të së ardhmes së qytetit, për zhvillimin e hapësirave të gjelbëruara dhe të terreneve sportive, si dhe të hapësirave publike më interes të gjerë për qytetin dhe qytetarët", u shpreh Dervishi.                              a.l

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›