E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana e Futsalit, nisin ethet europiane



Për Tiranën, skuadrën kampione të Shqipërisë në futbollin e sallave, tashmë kanë nisur të ndihen ethet europiane në përfaqësim e saj në UEFA FUTSAL CUP. Bardheblutë të cilët drejtohen për vitin e pestë radhazi nga Agustin Kola, kanë përsëri mundësinë që të thonë të tyren në kompeticionet europiane. Aktiviteti zyrtar i UEFA-s, UEFA FUTSAL CUP, është një prej kompeticioneve më presitigjioze, spektakolare dhe emocionuese në botën e futbollit të vogël, atë të sallave që kanë bërë për vete shumë të apasionuar. Tirana në edicionin e këtij viti do të marrë pjesë në Grupin D paraeleminator, ndeshjet e të cilave do të zhvillohen në Kaunas të Lituanisë. Tirana e futbollit në salla do të jetë në një grup mjaft delikat ku në përbërje të të cilit janë 4 skuadra. Veç skuadrës vendase të Nuatar Kaunas që është dhe kampionia në fuqi e Lituanisë, janë dhe skuadrat e CSC Dinamo Chisinau, që është kampione e Moldavisë, ndërkohë që për herë të parë në këtë edicion bën pjesë dhe Albertslund IF, skuadra kampione e Danimarkës. Tirana do ta nisë aventurën europiane me ndeshjen e parë që do ta zhvillojë më 9 gusht ndaj skuadrës daneze të Albertslund IF, do të vijojë një ditë më pas ndaj moldavëve të CSC Dinamo Chisinau e do ta mbyllë me organizatorët e NAUTARA KAUNAS më 12 gusht. Përgatitja e Tiranës ka nisur që në fund të muajit qershor, ku skuadra ka zhvilluar për disa ditë një fazë të ngjeshur përgatitore, kryesisht në planin fizik, që ka rritur së tepërmi formën e mirë sportive në radhët e lojtarëve të saj.
Ndeshjet e grupit D eliminator të UEFA FUTSAL CUP do të zhvillohen në S.Darius & S.Girenas Sport Center, që është dhe salla më e madhe sportive e mbyllur në Kaunas, aty ku atmosfera ndizet shpesh me ndeshjet e basketbollit. Në një kapacitet prej 9 mijë vendesh e me një tifozeri të zjarrtë, bardheblutë duket se do të kenë përballë dhe një kundërshtar më shumë.
Për skuadrën e Tiranës në minifutboll ky është përfaqësimi i tretë në UEFA FUTSAL CUP. Në pesë kampionate të futbollit në salla që janë zhvilluar në Shqipëri, Tirana ka mundur që të fitojë 3 të tilla duke qenë padyshim rekordmene e këtij sporti tërheqës në vendin tonë. Bardheblutë e Agustin Kolës janë paraqitur denjësisht dhe në edicionet e mëparshme, në përfaqësimin e tyre të parë, atë të vitit 2004, bardheblutë kaluan turin paraeleminator ku mundën anglezët e Shefild Hallam dhe barazuan me bullgarët e Varnës. Por në turin e dytë të UEfA Futsal Cup të zhvilluar në Poloni, nuk mundën të lënë shenjë dhe u eliminuan. Në përfaqësimin e dytë, atë të vitit 2006 të zhvilluar në Sofje të Bullgarisë, Tirana ishte shumë pranë kualifikimit. Bardheblutë në atë përfaqësim sigluan fitore ndaj bullgarëve të Mlladosit dhe ndaj maltezëve të Hibernian, por u mundën nga suedezët e Skovde Aik dhe u eliminuan. Tashmë troket përsëri ora europiane dhe skuadra është tejet e orientuar për të kaluar turin.

Agustin Kola (trajner)

“Bëjmë pjesë në një grup të fortë, por padyshim jemi tejet të motivuar për të kaluar turin. Nga grupi arrin të kualifikohet vetëm një skuadër ndaj nevojitet përqendrim maksimal në të gjitha ndeshjet. E nisim me skuadrën kampione të Danimarkës, ndja të cilëve duhet të ruhemi, ndonëse marrin pjesë për herë të parë. Ndeshje të forta do të zhvillojmë edhe ndaj skuadrës kampione të Moldavisë dhe asaj të Lituanisë. Por në këtë edicion besoj shumë te forca e grupit tonë. Mendoj e besoj se do të arrijmë të kualifikohemi. Skuadra ka punuar shumë në këto javë të fundit dhe e meriton kalimin e turit”.

Nga Bush te Berisha, kokat mblidhen në Kinë

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili u nis dje në mesditë në Pekin për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike, përshëndeti dhe iu uroi 11 sportistëve shqiptarë suksese në këtë garë madhështore. “Vërtet ky është një aktivitet i mirëfilltë sportiv, por është gjithashtu simboli me i lashtë, i paqes, mirëkuptimit midis njerëzve dhe popujve. Që në nisje dua tu uroj sportisteve shqiptare suksese në këtë gare madhështore. Shqipëria këtë vit përfaqësohet me një delegacion te vogël prej 11 sportistesh, por ky është delegacioni më i madh në historinë e vendit që ka marre pjesë në Lojërat Olimpike”, - përfundon kryeministri shqiptar Sali Berisha. Në Kinë do të jenë dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Bush, presidenti francez Nikolas Sarkozi, kryeminstri japonez Jasuo Fukuda.

7 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›