Desada Metaj Andrea, lajmi më i bukur i jetës sime
Sa herë tringëllin telefoni, në ekranin e celularit shfaqet një bebe i bukur me flokë të zinj. Një rrezatim i shkëlqyer e mbulon teksa sheh atë fytyrë të vogël e të ëmbël. “Ai është lajmi më i mirë i jetës sime!”. Kështu thotë për të birin 3-muajsh Desada Metaj, gazetare prej 13 vjetësh, prezantuese lajmesh dhe kryeredaktore e emisionit “Opinion” në Tv “Klan”. Për këdo që është mësuar të japë lajme mbi të tjerët, është e vështirë të flasë për veten. Fshihen pas imazhit që u ofrojnë publikut në ekran e dëshirojnë të qëndrojnë të patrazuar në privatsinë e tyre. “Po fundja, ç’do të them...! Jeta ime është njëlloj si e gjithë të tjerëve...”. Por kuriozët gjithnjë janë të interesuar të dinë se kush është njeriu që nuk trembet nga kamerat. çfarë ndodh pas kuintash me këta njerëz që duket sikur jetojnë për lajmin, a kanë një jetë të vetën, personale? Si i rakordojnë të dyja? Të gjitha herët që Desada mund të ketë folur për këto gjëra numërohen me gishtat e njërës dorë. Po kësaj here ajo ka boll për të thënë. Ndërsa shkëputet paksa nga kërkimet për emisionin e radhës, gazetarja dhe nëna e re tregon për të fshehtat e profesionit dhe gëzimin më të ri të jetës së saj, të birin, Andrean.
Po bëhen 13-vjet në gazetari, ju ndodh të ktheni kokën pas, për të parë ç’keni bërë?
Fillimet e mija janë në vitin ’97 në Radio “Kontakt”, pastaj në Tv “Shijak” për 5 vjet, më tej në “Alsat”, në “Klan”, dy vjet shkëputje në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe sërish në “Klan”.
Po t’i hyja me laps e me letër mbi ç’kam bërë, do kisha ikur shumë herë. Më ndodh të shoh veten, kolegët, ish-kolegët dhe ndiej një lloj nostalgjie. Kujtoj kohët kur isha reportere dhe merresha me politikën, kur ajo ishte me zhvillime shumë herë më të ethshme, më të vrullshme se tani. Më ka pëlqyer dhe do t’i rikthehesha sërish, nëse do të më jepej mundësia. Megjithatë dhe ajo që bëj tani është po aq e bukur. është diçka tjetër, një lloj tjetër gazetarie, por që përsëri të mban në ritëm. Emisioni “Opinion” nuk trajton vetëm tema politike. Të bën të jesh në kërkim të vazhdueshëm në internet, në arkiva, të ndryshosh mendime dhe një ditë mund të hulumtosh mbi çështje ekonomike, një ditë për politikën, historinë, kulturën, pse jo, edhe për sportin, siç ishte rasti i Kampionatit Botëror.
çfarë ka ndryshuar prej fillimit?
Kanë ndryshuar ca ndjesi të miat. Jam bërë më e fortë. Nëse në fillimet e mia, përfshirja në lajmet e politikës, kishte ndjesi të miat, pasione (jo se tani nuk janë), tashmë jam më e ftohtë në gjykim. Në raportimin e lajmit kam qenë gjithnjë e ftohtë. Kjo do të thotë se ndoshta jam rritur. Kur i ke miqtë në të dyja kahet e politikës, mundohesh që të gjesh një ekuilibër dhe të gjykosh më drejtë, t’u japësh hakun edhe atyre, që dikur nuk do ta bëje, për shkak se ke qenë e përfshirë emocionalisht në kahun tjetër politik.
Ju ka pëlqyer gjithnjë të bëni gazetaren?
Unë jam gjendur në të. Kam përfunduar shumë mirë për Shkenca Sociale. Fatkeqësisht jam diplomuar në vitin 1997 dhe pamundësia për të qenë në profesionin tim më shtyu të merresha pak nga pak me gazetarinë. Nuk do t’i kthehem më profesionit të parë, kjo është e sigurt. është shumë larg asaj që bëj tani. Megjithatë duhet të them se studimet më kanë ndihmuar të jem një gazetare e mirë, sidomos në trajtimin e çështjeve sociale.
Ashtu si thatë edhe ju, “Opinioni”, ku ju jeni edhe kryeredaktore, është zgjeruar në tematikën e tij, ka vështirësi në gjetjen dhe realizimin e temave?
Në pjesën më të madhe të kohës punojmë për lajmin e ditës, për ngjarjen, për të dhënë një pamje më të gjerë, më të thelluar, duke sjellë në studio personazhe të fushave të ndryshme. është e vërtetë që “Opinioni” është hapur shumë. Por nuk është e vështirë të gjesh tema në Shqipëri. është më e vështirë të gjesh njerëz që të flasin për to. Për tema të ndryshme ne mund të marrim specialistë të mirëfilltë, por ata e kanë të vështirë për të gjetur gjuhën e thjeshtë për t’u bërë të kuptueshëm për publikun e gjerë. Nëse flasim për një temë si droga, duhet që kushdo që e sheh emisionin, të kuptojë pasojat e përdorimit të saj dhe kjo nuk është e thjeshtë. Apo të gjesh një specialist që të flasë shkencërisht dhe kuptueshëm për tërmetet. Por këto janë vështirësitë e punës sonë të përditshme.
Ka ndodhur që të mos ju vijnë të ftuarit, në momentin e fundit?
Ka ndodhur dhe kanë qenë momente shumë të vështira. Mund t’i quaj të tëra të kaluara, emisioni është bërë. “Klani” është një televizion i madh dhe në çdo kohë mund të gjenden njerëz për të mbushur boshllëqet. Të papriturat më të mëdha kanë ndodhur gjatë fushatave për shkak të problemeve që kanë drejtuesit e forcave politike për të dërguar njerëzit nëpër debate televizive. Por më në fund ia kemi dalë..
Cili ka qenë momenti më i vështirë në një transmetim të drejtpërdrejtë?
Ka qenë ngjarja e Gërdecit. Ishte e shtunë, një pjesë e mirë e stafit ishte jashtë Tirane. Kam qenë vetëm me dy kolegët e mi Edi Frangaj dhe Fatos Hakoren dhe për 3-4 orë kemi mbajtur një transmetim të drejtpërdrejtë, shumë të ngarkuar me emocione. Më vonë erdhën edhe njerëz të tjerë por, 2-3 orët e para ishin shumë të vështira.
Sa e vështirë është të menaxhosh situata të tilla të dhimbshme?
Vazhdimisht më rrihte si çekan në kokë: Nuk duhet përhapur panik, nuk duhen dhënë shifra viktimash, nëse nuk janë të konfirmuara. Mbaj mend që kam hyrë në studio pa truk, vesha një xhaketë me të shpejtë dhe ndërsa gjatë gjithë kohës mbaja kufje në vesh dhe ndërsa gazetarët më komunikonin numra viktimash me vete thosha: “nuk e them” dhe u kërkoja të më konfirmonin shifrat. Doja që çdo gjë të ishte sa më pranë reales. Duhet menduar që ka njerëz që kanë të afërm aty, që mund të jenë dëmtuar. Më e mira është të ofrosh optimizëm tek ata njerëz që presin në ankth.
Arrini ta lini në redaksi stresin e punës, apo ia shkarkoni pjesëtarëve të tjerë të familjes?
E gjithë familja ime, e madhja dhe më e vogla jetojnë prej vitesh me lajmin. Shqiptarët janë një popull që konsumon shumë lajme, kështu që është e pamundur të shkëputesh prej tyre. Telefoni im nuk mbyllet kurrë edhe kur jam me pushime. Një pjesë e mirë e ditës më kalon me njerëz, me të cilët më lidh puna, madje edhe kafen e pi me ta dhe nuk mund të mos diskutojmë për lajmet.
Ju ka limituar në jetën tuaj personale ky impenjim profesional?
Jo, asnjëherë. Mendoj që një profesionist i mirë duhet të dijë të menaxhojë mirë jetën e vet. Nuk më ka penguar asnjëherë, përkundrazi. Duke qenë një njeri afër lajmit, puna e gazetarit të bën një njeri më social dhe të këndshëm. Njerëzit duan të rrinë me ty sepse ti ke gjithnjë diçka të re për të thënë. Gjëja më e bukur e gazetarisë, ndryshe nga profesionet e tjera është pikërisht që ke gjithnjë gjëra të reja për të treguar, ndërkohë që të rejat në profesionet e tjera nuk ndodhin kaq shpesh dhe shpejt.
Tanimë që jeni bërë nënë, gjërat nuk janë më si më parë duhet të ndaheni mes punës, djalit...
Sigurisht që Andrea është lajmi më i bukur i jetës sime edhe pse nuk e kam dhënë vetë. Andrea është gëzimi më i madh. është përditshmëria. Nëse lajmet mbyllen, ndonjë të shtunë, apo të diel mund të bësh pushim, Andrea nuk është asnjëherë pushim. Nuk është e thënë që kaloj 24 orë të plota me të, por ato orë që kalojmë bashkë janë më të bukurat për mua dhe për të besoj.
Sa ju “interferon” gjatë kohës që jeni në punë?
Telefoni është një gjë shumë e mirë dhe unë jam gjithnjë në kontakt me të, edhe kur nuk jam fizikisht. Dy gjyshet e tij kujdesen për të dhe kur unë ndonjëherë jam e zënë me punë, më telefonojnë për të më raportuar mbi mbarëvajtjen e tij, për çdo gjë, dhe për detajet më të vogla...
Do të thotë se keni edhe dy gazetare në shtëpi...?
Po, kam dhe dy gazetare.. (qesh)
E mendoni dot edhe djalin tuaj gazetar?
është shumë herët. Në planet e mia për të nuk hyn gazetaria..., por do të doja që ai të bëhej çka ai do që të jetë. Nuk do të doja të ndërhyja, ashtu si prindërit e mi nuk më kanë imponuar kurrë, por më kanë përkrahur për zgjedhjet e mia. Besoj se të njëjtën gjë do të bëj edhe unë me të.
Tanimë që Andrea është në “duar të sigurta” ju mund të ktheheni në ekran, apo jo?
Ekrani është dashuria ime e vjetër, megjithëse vitet e fundit nuk ka qenë prioriteti im. Gazetaria është prioritet për mua. Ndoshta duhet të humb ca kile që të jem më në formë, por megjithatë do të kthehem si përherë, pa ekzagjerime dhe teprime në çdo gjë. Ekrani është pasqyra më e mirë e një njeriu që punon në televizion. Nuk kam qenë as më e mira, as më e keqja, por një figurë e pranueshme nga publiku.
Do vazhdoni të jeni njëkohësisht edhe kryeredaktore e “Opinionit”?
Jam shkëputur vetëm pak nga ekrani, vetëm 5 muaj, për shkak të shtatzënisë dhe s’i kam parë dot të ndara nga njëra- tjetra. është pa dyshim një impenjim shumë i madh, është kohë fizike, që duhet kaluar në televizion, por është puna ime, investimi im i gjithë këtyre viteve.
Ju bezdis fakti i të qenurit një njeri publik, që njerëzit mund t’ju ngulin sytë në një kafene...?
Të them të drejtën nuk më ka shqetësuar asnjëherë, ndoshta sepse veshja ime, qasja ime e përditshme është e një njeriu krejt të zakonshëm dhe një pjesë e mirë nuk e bëjnë dot lidhjen mes personazhit të ekranit dhe vajzës që kanë përballë. Kjo më ka ndihmuar. Por edhe kur më kanë njohur nuk jam bezdisur. Në fund të fundit është një kënaqësi që gazetarët e gazetave nuk e kanë. është një shpërblim për ato orët, që unë i konsideroj të bezdisshme, që duhet të kaloj në parukeri dhe në grim.