E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këngëtare në dasmën time



Ceremonia e dasmës 33-vite të shkuara nuk mund mos t’i ngjallë nostalgji, edhe pse fillimisht kujtimet i rikthehen me pjesëza. Pengje?! Ka plot të tilla që lidhen me mungesat e stërthëna të atyre viteve. Megjithatë, për këtë ka gjetur zgjidhje. ëndrrat e papërfunduara, do t’i plotësojë me çdo kusht tek dasmat e dy djemve të saj
Nga ajo ditë e largët kanë kaluar aq vite sa jetoi Krishti, plot 33 të tillë. Megjithatë, sapo përmendet kjo temë, nostalgjia për atë ditë të shënuar i rikthehet fillimisht me copëza, që gradualisht konfigurohen në formën e një pazëlli. E teksa rrëfen, kuptohet qartazi se përveçse një nga ditët më të rëndësishme në jetën e një femre, e cila ka ëndërruar pa fund, ka edhe pengje për detaje që në dukje janë dytësore, kur në garë është lumturia. Dhe lumturia nuk i mungonte Lindita Sotës, vajzës fierake, që pas martese mori mbiemrin Theodhori. Përpos saj kërkonte medoemos të ishte nusja më e veçantë në ato vite, ku një ose dy modele fustani visheshin nga të gjitha nuset. Nuk mund ta përtypte assesi të ishte një përsëritëse. Aq më tepër, vajza që pak kohë më parë kishte bërë për vete gjithë rininë me këngën “Kafe Flora”, që iu desh ta këndonte dhe gjatë ceremonisë...Fati deshi që ta gjente fustanin e ëndrrave, pikërisht në qytetin e sokakëve, ku do të jetonte për vite me radhë. Lindita Thoedhori vuri vello të dielën e 31 korrikut të vitit 1977, në një ceremoni pa muzikë në Fier, për shkak të hijes së zisë që kishte lënë vdekja e së ëmës dy vite të shkuara. Ama me të mbërritur në Korçë, vallet, këngët e serenatat pushuan orët e para të mëngjesit. Detaje më të hollësishme, Lindita i tregon në rrëfimin e mëposhtëm.
Si jeni njohur me bashkëshortin?
U njohëm gjatë kohës që ishim studentë, dhe brenda një kohe shumë të shkurtër, vendosëm ta zyrtarizonim lidhjen tonë.
Sa kohë ndenjët të fejuar?
Para se të fejoheshim më ndodhi një fatkeqësi në familje. Nëna ime ndërroi jetë në moshën 45-vjeçare, një ditë para se të fejoheshim. Donim ta shtynim fejesën, por kjo ndodhi vetëm për disa ditë, pasi siç ishte dhe vijon të ndiqet profecia, dita e shënuar nuk mund të shtyhet se ndjell keq. Kështu, u fejuam për Krishtlindje të vitit 1975. Dhe bëra mirë, pasi Maqo më ka qëndruar pranë në ato kohë aq të vështira. Pas dy vjetësh fejesë vendosëm ta kurorëzonim lidhjen tonë.
Ishte e lehtë për bashkëshortin tuaj të pranonte faktin se ju jeni person publik? Si e ka përjetuar në periudha të ndryshme këtë fakt?
Jo, pasi kur ne u njohëm unë kisha fituar famën time, por mbi të gjitha, sepse bashkëshorti im më ka mbështetur gjithnjë, çka vijon ta bëjë edhe sot. Pastaj në ato vite, emri apo fama nuk vlenin dhe aq shumë. Dy herë në ditë më duhej të shkoja në punë, pasi nuk donte t’ia dinte njeri se kush ishe. Të tilla vite ishin.
Si ishte dasma juaj? Ju kujtohet data, dita, ora...?
Të vishesha me të bardha ishte ëndrra ime dhe fustani i nusërisë kishte një rëndësi tejet të madhe për mua. Jemi martuar më 31 korrik të vitit 1977. Kuptohet që asokohe për të realizuar një ceremoni nuk kishte këto kushte që gjenden tanimë, por falë këmbënguljes sime për të qenë e veçantë, me stilin tim, kërkoja me ngulm një fustan që ta vishja për të parën herë.
Dhe fustani juaj i bardhë ishte ai që kishit ëndërruar?
U nisa drejt Korçës, ku emigrantët sillnin fustane nga SHBA-ja. Pata fatin e madh dhe gjeta një fustan që kishte ardhur vetëm dy javë më parë nga Amerika. Për më tepër, askush nuk e kishte mbajtur veshur para meje. Në çastet e para u mahnita kur e pashë dhe mendova se fustan më të bukur nuk do të më kishte rënë. Fustani ishte me kapele, me bisht të gjatë, por edhe vello me bisht të gjatë, një model që nuk të ndodhte ta ndeshje rëndom, përkundrazi.
Po modeli i flokëve, a ndoqët edhe ju “rregullin”, duke rritur flokët disa muaj para se të linit datën e martesës?
Flokët të gjatë i kam mbajtur gjithmonë, kështu që nuk kisha ndonjë problem paraprak. Ajo që më shqetësonte ishte sesi mund t’i rregulloja, duke i përshtatur me kapelën e fustanit. Duke qenë se nuk kisha besim te ndonjë dorë tjetër, vendosa t’i rregulloja vetë. U mendova gjatë se çfarë modeli mund t’i sajoja, duke qenë se ishin shumë të gjatë vendosa. Duke provuar në shtëpi, mendova të bëja një gërshet të hollë, që përshkonte mes përmes ballin, në anën tjetër të flokëve. Ndërsa pjesën tjetër e mblodha pas kapelës në një model të thjeshtë.
A mbetët e kënaqur me grimin, apo patët edhe ju pakënaqësitë që ndodhin shpesh me nuset atë ditë?
Për sa i përket grimit nuk kam bërë pothuajse fare, vetën një vijë të hollë lapsi si dhe buzët e kuqe, as krem pudër apo tone sysh, madje as rimel. Manikyr dhe pedikyr vetëm bëra. Megjithatë, duke pasur tipare të rregullta, vetullat e zezë dhe qerpikët e gjatë nuk ia ndjeva nevojën. Më thanë që isha një nuse shumë e bukur, madje im shoq u befasua jashtë mase kur erdhi të më merrte të dielën.
Detajet e ceremonive...Si i kujtoni tanimë që mundësitë për të realizuar një ceremoni janë tejet të larmishme?
Kishin bukurinë e tyre, me gjithë kushtet e vështira. Ceremonia ime u realizua në oborrin e shtëpisë në Fier, që ishte i përshtatshëm dhe i mjaftueshëm, i madh për një ceremoni të tillë. Megjithatë, në shtëpinë time nuk morëm, as orkestër, as muzikë nuk vumë. Nga vdekja e mamasë nuk na bënte zemra të këndonim.
Ndonjë moment i pashlyeshëm, që ju rikthehet vazhdimisht në kujtesën tuaj?
Momenti më i paharrueshëm dhe mbresëlënës nga dasma e familjes sime në Fier ishte, të dielën kur erdhën krushqit në 8:30 të mëngjesit, pasi rruga ishte e gjatë. Kur dola oborri, rruga ishte e tejmbushur nga njerëzit. Kishte dalë gjithë Fieri të më përcillte dhe nga mimika e tyre lexohej një dëshpërim që po u ikte vajza e tyre.
Nuset e asaj kohë duhet të qanin me patjetër kur linin derën e babait, si të ishe një ligj moral i pashkruar. Ju e keni zbatuar?
Në ato momente ngriva pasi nuk e prisja, madje u bllokova aq shumë sa nuk derdha qoftë edhe një pikë loti të vetme siç e diktonte zakoni.
Po dasma korçare, çfarë veçantish pati?
Ceremonia në Korçë ishte e madhe, me orkestër dhe me njerëz pa fund që vinin të na vizitonin. Shtëpia dykatëshe ishte përplot me njerëz, një radhë vinin, një radhë iknin. Mbaj mend që mua më ngjitën në katin e dytë në një dhomë me hapësirë të madhe, por që nga njerëzit e shumtë të merrej fryma. Darka ishte shumë e madhe dhe të ftuarit të shumtë në numër, edhe ajo në oborrin e shtëpisë.
Zakonisht dasmat kanë muzikën tradicionale të krahinave nga është origjina e secilit apo ndonjë zgjidhje të ndërmjetme. Në Korçë qëndruat besnike e traditës me serenata.
Jo nuk u ruajt tradita. Nga njëra ane orkestra që luante nga të gjitha muzikat, nga ana tjetër shoqëria e Maqos që më kërkonte të këndoja këngë të ndryshme. Duke qenë se isha mësuar me skenën, nuk kisha as emocione as ndonjë ngërç. Repertori niste nga “Kafe Flora” si hit i asaj kohe deri tek serenatat karakteristike. Edhe pse nuk kisha mikrofon, improvizova kam kënduar në dasmën time, duke harruar se isha unë nusja dhe duhet të nusëroja siç ishin adetet e kohës.
Pas ceremonisë a kishit një shtëpi tuajën apo së bashku me prindërit e bashkëshortit?
Nuse e re kam qenë me babain e bashkëshortit si dhe motrat e tij, pasi edhe nëna e tij kishte ndërruar jetë. Një derë e madhe, por që marrëdhëniet mes nesh kanë gjithnjë të mira. Megjithatë, fillimet nuk ishin aq të lehta, pasi temperaturat e ftohta të Korçës mes dëborës, angazhimet për të shkuar në punë, si dhe shtëpia e re për t’u ndërtuar, ishin shumë kunguj në një sqetull. Aq më tepër që bashkëshorti, duke qenë inxhinier iu desh të udhëtonte larg shtëpisë. Muaj me radhë kam qëndruar fare e vetme. Megjithatë më duhej të ecja përpara, dhe tani kanë kaluar ato kohë.
Ndërkohë, nga këngëtarja që u pëlqye menjëherë në skenën e festivalit ju desh të ishit dhe një amvisë. Si e menaxhuat këtë pozicion?
Për sa i përket punëve si amvisë isha e përgatitur edhe pse në derën time isha rritur me punëtore shtëpie. Nëna ime na vinte të punonim edhe pse ankohej me idenë se një ditë do të na duhej dhe ashtu doli.
A ju është dashur të gatuanit ato kohë? çfarë note ju jepnin si kuzhiniere? Po sot?
Gatimet e mia Maqo mi lavdëronte pa masë çka vijon ta bëjë edhe sot e kësaj dite. Madje më thoshte ‘amvisë artiste’, pasi kam merak jo vetëm gatimin por edhe rregullat e të ngrënit, të ulurit në tryezë. I kushtoj rëndësi tejet të madhe servirjes së vakteve në tryezë. Mendoj se është gjysma e punës. Edhe sot e kësaj dite që kam pakësuar yndyrat dhe ushqimet e dëmshme, tre meshkujt e jetës sime mi lavdërojnë pa masë atë çka unë u përgatis.
Vitet e fundit shumë çifte i ripërtërijnë nga fillimi betimet e tyre me një ceremoni të re. Ju ka shkuar ndonjëherë ndërmend për një ceremoni romantike pas vitesh martese?
Jo nuk më mungon një gjë e tillë, edhe pse kushtet e sotme të shtyjnë të ëndërrosh. Megjithatë, kam rastin më të mirë për të plotësuar, ato çka nuk arritëm dot me bashkëshortin. Kam dy djem.
I keni imagjinuar detajet për dasmën e djemve tuaj?
Me dy djemtë kam një marrëdhënie si shokë që flasim për çdo gjë, andaj dhe dëshirat që nuk i plotësova dot në dasmën time, pres t’i plotësoj në dasmën e djalit të madh Marselit. Dua t’ia bëj tek një anije buzë lumit të Londrës, ku i kam festuar 25-vjetorin, me muzikë. Shpenzimet nuk mendohen në një ditë si ajo e dasmës së djemve të mi. Megjithatë, këto janë plane paraprake që bëjmë ne si prindër, pasi asnjë nga dy djemtë nuk ka gjetur vajzën e duhur për të kaluar jetën. Nga dëshirat kërkojnë vajza shqiptare, duke iu referuar modelit tim si nënë dhe bashkëshorte, edhe pse kohët kanë ndryshuar. Kur janë të vegjël të zgjojnë nga gjumë, kur rriten të lënë pa gjumë. Edhe ne kështu jemi ndaj tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›