Desanti në Veri

Plani për Veriun e vendit ka filluar të zbatohet pikërisht në datën për të cilën Qeveria e Kosovës ka folur shumë herë për vendosjen e ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës.
Doganierë dhe policia kufitare e Kosovës të premten përmes helikopterëve të KFOR’it janë vendosur në dy pikat kufitare 1 dhe 31 që ndajnë territorin e Kosovës me atë të Serbisë.
Përderisa pjesëtarë të policisë dhe doganave janë vendosur në Jarinje dhe Bërnjakë, përmes hapësirës ajrore, të gjitha rrugët magjistrale dhe dytësore kanë qenë të bllokuara nga serbët e rebeluar, të pakënaqur me rikthimin e pjesëtarë të institucioneve të Kosovës në ato zona kufitare.
Misioni Europian në Kosovë dhe Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi kanë konfirmuar vendosjen e policëve kosovare dhe doganierëve në atë pjesë.
Zëdhënësi i EULEX’it, Nicholas Hawton, pas deklaratës së parë ku ai nuk mundi të konfirmonte se kush është vendosur në pikat 1 dhe 31, ka konfirmuar prezencën e doganierëve e policëve shqiptarë e serbë në pikat kufitare në veri.
“Zyrtarë lokalë, serbë e shqiptarë, janë në pikat kufitare me policinë e EULEX’it, por vetëm anëtarët e EULEX’it janë operacionalë”, ka thënë Hawton.
Përderisa zyrtarë të EULEX`it në orët e pasdites kanë konfirmuar lajmin për vendosjen e policës dhe doganierëve në Veri, Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi qysh në orët e mesditës të së premtes e ka thënë një gjë të tillë.
Ai ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve, “Tanjug” se policët dhe doganierët e Kosovës janë tashmë në dy pikat kufitare të Kosovës bashkë me policët e EULEX’it.
Rexhepi ka thënë se operacionit i vendosjet së tyre ka filluar pak para orës tetë të mëngjesit.
Rexhepi ka konfirmuar se dërgimi i tyre është bërë me një helikopter të KFOR’it nga baza ushtarake e KFOR’it në Leposaviq.
EULEX bashkë me Policinë e Kosovë do të kenë rol operues përderisa zyrtarët e EULEX do të luajnë rolin operacional.
Rexhepi po ashtu ka thënë se operacioni i vendosjes së tyre është kryer pa ndonjë problem
Ndërkaq qytetarët e komunës së Leposaviqit që nga ora tetë e mëngjesit të së premtes janë mbledhur në një numër të madh afër vijës administrative ku ndodhet kufiri me Jarinjën.
Ata ishin mbledhur jashtë telave të KFOR’it për shkak se trupat ushtarake ju kanë bërë me dije se nëse ofrohen më shumë së 100 metra mund edhe të gjuajnë me armë mbi ta.
KFOR’it ka mbledhur një arsenal të tërë armësh dhe ka bërë një bazë të madhe ushtarake, shkruan Tanjug.
“KFOR, stop – përndryshe ju qëllojmë”, shkruajnë në dy gjuhë në këtë.
Për të kundërshtuar aksionin e së premtes qindra serbë janë mbledhur te ura kryesore që ndan qytetin në dy pjesë.
Serbët po ashtu kanë vazhduar të qëndrojnë në barrikada afër dy pikave kufitare, por në një distancë të madhe, pasi KFOR’i i ka shpallur zonë ushtarake të dy pikat dhe i ka paralajmëruar serbët që të mos afrohen.
Ndryshe zyrtarë të EULEX’it kanë thënë se në veri të Kosovës po mbretëron situatë e tensionuar.
Zëdhënësi i EULEX’it, Nicholas Hawton, tha deri më tash nuk është raportuar për asnjë incident.
“Deri më tash nuk kemi ndonjë raport për ndonjë incident. Është e drejtë të thuhet se situata është e tensionuar”, tha ai.
“Disa barrikada janë të vendosura tashmë në disa udhëkryqe të rrugëve në veri të Kosovës”, bëri të ditur Hawton.
Thaçi: U krye aksioni
Kryeministri Hashim Thaçi ka konfirmuar vendosjen e doganierëve në Veri në mënyrë të suksesshme dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës për qetësi dhe maturi.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Qeverisë, Thaçi i ka informuar të gjithë ministrat për aksionin e Qeverisë, i cili është mbështetur nga KFOR’i, EULEX’i dhe vendet e Quntit.
“Ky ishte një informim i vendosjes së doganierëve në Veri në mënyrë të suksesshme”, ka thënë Thaçi para anëtarëve të Qeverisë.
Shefi i Qeverisë e ka përsëritur se vendosja e rendit dhe ligjit në Veri nuk është drejtuar kundër qytetarëve, por është respektim i Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
“Barrikadat janë pengesë për të ardhmen zhvillimore dhe europiane”, ka thënë Thaçi.
Ai ka falënderuar KFOR’in, EULEX’in dhe të gjitha vendet e Quintit, që e kanë përkrahur aksionin e Qeverisë për vendosjen e doganierëve në Veri.
Bogdanovic: Do t’i kundërshtojmë veprimet e Prishtinës
Ministri për Kosovë në Qeverisë së Serbisë, Goran Bogdanovic ka mbajtur një konferencë për gazetarë afër urës kryesore mbi lumin Ibër, me ç’rast ka theksuar se serbët do të kundërshtojnë fuqishëm veprimet e njëanshme të Prishtinës, e cila, sipas tij, fatkeqësisht po përkrahet nga bashkësia ndërkombëtare.
Bogdanovic është bashkuar me grupin e serbëve protestues të cilët po qëndronin tek bllokada afër urës kryesore në Ibër dhe nuk po lejonin qarkullimin në atë pjesë.
Ministri serb u tha gazetarëve se ka ardhur në Mitrovicë për të bërë të ditur mesazhin e Qeverisë së Serbisë se janë të papranueshme veprimet e njëanshme të Prishtinës.
“Kemi pasur mjaft luftëra dhe konflikte, andaj do të kundërshtojmë në mënyrë të qetë këto veprime të njëanshme të Prishtinës. Serbia nuk mund të lejojë krijimin e shtetit të Kosovës brenda territorit të serb, por fatkeqësisht Kosova e ka përkrahjen ndërkombëtare në këtë rast”, ka thënë Bogdanovic.
Nuk ka qenë vetëm Bogdanovic që u ka dalë në ndihmë serbëve të Veriut.
Deputetët e SRS’së (Partia Radikale Serbe), të cilët sot në mëngjes ishin nisur drejt Mitrovicës për t’u dalë në ndihmë qytetarëve serbë në veri të qytetit, kanë hyrë në Kosovë përmes “rrugëve alternative”, raporton B92.
Më herët, ata u ndaluan në Jarinje, sikurse edhe në Bërnjakë, nga pjesëtarët e KFOR’it, pasi që kjo pikë kufitare është e mbyllur nga KFOR’i dhe e bllokuar në anën tjetër nga serbët.
Mbështetje për operacionin
Përfaqësuesja e lartë e BE’së, Catherine Ashton ka mbështetur operacionin në Veri të Kosovës duke thënë se veprimet atje janë në pajtueshmëri me vlerat europiane. Por zyrtarja e lartë e BE’së gjithçka ia dedikoi EULEX’it dhe KFOR’it, pa përmendur Qeverinë e Kosovës.
Shpend Limoni
shpend.limoni@gazetaexpress.com
Bashkimi Europian i ka dhënë mbështetje operacionit për vendosjen e kontrollit në pikat doganore të pjesës veriore të vendit që është zhvilluar në orët e hershme të së premtes.
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, përmes një deklarate, aktivitetet e së premtes në Veri i ka përshkruar si fillim të implementimit të “aranzhmaneve të reja në portat e Kosovës Veriore”.
“Këto aranzhmane të reja kanë për qëllim rifillimin e relacioneve tregtare normale dhe heqjen e embargove reciproke mes Serbisë dhe Kosovës në pajtueshmëri me rregullat e CEFTA’s dhe vlerat europiane. Jam e lumtur që tregtia ka rifilluar në njërin drejtim sot dhe shpresoj se mund të rifillojë në të dyja drejtimet pa vonesa”, thuhet në deklaratë.
Ashton ka vlerësuar se kjo sigurisht se është në interes të të gjitha komuniteteve pasi që do t’i lejojë ata që të bëjnë tregti lirshëm dhe të përmirësojnë jetët e tyre.
Përfaqësuesja e lartë në deklaratën e saj ka thënë se implementimi i vulës doganore nuk e paragjykon çështjen e statusit.
“Ka të bëjë me tregtinë e lirë dhe përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Pres që puna e vazhdueshme e dialogut do të në lejojë që të zgjidhim problemet dhe të përmirësojmë më tej jetët e njerëzve dhe të gjitha komuniteteve në Kosovë”, ka thënë ajo.
Baronesha Ashton, po ashtu, ka bërë thirrje për qetësi në pjesën veriore, pasi që kjo, sipas saj, është në interes të të gjitha palëve.
“U bëj thirrje të gjithëve në pjesën veriore që të tregojnë përmbajtje dhe të mbesin të qetë. Është në interes të të gjitha palëve të ulen tensionet, të zbutet retorika dhe të veprohet me përgjegjësi. Dhuna është e papranueshme. E përkrah plotësisht punën e misionit të EULEX’it. Operacionet në porta do të jenë udhëhequra nga policë të kualifikuar doganorë dhe ekspertë doganorë nga EULEX’i, në pajtim me mandatin e tij ekzekutiv”.
Ajo që bie në sy në deklaratën e Përfaqësueses së Lartë të BE’së është fakti që askund nuk përmendet Qeveria e Kosovës.
Meritat për operacionin në Veri, Ashton ua ka dedikuar EULEX’it dhe KFOR’it.
“Dua të përgëzoj policinë, njësitë speciale të EULEX’it të involvuara në operacion. Më lejoni po ashtu që të përgëzoj koordinimin e shkëlqyer mes EULEX’it dhe KFOR’it. Unë sot kam folur me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO’s, Rasmussen dhe ne të dy kemi nënvizuar rëndësinë që të gjithë të veprojnë me maturi, në përkrahje të sundimit të ligjit”, ka thënë zyrtarja e lartë e BE’së.
Për operacionet në pjesën veriore ka folur edhe Zëdhënësja e Ashtonit, Maja Kocijancic, gjatë ditës së premte.
Ajo ka përmendur praninë e doganierëve shqiptarë në pjesën veriore.
Autoritetet e Beogradit të cilat kanë qenë të zëshme në ditët e kaluara kundër operacioneve në Veri, kanë reaguar butë të premten.
Deri në orët e mbrëmjes në Serbi është regjistruar vetëm reagimi i Zëdhënësit të Qeverisë së Serbisë, Milivoje Mihajlovic.
Ai ka thënë se të gjitha institucionet e Serbisë në Veri të Kosovës janë duke funksionuar të papenguara.
Një reagim për operacionin ka ardhur edhe nga Kryeministri Sali Berisha.
Ai ka mbështetur Qeverinë e Kosovës dhe EULEX’in për vendosjen e ligjit dhe funksionimin e doganave dhe pikave kufitare.
“Ky vendim i autoriteteve të Kosovës dhe EULEX’it për të zbatuar marrëveshjen e firmosur në Bruksel nga palët me ndërmjetësimin e BE’së, përbën një kontribut real për paqen dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në njoftimin e Qeverisë shqiptare.
Tirana i ka bërë thirrje Beogradit të respektoje marrëveshjen dhe të ndërpresë çdo mbështetje për strukturat paralele dhe ata që duan të shndërrojnë tri komunat në Veri të Kosovës protektorate të krimit të organizuar, kontrabandës dhe trafiqeve te paligjshme.
Një reagim ka ardhur edhe nga Berlini.
Ministrit i Shtetit, Werner Hoyer, ka përkrahur plotësisht marrjen nën kontroll të pikave doganore të Kosovës në Veri.
“Marrja e kontrollit të doganave në Veri të Kosovës sot, nga Misioni i BE’së për sundimin e ligjit, EULEX, është një hap i rëndësishëm për qarkullimin e lirë të mallrave dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka njoftuar Ambasada gjermane në Prishtinë.