Shqipëria për zgjidhje në Lindjen e Mesme

Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, u shpreh se Shqipëria do të jetë gjithmonë pro zgjidhjes së qëndrueshme të krizës në Lindjen e Mesme.
Në takimin që ai zhvilloi me ambasadorët e Palestinës, Arabisë Saudite, Egjiptit dhe përfaqësuesin e Libisë në Tiranë, Haxhinasto nënvizoi se Shqipëria e ka bërë të qartë pozicionin e saj në mbështetje të zgjidhjes së qëndrueshme të krizës në Lindjen e Mesme, që parakupton zgjidhjen me dy shtete të pavarura, atë të Izraelit dhe Palestinës, që jetojnë në paqe e siguri.
“Shqipëria është ndër vendet e para që e ka njohur shtetin e Palestinës, ndaj dhe kërkon gjetjen e rrugës më të mirë, që procesi i paqes në Lindjen e Mesme të shkojë përpara. Vendi ynë do të mbështesë çdo veprim dhe aksion diplomatiko-politik që do t’i shërbejë në mënyrë efikase dhe realisht arritjes së paqes së qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, tha Haxhinasto.
Në fokus të takimit ishin punimet e seancës së 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që fillon më 20 shtator 2011 në New York.