Deshifrim i eksodit biblik
Ali ALIU
Kur mё 1981, nёn kujdesin e Ali Podrimjes e Rexhep Ismajlit dhe nё botim tё Rilindjes – Prishtinё doli nё dritё vëllimi poetik “Gjuha e bukёs”, poeti Zef Skiro - Di Maxho u prit dhe vlerësua si talent me tё ardhme tё sigurt nё letёrsinё shqipe. Qё nga ajo paraqitje, pra para afro tridhjetë vitesh, krijimtarinë poetike tё tij e kam ndjekur falё periodikut tonё letrar. Me ndihmёn e kolegëve, para ndonjë muaji, sigurova (besoj tё plotё) poezinë lirike tё Zefit. Po e theksoj kёtё histori qё nё hyrje, pёr tё shprehur mbresën e parё lidhur me ecjen krijuese tё këtij personaliteti, tashmë tё shquar, tё letёrsisё sonë. Nga fillimet e tij poetike, qё datojnë nga gjysma e viteve gjashtёdhjetë tё shekullit të kaluar, kur edhe mund tё vihej re herё-herё prania e gjuhës poetike kolokuiale, me kohё, Zefi e mpreh ndjeshmёrinё pёr mundësitё, përmasat shprehëse tё gjuhёs, si nё rafsh tё artikulimit parësor tё saj, ashtu edhe nё atё semantik e stilistik. Ёshtё gjuhё e sigurt, e vetëdijshme pёr mundësitё e veta krijuese.
Ndër prezantimet qё i janё bёrё veprës poetike tё këtij autori, përzgjedhja e profesor Nasho Jorgaqit (Ishuj), botuar vitin e kaluar nё Tiranё (Ombra GVG), ёshtё, sipas meje, mё e sakta nё pasqyrimin e ecjes poetike tё Skiroit, mbështetur edhe nga teksti i tij nё vend tё parathënies, titulluar Poeti i Itakёs arbëreshe. Itaka, me kёtё rast, mё ёshtё dukur gjetje metaforike kreative, përkatёsisht shenjё paranjohёse jo vetëm pёr lirikёn e Di Maxhos, por edhe pёr mbarё poezinë arbëreshe, ndërsa pёr poezinë e Skiroit metafora shpërthen duke pushtuar horizonte tё reja kuptimore e figurative. Itaka nё kёtё poezi shfaqet truall pёrjetёsisht i pranishëm, perkatёsisht, shfaqet përjetёsisht truall i pagjetur. Pikёrisht kjo perspektivё dyshe e trazimeve krijuese tё Skiroit ёshtё njёri nga dy zёrat, qё i jep shijen e artikulimit poetik tё veprës.
* * *
Kёrkimi dramatik ёshtё thelbi i gjendjes shpirtërore të zёrit lirik, ёshtё gjakimi i poezisё. Ёshtё ngasje mbamendjeje e zёnё, bartur ndёr shekuj, qё thuret e plekset nuancash shpirtërore dhe refleksesh urtie. Malli qё derdhet, nё momente pikëllues, shqetësimi si shije e pёrzjerё droje, faji, besimi bashkё, gjakimi drejt përjetёsimit tё substancёs, tё qenies sё mishëruar me More, shqetësim-alarmim qё sidomos sfidohet, aktualisht, edhe nga gllabërimet globaliste...
Ёshtё fjala pёr kërkim dramatik tё truallit, tё trojeve mbi troje, tani mё mitik – pra, mision e vizion i sё pamundshmes, i sё pagjeturës sё përhershme, qё e ndjen pranё, tё plotё nё vete dhe tё largët, tё mjegullt, tё tretur nё pakthim. Ёshtё njё gjakim në hapësirat e pafundme të vertikaleve kohore, tё mbuluara humnerё, terr, e zёri ndërsa provon tё shkrepё dritё, tё shpërthejё klithje qё s’ndodh, perkatёsisht qё derdhet jehonё e pakthyer, e shurdhёr...
Ёshtё truall-gjakim i brendshëm, zjarr qё s’shuhet dot, klithje pёr tё qenё e përhershme, e nё çaste gjakim pёr artikulim tё gjallё tё aktit tё çarjes, tё shkuljes nga tёrёsia e qenies, kthim imagjinativ brenda saj, pra drejt sё pamundshmes. Nё krahёt e vizionit tё tillё krijues, përmasave tё këtyre ngasjeve dramatike dhe pёrgjёrimeve tё imagjinatës, zё fill nё pjesën e saj mё tё madhe lirika e Zef Skiroit - Di Maxhos.
Fjala ёshtё pёr njё lirikё dhe poetikё qё ndërtohet edhe mbi reflekse apokrife, pasmoderniste: mbindërtim qё thith nga njё eksod përmasash biblike arbërore gjashtëqind vjet tё shkuara, qё ushqehet nga njё akt, tekst i shkruar i pashkruar, përfundimisht i padeshifrueshëm kthimi i gjallё i këtij vizioni. Ёshtё gjakimi i gjendjes shpirtërore pёr kuptimёsimimin e njëkohësisht pakuptimёsimin e atij akti, e asaj ekzistence, e prekshme dhe eterike – ёshtё shije dhe aromё e këtij zёri tё veçuar tё lirikёs sё Skiroit. Shfaqet kjo ecje-etje e pashuar sa si pikё uji qё s’shterret, si rrjedhё borhesiane – jam e s’jam njёherёsh...
ǒ ngasje ka ky zё lirik i pagjumё, qё jehon nga thellёsitё e shtresimeve dhe palimpsestit arbёresh, ç’shtytje ataviste tё pareshtur ka? Mbase zgjimin çudibёrёs, mrekullinë – kthimin e pamundshëm, paralajmërimin e rrjedhës pafund? Ёshtё zё qё natyrisht sfidon kohё dhe hapësira, sfidё brigjeve qё shfaqen e fshihen pandёrprerё, ёshtё kërkim dramatik i mbërthyer nё momente mes dy magjive përthithëse – tё gjetjes e tё mosgjetjes sё përhershme tё Itakёs arbëreshe; ёshtё vatёr frymëzimi krijues, qё fatmirësisht ka sjellё nё dritё perla arbëreshe nё letёrsinё shqipe... Ёshtё Morea pra, Itaka e muzёs poetike tё Zef Skiroit, - Itaka arbëreshe ndёr shekuj. Cikli i lirikёs me More, ndёr mё tё realizuarit nё poezinë e tij, tek shpërthejnë ndiesi qё derdhen e pleksen, shkrihen ndёr vedi, jo rallё edhe nёn buzëqeshjen e brendshme ironike. Tё sjellin ndërmend mallin, pikëllimin, dhembjen e bartur arbëreshe galerave mesjetare nisur nga brigjet e Moresё, por shfaqjen edhe tё anijeve tё marrosura shqiptare tё fundshekullit njëzet. ǒёshtё dhembja pёr tё parёt, përkatёsisht pёr tё dytёt? “Me tё vërtet Morea jeton ende e gjallё – dhe nostalgjia pёr tё”, beson poeti. Vallё, pёr arbëreshin ajo nuk do tё vdesё kurrë, si njё pёrditshmёri e zgjatur nostalgjie? Vёrtet e pafund? Mos, vallё, prania shqiptare, e Moresё shqiptare sot, e zbeh ose tё paktёn e zhvendos sadopak perspektivёn e mallit, etjes, pёrgjёrimin e pashuar More? Mos, vallё, bashkё me afrimin e iluzioneve e deziluzioneve, bashkё me afrimin e gjuhës arbëreshe drejt brigjeve tё Moresё, drejt standardeve, qё dukshёm shpejton me ngut, letërsia arbëreshe do tё mbetet edhe ajo pa kёtё ngasje frymёzimi plus, pa kёtё shqetësim tё veçantё krijues, tё rrallё, nё mos tё vetmit, tё paktёn nё hapёsirёn poetike mesdhetare qё, sidomos gjatё dy shekujve tё fundit, edhe nё krahё tё këtij shqetësimi, rezultoi me nxjerrjen nё dritё tё kryeveprave letrare tё shqipes?
Pёrsiatje tё kësaj natyre shfaqen vetvetiu e spontanisht edhe pёr arsye se, nё poezinë mё tё re arbëreshe, ndjehet prirja drejt hapjes, drejt pushtimit tё hapësirave tematike e ndjeshmёrive universale, mbase edhe drejt universalizimit krijues tё Itakёs arbëreshe, drejt kërkimit tё pagjetur njerëzor... Dhe pikërisht nё kёtё pikё përsiatjesh mbi vargjet e Zef Skiroit, mё shfaqet njё zё tjetër, po ashtu i artikuluar artistikisht i këtij poeti tonё tё shquar – karakteri mediteran i saj...
* * *
Pikёrisht kjo e veçantё, ajo e zёrit tё parё, pasuria, dhuntia shpirtërore, e sjell ndryshe edhe frymёn mediterane, tё pranishme dhe qё mё vjen si zё i dytё i fuqishëm lirik. E kanё kёtё veshje tё veçantё vargjet e Zef Skiroit, edhe ullinjtё e tij, nga lirika me ullinj, bie fjala, tё Fatos Arapit e Xhevahir Spahiut, po ashtu poetё tё mëdhenj tё letёrsisё shqipe. E pёrbashkёt me lirikёn mesdhetare, nё kёtё pjesё tё poezisё shqipe-arbёreshe, modeli i elegjizmit meditativ dhe trualli si burim drite, ndjellja e magjisё sё hapёsirёs detare, - deti si lidhje e ndarje, si shesh suprinё dhe pasqyrё, si thellësi, si peizazh diellor ngarkuar pjellori, si zё-sinjale thellësish historike, mitologjike dhe shtresime qytetëruese qё janë ngasje frymëzimi krijues, si rrezatim shpirti e urtie tё destiluara gjatё shekujve, aq frytdhёnёse bie fjala nё lirikёn refleksive tё Fatos Arapit, tё pranishme edhe nё lirikёn e Zefit dhe asaj arbëreshe; fjala ёshtё pёr lirikё, ku shkrihen tё pleksura refleksi intelektual dhe sensibiliteti, ku përftohen e përplotësohen reflekse qartësie dhe enigma me horizonte pёrherё tё synuar, perkatёsisht tё hapur tej... Tёrё ky korpus i zёnё ngoje dhe i papërmendur veçorish, i pёrbashkёt i lirikёs sonë mediterane, tek poezia e Zef Skiroit dhe arbёreshёve ёshtё mё i pasur pёr edhe njё zё, me pranimin e etjes krijuese, tё njё shqetësimi shtesë, tё hapur e tё pёrhershёm ndёr shekuj – malli pikëllues pёr Morenë, pёr Itakёn arbëreshe...
Kёtё veçanti kanё vargjet nga mё tё artikuluarit e Zefit nё ciklin mbi ullinjtё, nё lirikёn me ullinj. Tё qenit burim lashtësie i kulturës njerëzore, shumёzёshmёri e kёsaj lashtësie e mitologjie metaforike e antikitetit, poezia e Skiroit ka edhe mitin More. Edhe pasioni, lidhshmëria pas truallit, edhe zjarri pёr qiell e qielloren, thith nga lëngjet e Itakёs sё vet, asaj arbëreshe. Himnizimi i detit si zbulim e pushtim horizontesh tё hapura, i natyrës sё ekuilibruar mes botёs sё brendshme e botёs reale, himnizimi i ullinjve si dru i shenjtё i amshuar, - ullinjtё e Zef Skiroit kanё shijen e mallit More. Nostalgjizmi dhe elegjizmi, tё përvjedhur diskretshёm me kёtё rast, me masё e delikatesё elegante shprehjeje dhe figuracioni tek ullinjtё e Zefit kanё ndjeshmёrinё, sentimentin pёr tё kaluarёn e largët, pёr njё truall Itakё tё paarritshёm, tё shndërruar nё mit qё vazhdon tё jetojё i gjallё, palimpsest i pёrjetshёm...
Peizazhi i tillё, me nё qendër ullinj, nё poezinë e Zef Skiroit sa ka nxitje, ngasje nga imazhi konkret, i verifikueshëm, fizik, po aq ёshtё pleksje me imazhin imagjinativ me origjinё mitike, me Morenë. Te ullinjtё e këtij poeti ёshtё i pranishëm dekori antik e malli More: Je i vjetёr si Gjeriku – e nё sajё tё shartimit – tё ngulitёn tё renё e vjetёr – tё dhembjes sё pashuar – tё Njerёzve dhe Hyut, - thotë poeti.... Janё njeriu dhe Hyu bashkё nё kёtё udhëtim biblik nё lirikёn me ullinj tё Zef Skiroit. Ulliri i kësaj lirike pёr poetin tonё ёshtё libër i pashkruar nё lexim, ёshtё fushё bredhjeje pa anё e fund e imagjinatës. Tani vetëm plasat e thara tё trupit tёnd kam nё shpirtin tim, vetëm gërvalla tё shtira, vetëm vetëtima jetësore, kam vetëm melankolinë tёnde nёn maskёn e gazit – thur portretin maestral artistikisht poeti - tё ullirit tё tij tё brendshëm... Kёshtu, ullinjtё e kësaj lirike do vazhdojnë tё jenё përjetёsisht tё ngarkuar me kokrra sa tё ëmbla e sa tё hidhura, sa tё vjelura e sa tё lёna nё degё tё trishtuara...
Pikёrisht ky zё malli e shqetësimi shpirtëror, përmasash tё fuqishme me More, me Ullinj dhe det, me Itakё, mё tërhoqi drejt këtij ngjyrimi përsiatёs tё kёtij teksti. Ndërsa nё fillim ideja ishte qё tё ofroja njё lexim tё mundshёm analitik tё kësaj poezie. Mbase meritё a mёkat i veprës poetike tё poetit tё shquar nga Hora arbëreshe.
2 Qershor 2008