ISKSH: “Së shpjeti, ndarja e bonusit për qendrat shëndetësore”
Shpërblimi për cilësinë e shërbimit prej 5 për qind mbi pagë për qendrat shëndetësore në vend do të shpërndahet së shpjeti. Lajmi bëhet i ditur nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH), i cili ka parashikuar pas përcaktimit të indikatorëve për bonusin dhe matjes së tyre, të nisë shpërndarja e shpërblimit. Ky shpërblim është një mënyrë për të stimuluar përmirësimin e shërbimit shëndetësor parësor. Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana sqaron se aktualisht po përpunohen të dhënat dhe qendrat shëndetësore. Ndërkohë që përveç pagës dhe 10 për qind shtesë për aktivitet që shpërndahet sipas realizimit të numrit të vizitave, do të përfitojnë edhe 5 për qind shtesë për cilësinë e shërbimit. Sipas Hanës, nga të dhënat paraprake, të gjitha qendrat do ta përfitojnë bonusin, por masa e përfitimit do të jetë e ndryshme në bazë të realizimit të treguesve të cilësisë në shërbim, që janë vendosur për marrjen e tij. Drejtoresha e ISKSH-së shpjegon se metoda e re e pagesës, ka të bëjë me llogaritjen e buxhetit të qendrës shëndetësore, mbështetur mbi pagën fikse (85 për qind e buxhetit); buxhetin për aktivitet në masën 10 për qind shtesë mbi pagën, për numrin e vizitave (12 në qytet, 9 në fshat dhe 6 në zona të thella); bonusin për cilësinë e shërbimit në masën 5 për qind për matjen e cilësisë së shërbimit (zbatimin e 6 indikatorëve që maten përmes pikëzimit). Çdo tregues do të matet proporcionalisht dhe bazuar mbi pikët e marra, do të bëhet dhe shpërndarja e buxhetit përkatës. Sa më shumë dhe mirë të kujdeset personeli shëndetësor për popullatën që mbulon, aq më shumë lekë do të hyjnë në arkën e Qendrave Shëndetësore, të cilat do të përdoren për shpërblime dhe rritje rroge.
Jonida Tashi
Mungesa e lejeve, bllokohen 4 klinika private
FIER - Specialistët e Sektorit Kundër Krimit Financiar së bashku me Policinë Tatimore të Fierit, gjatë ditës së premte kanë bërë bllokimin e katër klinikave mjekësore private, të cilat kanë rezultuar pa dokumentacionin e duhur. Në deklaratën për shtyp të Policisë së Shtetit bëhet e ditur se ky grup ekspertësh ushtroi kontroll në 37 klinika mjekësore, klinika dentare, laboratorë dentarë dhe laboratorë analizash private. Pas këtij kontrolli u bë bllokimi i 4 klinikave mjekësore private, pasi nuk dispononin certifikatën e regjistrimit pranë organeve Tatimore si dhe lejen e ushtrimit të profesionit të mjekut nga Ministria e Shëndetësisë.
2 Qershor 2008