E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një gotë pas kafes italiane



Ernesto BARBA

Ernesto Barba i ka botuar librat me pseudonimin Françesko Marra. Poezitë e tij kanë si referenca vende të ndryshme të botës si dhe eksperienca të jetuara në Italinë e jugut. Ernesto ngutej përherë të ikte, t’i linte pas krahëve tokat e dashura, por po aq të mohuara. Kishte dëshirë që të harronte fyerjet dhe miqtë e rremë. Për të ishte e mjaftueshme ta jetonte jetën ashtu siç është në të vërtetë. Nuk kishte frikë nga vdekja. Vështrimi i tij qe gjithmonë si vështrimi i një kozmopoliti të madh. Në librin e tij “Biri i diellit”, nga është marrë ky cikël, janë botuar poezi dhe letra të dërguara miqve.

TË KESH LINDUR NË SALENTO

Të kesh lindur në Salento
zgjedhje e mundimshme
ofertë primare.

Të jesh, kush ?
Frat në ekstazë
që fluturon lart
mbi kulla, mure pallati
ose i detyruar te Kepi
të tregosh rrëfenja
si Papa Galeaco.

PËRHERË

Françesko Marra
përherë pa një lirë
përherë i dashuruar
me kokën plotë erë
përherë i çakorduar.
Kur të vdesë varroseni
me librin e ëndrrave
dhe me beretën në kokë.

ÇESHTJE JUGORE

Në rrugën Metapanto
policët më qëlluan në shpinë
I vrarë e i përgjakur
eca 5 metra me mundim.
Në njërën dorë mbaja çikoren
në tjetrën një flamur të kuq.
Pastaj rashë i vdekur në kanal.

FALIMENTIMI

Dëgjoj dallgët
pa parë detin.

S’ka rrugëdalje më.

Kontrabandist i plagosur
ndjekur nga Financa
i rrethuar natën
mbi rërën e kuqe
të Pishnajës së Ulët.

DIMËR ’61

Dhe të ftohtit që bënte
dhe stina e verës që kish ikur
dhe qiraja që skadonte
dhe puna ish natën
dhe netët ishin të gjata
dhe gruaja ime ish nisur
dhe kafeja të helmonte
dhe stina e verës nuk vinte kurrë
dhe Italia ishte larg.

NJË DITË MË PAS

Gjinkallë, shoqja ime,
mos u lorgo.
Mos e merr me vete
stinën e verës dhe detin
Vazhdo të qëndrosh
me marrëzinë e ëmbël
në Pishnajën
e jetës sime.

* * *
Një gotë pas kafesë italiane
Flauti
Flautthi im
Kaq i ëmbël pas një dashurie.

Përktheu Gentiana Haliti

2 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›