E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këto dhe të tjera...

(Drejtuar Kancelarit Müller)

Johan Wolfgang GOETHE

Njerëzit në politikë hidhen nga njëra anë në tjetrën, siç përpëlitet i sëmuri në krevat, duke menduar se ashtu do të gjejnë rehat.

*
Natyra fsheh Perëndinë! Por jo për të gjithë.

*
Natyrën e ndan nga arti një humnerë e madhe, të cilën gjeniu nuk mund ta kapërcejë pa ndihmë nga jashtë.

*
Natyra organike: e gjallë deri te krijesat më të vogla; arti: i thellë deri te ndjenjat më të holla.

*
Natyra nuk ka të fshehta, por edhe zhveshur para sysh nuk i del vëzhguesit të vëmendshëm.

*
Kur i thonë se është i errët, autori duhet të vështrojë brenda vetes për të parë a është i kthjellët: në muzg edhe shkrimi më i qartë është i palexueshëm.

*
Po të mos ishin në përgjithësi njerëzit aq të mjerë, as filozofët nuk do ishin kaq të pakuptueshëm.

*
Provën e pavdekshmërisë duhet ta ketë sekush brenda vetes. Jashtë vetes nuk ka provë të tillë.

*
Dashuria mund edhe të lindë në çast, e dashuria e vërtetë mund të shkrepë si rrufeja; po kush martohet me të rënë në dashuri? Dashuria është diçka ideale, martesa është diçka reale, dhe e pëson keq kush ngatërron idealen me realen.

*
Jeta pa dashuri, pa praninë e së dashurës, nuk është veçse një comédie à tiroir, një komedi e keqe në sirtar, si i thonë. Hap një sirtar, mbylle, pastaj hap tjetrin. Gjen gjëra që janë të mira dhe që kanë kuptim, por që nuk lidhen me njëra-tjetrën. E nis gjithnjë nga fillimi dhe gjithnjë dëshiron që të mos e vazhdosh më.

*
Takojmë të mençurin dhe nuk e dëgjojmë, të diturin dhe nuk mësojmë, të shëtiturin e nuk pyesim, zemërbardhin dhe nuk i bëjmë një të mirë.

2 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›