Problemet kardiake që paralajmëron dhimbja e gjoksit
Gjatë dekadave të fundit sëmundjet kardiovaskulare janë studiuar në mënyrë intensive dhe ekziston një pamje e qartë e etiologjisë së tyre. Kjo e fundit është shumë faktoriale dhe përbëhet nga një sërë karakteristikash social-biologjike, të cilat rrisin probabilitetin e besimit të një problemi koronar apo cerebrovaskular. Një pamje e përgjithshme e këtyre karakteristikave apo faktorëve të rrezikut jepet në tabelën e mëposhtme, ku ato janë ndarë në tri grupe kryesore: karakteristika personale të pandryshueshme, karakteristika biologjike të ndryshueshme si dhe karakteristika të lidhura me mënyrën e jetesës. Nga pikëpamja e riskut relativ me të cilin llogaritet lidhja e tyre me aksidentet kardiovaskulare faktorët e riskut për sëmundjet kardiovaskulare klasifikohen në
madhorë dhe minorë. Tek faktorët madhorë përfshihen: Diabeti, duhanpirja, hipertensioni, hiperkolesterolemia, obeziteti, trashëgimia familjare me sëmundje të zemrës. Ndërsa tek faktor minorë përfshihen: Gjinia-faktorë hormonalë, meshkujt, femrat pasmenopauzës, faktorët psiko-socialë (pozicioni i ulët socio-ekonomik, tipi A i personalitetit, kontrolli i gabuar i stresit dhe depresioni), jeta sedentare, konsumi i shtuar i alkoolit, pulsi i lartë në qetësi (më tepër se 75 në minutë).
Sëmundjet
Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri dhe si pasojë e ndryshimeve moshore dhe të mënyrës së jetesës kanë një prirje për tu rritur. Sëmundjet kardiovaskulare përfshijnë një rang të gjerë problemesh shëndetësore me natyra dhe shkaqe të ndryshme, por në këtë material me sëmundje kardiovaskulare do t’i referohemi dy grupeve të sëmundjeve që kanë në bazë të tyre dëmtimin e furnizimit me oksigjen të muskulit të zemrës dhe të trurit; sëmundjet e koronareve dhe sëmundjet cerebrovaskulare. Këto dy kategori problemesh kanë në bazë të tyre një sërë shkaqesh të përbashkëta dhe nga pikëpamja e parandalimit mund të trajtohen së bashku.
Paraqitja klinike
Paraqitjet klinike të sëmundjeve të koronareve (dëmtimit të furnizimit me oksigjen të muskulit të zemrës) mund të jenë në formën e angina pektoris, infarktit të miokardit apo edhe vdekjes së papritur. Ndërsa paraqitjet klinike të dëmtimit të furnizimit të trurit me gjak si pasojë e bllokimit apo çarjes së arterieve që e ushqejnë atë janë në formën e paralizave të natyrave dhe përmasave të ndryshme. Prej këtyre shfaqjeve klinike problemi më i shpeshtë në shërbimin e kujdesit parësor është angina pektoris.
Parandalimi
Të gjithë ekspertët e shëndetësisë sot besojnë se sëmundjet koronare mund të parandalohen krejtësisht apo mund të shtohen në kohë duke shmangur një numër të madh vdekjesh të parakohshme. Sipas tyre, efektet më të mëdha dhe më afatgjata lidhur me parandalimin do t’i jepnin masat për sigurimin e një jetese të shëndetshme duke shmangur ekspozimin ndaj faktorëve risk (ushqyerje e mirë, mospirje duhani, aktivitet fizik etj). Gjithsesi një kontribut të rëndësishëm në uljen ose mbajtjen nën kontroll të rasteve me sëmundje kardiovaskulare ka edhe trajtimi i hershëm i faktorëve risk. Ndryshimi i mënyrës së jetesës (më shumë fruta, perime, më pak yndyra shtazore dhe kalori, më pak duhan) si dhe kapja e hershme dhe trajtim i përshtatshëm i faktorëve risk sidomos hipertensionit kanë qenë masa të efektshme për parandalimin e këtyre sëmundjeve
Disa fakte lidhur me angina pektoris
Angina është një dhimbje gjoksi ose një shqetësim i cili ndodh kur muskuli i zemrës nuk merr mjaftueshëm gjak. Angina mund të ndihet si një dhimbje shtrënguese në kraharor. Dhimbja mundet, gjithashtu, të ndodhë ose të përhapet edhe në shpatulla, krahë, qafë, grykë ose në shpinë. Shumë njerëz me angina pektoris kanë sëmundje të arterieve koronare, me ngushtim të arterieve si rrjedhojë e aterosklerozës. Kur arteriet janë ngushtuar rrjedhja e gjakut për në zemër reduktohet. Format më të shpeshta të angines janë angina e qendrueshme dhe ajo e paqëndrueshme. Një formë më pak e hasur është angina që është quajtur angina variant (e luhatshme). Angina e qëndrueshme është dhimbja e gjoksit apo shqetësimi i cili ndodh kur zemra është duke punuar më shumë se zakonisht. Dhimbja e anginës së qëndrueshme kalon kur personi qëndron, qetësohet, apo merr medikamentin për anginën. Ilaçet e anginës, siç janë nitritet, ndihmojnë në zgjerimin dhe qetësimin e arterieve. Në këtë mënyrë mund të shkojë më shumë gjak për në zemër. Angina e paqëndrueshme është një gjendje shumë e rrezikshme e cila kërkon një trajtim urgjent. Angina e paqëndrueshme është një shenjë që tregon se infarkti i miakordit mund të ndodhë shpejt. Angina e paqëndrueshme mund të ndodhë pa shtim të aktivitetit fizik. Kjo anginë nuk lehtësohet nga të qëndruarit në qetësi ose mjekimi. Angina variant shkaktohet nga një spazëm në një arterie koronare. Spazma shkakton ngushtim të mureve të arterieve. Ky ngushtim i arterieve pakëson ose ndalon rrjedhjen e gjakut për në zemër. Diagnostikostikimi i anginës bazohet në anamnezën personale, familjare egzaminimin fizik dhe rezultatet e testeve të ndryshme kryesisht EKG-së. Kur ilaçet dhe ndryshimi i stilit të jetës nuk e kontrollojnë anginën, atëherë mund të nevojiten procedura të posaçme. Angioplastika dhe byipass-i i arterieve koronare janë dy procedurat më të zakonshme që përdoren për të trajtuar anginën.
Faktorë madhor
Diabeti
Duhanpirja
Hipertensioni
Hiperkolesterolemia
Obeziteti
Trashëgimia familjare
Faktorë minor
Gjinia-faktorë hormonalë
Meshkujt, femrat pas menopauzqs
Faktorët psiko-socialë (pozicioni i ulët socio-ekonomik, tipi A i personalitetit, kontrolli i gabuar i stresit dhe depresioni)
Jeta sedentare
Konsumi i shtuar i alkoolit
Pulsi i lartë në qetësi (më tepër se 75 në minutë)
Përgatiti: Jonida Tashi
Të rejat nga shkenca/ Studimi, fëmijët kanë nevojë për më shumë vitaminë D
Një studim i ri ka treguar se fëmijët kanë nevoja ditore prej 2.000 IU (njësi ndërkombëtare) të vitaminës D, që është dhjetë herë më shumë sesa sasia e rekomanduar prej 200 IU. Shkencëtarët kanë zhvilluar dy studime: një studim të gjatë dhe një të shkurtër, të fëmijët e moshave ndërmjet 10 dhe 17 vjeç. Në studimin e shkurtër kanë marrë pjesë 25 nxënës të cilët gjatë tetë javëve kanë marrë nga 2.000 IU vitaminë D në ditë. Ndërsa në studimin e gjatë kanë marrë pjesë 340 nxënës të cilët po ashtu kanë marrë nga 2.000 IU vitaminë D në ditë, mirëpo në një periudhë prej një viti. Rezultatet kanë treguar se të gjithë fëmijët të cilët kanë marrë nga 2.000 IU vitaminë D në ditë, kanë arritur vlerën optimale të nevojshme për shëndetin e mirë të eshtrave dhe të gjithë organizmit.
2 Qershor 2008