E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshira e shqiptarëve për t’u anëtarësuar në BE

30-05-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Është e vërtetë ajo shifra e papërgënjeshtruar se 95 % e vendasve tanë janë pro këtij anëtarësimi. Nuk e di sesi ka dalë kjo shifër, që përmendet nga të gjitha mediet tona, pa dallime partiake. Mbase, nga një sondazh i huaj, se sondazhet tona janë jo mjaft të besueshme, meqë  paditen se mbështeten në interesa partiake.
Por PS-ja e Ramës është aq e pafré në nihilizmin e sukseseve të koalicionit qeveritar, të pakrahasueshme me ato të socialistëve kur ishin në fuqi, sa  nuk festoi as Autostradën e Kombit, as hyrjen në NATO, as liberalizimin e vizave.  Për të parën, autostradën e pashembullt, e tregoi xhelozinë smirëzezë, duke bërë një ballafaqim grotesk: Projekti ishte bërë që në kohën e P. Majkos! Në të vërtetë atin të ashtuquajturit Projekt s’i kishte mbetur as nami, as nishani; as nisja, as bitisja. - Ah, po! I mbeti vetëm taksa, që mori emrin e autorit imagjinar! Sa për NATO-n dhe vizat e liberalizuara, në festën popullore, abstenuan vetëm socialistët e Ramës!
Aq më tepër, për statusin e kandidaturës për në BE, socialistët antiperëndimorë të Ramës nuk janë të interesuar, pavarësisht sesi shtiren. Sepse ata bëjnë sikur janë ithtarë të faktorit ndërkombëtar dhe të SHBA-ve, pavarësisht se ka dëshmi për të kundërtën. G. Ruçi kishte mbushur gazetat me thënien e tij kundërperëndimore, se ata “po na sillen nëpër këmbë dhe do të binin mirë të shikonin punët e tyre”. Shumë nga ata vocërrakët e zallamahive, liliputë që maten me hijen e mëngjesit, e bënin gojën kamare kur ndonjëri nga personalitet e demokracisë, i baltoste me shprehje të  forta ato veprimtarí të rrugëve, që zëvendësonin punimet e parlamentit
Hyrja në BE, pasuesit kokëshkretë të Ramës do t’i bënte si delja e zezë në një bashkësi demokratike. Nëse tani nuk po u kërkohet llogari për festimet e 16 shtatorëve e të sh. Enver në Pezë, nën patronazhin e E. Ramës , kjo e ka burimin tek etika se tani jemi përtej gardhit të komunitetit evropian;  kur të futemi brenda këtij komuniteti , do të mund t’u thuhej troç se kishin shkelur me këmbë Rezolutën e Këshillit Europian të Asamblesë Parlamentare! Në qoftë se ato fotot e diktatorit tonë kishin mbushur muret e ministrisë së Jashtme të Milos, e ky s’donte t’ia dinte nga protestat e përditshme të ish-të përndjekurve tanë, gjersa  perden e kësaj shfaqjeje nostalgjike e mbylli zonja Doris Pak, atëherë, në BE, do të kërkohet llogari për një veprimtari të tillë të pangjashme në komunitetin në të cilin orvatemi të futemi.
A ka dëgjuar ndonjëri që në Perëndim të thuren ende lavde për Stalinin e Madh?  Përkundrazi! Ky përbindësh quhet i ekskomunikuar (mallkim kishtar) qysh në vitin 1956. Vetëm Shqipëria, në të gjithë Europën demokratike, ia ruajti monumentet, gjersa i përlau uragani popullor i dhjetoristëve. E. Hoxha, i vetmi, ia kishte ruajtur figurën. Por e la në heshtje pas 1996-s (destalinizimit). Shumëkush bën se nuk e di që Enveri ishte dhe mbetej stalinist gjer në fund të jetës së tij (1985), pavarësisht se e la në heshtje personalitetin e tiranit sovjetik. Kjo, sepse do të zbulonte antikombëtarizmin e tiranit tonë: Nuk mund të mbahej më tepër i mbyllur, antishqiptarizmi i Stalinit ndaj vendit tonë, - “gëlltiteni Shqipërinë!” - gjë që ia zbuluan bindshëm Eduard Kardelji, Milovan Gjilasi, si edhe shumë dokumente që u bënë të njohura pas 1956-s. Kësisoj, kjo idiolatri ndaj Stalinit antishqiptar, do të ishte vetakuzuese për diktatorin tonë!
Hyrja në BE do të thotë prerje e rrënjëve të helmatisura të nostalgjisë enveriste  rrënimtare, e cila i duhej Ramës për të gjitha ekstravagancat dhe prapësitë e tij antidemokratike. Tani nuk e zë gjumi Ramën se, në zgjedhjet e tanishme, u bë edhe më i qartë zëri i faktorit ndërkombëtar. Përveç personalitetit Kantrimen, zgjedhjet tona të 8 majit i quajtën të pastra dhe transparente edhe personalitete të tjera. Nga ana tjetër, iu vu në dukje Ramës se ai i kishte paragjykuar këto zgjedhje para se të nisnin dhe iu kërkua në mënyrë kategorike që të pranonte verdiktin e Koligjit Zgjedhor. Së fundit, i janë kuptuar, tanimë, sinusoidat e tij vertikale, domethënë dredhjet e bishtit.  Dhe i është thënë troç se nuk do të mbështesin protesta dhe demonstrata për mosnjohje zgjedhjesh. Kjo do të thotë se i janë vënë kufijtë te thana, - siç themi ne, shqiptarët.   

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›