PS-ja, çdo tentativë për të delegjitimuar 8 majin

Partia Socialiste, pasi ka humbur tre palë zgjedhje nën epokën e Edi Ramës, vazhdon të qëndrojë me paterica në kontestin e mos pranimit të rezultatit zgjedhor si dhe ngritjen në axhendën ditore të fantazmagorive se u manipuluan nga komisionerët socialistë.
Në 2007-ën s’njohën humbjen në shkallë kombëtare, në 2009-ën s’pranuan vazhdimin e ushtrimit të legjitimitetit qeverisës të mazhorancës së Partisë Demokratike si dhe në 8 maj të 2011-ës, PS nuk njeh verdiktin e zgjedhësve të kryeqytetit. E njëjta skemë, e njëjta formulë dhe i njëjti skenarë ndër vite. PS me Edi Ramën është dhe vazhdon të mbetet një forcë politike e pabindur.
Njësoj si një grup i çarmatosur nga pikëpamjet ideore politike dhe me vullnet të vdekur veprimi kolektiv. Kjo është ajo që bashkëshoqëron sot Partinë Socialiste dhe të majtën në tërësi. Mosnjohja e rezultatit zgjedhor, është strategjia e radhës për t’i dhënë “shuplakën” e radhës aspiratave integruese të vendit. As më shumë e as më pak, qëndrimet e PS për manipulim të zgjedhjeve vendore për bashkinë e Tiranës dhe përsëritje të procesit, janë tendencat më të qarta që nënkuptojnë ideimin e shpalljes si të paligjshme zgjedhjet, të cilat vendosën rotacionin e pushtetit vendor në bashkinë e kryeqytetit.
Pikërisht, humbja e Tiranës nga Edi Rama, ka sjellë dhe nisjen e betejës së PS-së për prishjen e procesit zgjedhor. Por, sa vend do të zerë tendenca monstruoze e kreut të PS-së për të konsideruar të paligjshme zgjedhjet e 8 majit në Tiranë, në një kohë kur ato u vëzhguan nga 3 ambasadorë të miqve tanë ndërkombëtarë?
E sigurtë është se, me humbjen elektorale të 8 majit, Edi Rama është në kushtet e mbijetesës politike si dhe i braktisur nga faktori ndërkombëtar.