Dëshirat e Canës

Vitin që e lamë pas nuk ishte edhe aq i mirë për Lorik Canën dhe skuadrën e Galatasarayt. Mesfushori kosovar shpreson që momentet e vështira nëpër të cilat ka kaluar muajve të fundit t’i harrojë sa më shpejt.
Njëri ndër futbollistët më të mirë të Kombëtares shqiptare, në vitin 2011 ka hyrë me disa dëshira. Ish-futbollisti i Marseilles dhe Snderlandit synon që me gjigantit të mos mbesin duarthatë këtë sezon.
“Shpresoj që viti 2011 të jetë një vit i mirë dhe i suksesshëm për tifozët e Galatasarayt. Në gjashtë muajt e fundit të vitit 2010 nuk i kemi kaluar si është më së miri, sepse nuk kemi arritur rezultate të mira. Edhe për mua, disa muaj ishin të vështirë, por kah fundi i vitit ka pasur përmirësime të dukshme. Edhe kur isha i lënduar, të gjithë më kanë përkrahur, gjë që më ka bërë të ndihem shumë mirë”, ka deklaruar Cana për televizionin e klubit.
Galatasaray e ka nisur keq sezonin duke ngecur në garë për titull, pasi është 19 pikë prapa liderit Trabzonspor. Edhe Cana mendon se lufta për titull është e vështirë derisa synon që me gjigantin turk ta fitojë kupën e Turqisë.
“Në vitin 2011 dua ta arrij formën time më të mirë dhe ta mbaj të njëjtën, pa lëndime. Besoj se do ta bëj këtë. Duket se është e vështirë që ta ndjekim titullin e kampionit, por të paktën dëshirojmë ta fitojmë një kupë. Ideale për ne do të ishte Kupa e Turqisë. Shpresoj që ekipi në vitin 2011 ta rrëmbejë një trofe”, ka theksuar ish-kapiteni i Sunderlandit.
Mesfushori kosovar ka thënë se nëse luan në një klub si Galatasaray, objektivi kryesor është titulli i kampionit, ndërsa në rastin më të keq, pozita e dytë.
“Kur nuk e arrini këtë, natyrisht se ka zhgënjim, në të cilën gjendje jemi tani”, ka pohuar Cana, duke shpresuar që në pjesën e dytë të kampionatit, Galatasaray të shkëlqejë.
Ish-futbollisti i klubit të njohur francez, PSG, gjatë afatit kalimtar të verës së vitit 2010 nga skuadra angleze Sunderland u transferua te Galatasaray, me të cilin klub nënshkroi një kontratë katërvjeçare.
“Në fillim nuk e kam pasur të lehtë, sepse kam ardhur prej një kulture të futbollit në një kulturë tjetër. Besoja se kur do t’i luaj tri-katër ndeshje radhazi, do t’i përmirësoja paraqitjet e mia, gjë që edhe ndodhi. Jam i bindur se tifozët do ta shohin një Lorik Canë më të mirë. Por, nuk mjafton vetëm një Canë ose Milan Baros, por për sukses na duhet që secili futbollist ta japë maksimumin e vet”, ka vazhduar Cana.
Ai është shprehur i lumtur me faktin që ka nisur të hyjë në zemrat e tifozëve të Galatararayt, ashtu siç ishte edhe idhull i tifozëve anglezë të Sunderlandit dhe atyre francezë të Marseilles.
“Olimpique Marseille për mua është një përvojë më ndryshe nga të tjerat. Marseille ka një meritë të jashtëzakonshme në zhvillimin tim si njeri dhe si futbollist. Marseille gjithmonë do ta ruaj pozitën e parë në zemrën time”, ka përfunduar Cana.
Mesfushori kosovar ka premtuar se gjatë kësaj vere në Kosovës do ta sjellë gjigantin turk Galatasaray për ta zhvilluar një ndeshje miqësore me përfaqësuesen kosovare.