Shaqiri nuk largohet
Edhe pse klube të mëdha evropiane kanë shprehur interesim që ta transferojnë gjatë janarit, Xherdan Shaqiri ka vendosur që mos të lëvizë nga skuadra e Baselit, të paktën deri në verë.
Për herë të parë, mesfushori shqiptar e ka shprehur dëshirën për të qëndruar te kampioni i Zvicrës. 19-vjeçari konsideron se është herët që ta lërë skuadrën zvicerane, me të cilën ka kontratë deri në vitin 2014.
Mirëpo, ai garanton se do të mbetet në Zvicër vetëm deri në verë. “Do të luaj në Basel deri në fund të sezonit. Unë kam kontratë deri më 2014”, deklaroi futbollisti gjilanas për tabloidin zviceran, Blich.
Ndërkohë, përfaqësuesi zviceran e ka hedhur poshtë mundësinë e takimit me drejtorin sportiv të Bayern Munchenit, Christian Nerlinger, siç shkruanin mediat gjermane dhe ato zvicerane.
“Më ka ardhur për të qeshur kur e kam lexuar në internet këtë gjë. Unë në atë kohë kam qenë në Londër për shoping me vëllanë tim, për Krishtlindje. Me Bayernin nuk kam pasur kurrfarë takimi”, vazhdoi ai.
Madje, Shaqiri po mendon qysh tash për ndeshjen e parë të sezonit pranveror, atë të 6 shkurtit ndaj Thunit të dyshes shqiptare, Milaim Rama e Muhamed Demiri. E pastaj edhe për objektivin e Baselit këtë sezon.
“Jemi të gatshëm ta nisim vitin menjëherë me një fitore. Duhet të shpallemi sërish kampionë, sepse këtë e meritojnë fansat tanë”, thotë futbollisti ofanziv, i cili nënvizon se nuk mund të rrijë më shumë se një javë pa top.
Pas këtyre deklaratave, kanë arritur edhe fjalët lavdëruese për Xherdanin nga trajneri Thorsten Fink, i cili vitin e kaluar shpeshherë e ka thumbuar reprezentuesin e Zvicrës, për paraqitje jo të mira.
“Unë e mbështes mjaft Shaqirin. Vetëm në këtë mënyrë, djaloshi mund të ketë suksese ndërkombëtare”, deklaroi Fink.
Nëse jo në janar, Shaqiri pritet të largohet nga Baseli gjatë verës. Interesim për shërbimet e talentit kosovar kanë shfaqur Bayern Munchen, Hamburg, Wolfsburg, Dortmund, Manchester United, Liverpool, Juventus e Inter.