Dëshiron të mbetet në Galatasaray

Ditëve të fundit mediat italiane dhe ato turke kanë raportuar se transferimi i Lorik Canës nga Galatasaray në Lazio është punë e kryer dhe se mungon vetëm zyrtarizimi i kësaj lëvizjeje.
Por mesfushori i Kombëtares shqiptare, i cili po qëndron në vendlindjen e tij për pushime, në një intervistë dhënë agjencisë së lajmeve turke DHA, ka mohuar kalimin te klubi romak.
“Për momentin po flitet shumë për transferimin tim por nuk ka asgjë rreth asaj pune. Ende jam futbollist i Galatasarayt edhe kam kontratë edhe tri vjet. Për mua është privilegj dhe krenari të jem futbollist i Galatasarayt”, ka thënë Cana.
Ish-futbollisti i Marseilles dhe Sunderlandit ka treguar se pasi të kthehet në Turqi, do të bisedojë me trajnerin Fatih Terim dhe me drejtuesit e rinj të klubit turk rreth të ardhmes së tij.
“Për momentin në planet e mia nuk ka ndryshim. Ndoshta mund të largohem vetëm në të ardhmen. Për momentin nuk ka asgjë të sigurt por kjo nuk do të thotë që do të largohem nga Galatasarayt. Dua të mbetem, por me rëndësi janë planet dhe rëndësia e klubit”, ka theksuar Cana.
Mediat turke dhe ato italiane tash e një kohë të gjatë po raportojnë rreth transferimit të Canës nga gjiganti turk A te klubi romak. Ditë më parë thuhej se 27-vjeçari në Lazio do të luajë pesë viteve të ardhshme, derisa do t’i përfitojë nga 1.7 milion euro për çdo sezon – që i bie rreth 800 mijë euro më pak sesa që i merrte në Stamboll te Galatasaray, i cili klub sivjet e pati sezonin më të keq në histori.
Mirëpo, sipas mediave të italiane, mbetet e paqartë se a do ta transferojë Lazio kosovarin në formë huazimi dhe më pas t’i paguajë Galatasarayt dëmshpërblimin prej rreth 4 milionë eurosh, apo në vend të parave t’ia ofrojë gjigantit turk portierin Fernando Muslera.
Vendos javën tjetër
Ndërsa babai i mesfushorit kosovar, Agim Cana – i cili njëherësh është edhe menaxher i 27-vjeçarit, ka theksuar se e ardhmja e reprezentuesit të Shqipërisë pritet të mësohet shpejt, përkatësisht gjatë javës që po vjen.
“Loriku aktualisht është futbollist i Galatasarayt, me të cilin klub ka kontratë. Ende nuk ka asgjë zyrtare. Pra, ai aktualisht është lojtar i Galatasarayt. Mirëpo, gjithçka rreth të ardhmes së Lorikut do të mësohet në javën e ardhshme”, ka thënë Agim Cana për Express të premten.