Kreu i LSI, Ilir Meta, hedh përsëri në gjyq të përditshmen italiane, “La Republica”

LSI paralajmëron se do padisë në Gjykatë gazetën italiane “La Republica”, për shpifje ndaj Ilir Metës. Përmes sekretarit të marrëdhënieve me publikun në këtë parti Ardit Çela, LSI do të angazhojë një studio ligjore në Romë për të hapur një tjetër proces gjyqësor ndaj kësaj gazete. “Kjo gazetë jo-serioze, e cila është dënuar edhe më parë për shpifje dhe manipulime ka guxuar përsëri të fabrikojë një të ashtuquajtur intervistë të z. Ilir Meta, me qëllim interesash të luftës së brendshme politike në Itali”- u shpreh Çela. Sipas tij, “Meta jo vetëm që nuk e ka dhënë apo autorizuar një intervistë të tillë, por një personi që e ka telefonuar atë në emër të gazetës këtë javë, i ka bërë të qartë se do të pranonte të jepte një intervistë për La Republica, vetëm pasi kjo e fundit të kishte botuar vendimin e Gjykatës, që dënon gazetën”. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI konfirmoi edhe një herë, në emër të z. Meta, se drejtuesi i gazetës “L’Avanti”, z. Lavitola, të cilin sikurse ka deklaruar më parë, z. Meta e njeh prej kohësh si përfaqësues të medias italiane, ka qenë i pranishëm në një konferencë shtypi gjatë vizitës zyrtare të z. Meta në Romë, ashtu si edhe shumë gazetarë të tjerë. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me z. Frattini, është përshëndetur me z. Lavitola, ashtu si me shumë gazetarë të tjerë italianë dhe shqiptarë, në hollin e ambienteve të konferencës. “Makinacionet dhe fabrikimet e segmenteve të caktuara për të manipuluar të vërtetën, me qëllim dëmtimin e figurës së z. Frattini, janë të papranueshme për z. Meta, pasi z. Frattini ka dhënë një kontribut të vecantë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për liberalizimin e vizave për të gjithë shqiptarët, duke qenë njëkohësisht arkitekt i Udhërrëfyesit të këtij procesi të rëndësishëm”- tha Çela. Sipas LSI, Gjykata italiane e ka dënuar 3 herë gazetën italiane La Republica me gjobë 50,000 euro për t’iu paguar z. Ilir Meta për shpifje ndaj personit të tij, si dhe detyron këtë gazetë të kërkojë falje publike, të botojë vendimin e Gjykatës, si dhe të paguajë të gjitha shpenzimet legale të seancave gjyqësore.
...