E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmi të rreme mbi “qytetin e argjendtë”?!



Artikulli i shkruar në fillim të këtij muaji në revistën prestigjioze amerikane “Archaeology”, organ i Institutit Arkeologjik të Amerikës, që ka për autor Oliver Gilkes (universiteti i East Anglia, si dhe këshilltar i Organizatës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës – GCDO (Fondacioni “Gjirokastra”) ka ngjallur reaksione kundërshtuese nga specialistët e monumenteve shqiptare, duke përgënjeshtruar shumë fakte të shkruar për qytetin e Gjirokastrës. Loren Bejko, ish-drejtor i Institutit të Monumenteve, pedagog dhe specialist në arkeologji, i është drejtuar revistës amerikane me një letër ku tregon shtrembërimet që Gilkes ka bërë në artikullin e tij mbi disa të dhëna shkencore, profesionale dhe aktivitete menaxhuese në Gjirokastër.

Letra prek disa çështje të rëndësishme, duke u konsideruar prej Bejkos si qendrore, për të mbrojtur qendrën historike të Gjirokastrës - qytet që është shënuar në sitin e trashëgimisë botërore qysh në 2005. Bejko në letër shkruan se artikulli i Gilkes përmban shumë pasaktësi, ku disa prej tyre i takojnë karakterit historik, dhe të tjerat më konceptuale. Pasaktësitë historike, sipas Bejkos, përfshijnë deklarata të llojit se vendi i themelimit të Antigonesë dhe mbretërimi i mbretit Piro të Epirit në vend të shekullit të katërt duhej shënuar shekulli III; po ashtu shtëpia e Angonate është shënuar si e ndërtuar në shekullin e 20-të, kur kjo ka datën e caktuar për ndërtim që i takon vitit 1881; ose duke dhënë shqyrtime të përgjithshme mbi karakteristikat e pazarit të Gjirokastrës i vendos ato në shekullin e 18-të, kur këto u zhvilluan një shekull më herët. Më shumë shqetësuese, sipas letrës së specialistit të monumenteve, janë disa deklarata të tjera jokonsekuente dhe të pakëndshme në deformimin e realitetit në sitin e trashëgimisë botërore.

Autori pretendon të ketë vizituar për herë të parë Gjirokastrën në vitin 1994 dhe ka pasur përshtypjen e një “qyteti otoman të shekullit të 19-të, të ruajtur mirë”.

Bejko shtron në letrën e tij pyetjen se autori i shkrimit në revistën amerikane përdor shpesh termat “qytetin otoman”, “feudali otoman”, apo “thesar otoman”, si dhe “pazar otoman”?! Po ashtu Bejko kërkon në këtë debat dhe sqarimin pse Gilkes, duke iu referuar një qyteti, një shtëpie banimi dhe arkitekture që ka specifikën dhe formë të veçantë, nga këtu bën identifikimin e zejtarisë shqiptare.

Bejko sqaron se artikullshkruesi në revistën amerikane jep informata të gabuara edhe si këshilltar i OJQ-së, vendosur në Gjirokastër (Gjirokastra Conservation and Development Organization), e cila operon në këtë qytet prej vitit 2001, në përpjekje për të mbrojtur qendrën historike të qytetit. Bejko i shkruan si përgjigje bordit të revistës amerikane, se Gilkes përmes shkrimit jep përshtypje të gabuara, duke përdorur dhe faktin si këshilltar i OJQ-së.

Shumë fakte janë dhënë të deformuara, shkruan Bejko. Kush punon në Gjirokastër, shkruan ndër të tjera Bejko, e di shumë mirë të vërtetën. Specialist i monumenteve në këtë përgjigje i referohet faqes zyrtare, web-site të UNESCO-s në Venecia, për të kuptuar se është UNESCO me fondet e akorduar nga qeveria shqiptare, që punon ngushtë me Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe strukturat lokale për të ruajtur trashëgiminë botërore dhe që mbikëqyret nga shumë projekte dhe aktivitete.

Për Bjekon është, gjithashtu e patolerueshme, dhe cinike mënyra se si autori përshkruan në revistën amerikane mbrojtjen dhe përpjekjet e bëra nga kolegët e tij, të brezave të mëparshme gjatë sistemit komunist (pra para viteve ‘90-të). Bejko ka kundërshtuar me një ton rebelues faktin se këto specialistë të vjetër të monumenteve, përkundër shkruan Gilkes, nuk i kanë lartësuar imagjinatën dhe portretin e Enver Hoxhës me punën e tyre. “Ata janë akuzuar pa asnjë argument nga një person që di shumë pak mbi teorinë dhe praktikën e ruajtjes e ndërhyrjes në qendrën historike të Gjirokastrës. Si ish-drejtor i Institutit Shqiptar të Monumenteve të Kulturës kam pasur mundësi të rrallë, për të vlerësuar progresin profesional, dhe serioz të kolegëve të mi të vjetër, për të mbrojtur ligjërisht qendrën historike të Gjirokastrës më herët se në vitin 1961, si dhe prodhimin e një plani menaxhues efektiv dhe impresionues. Shkalla e lartë e aktivitetit të ruajtjes dhe konservimit të qytetit ka qenë e bazuar në parimet e kartës së Venecias të vitit 1964, duke i kushtuar vëmendje të veçantë çështjeve të tilla, si dhe vlerësimit të fazave të ndryshme të ndërtimit të pronës, origjinalitetit, të kujdesshëm në përzgjedhjen e materialeve konservuese, integrimin e monumenteve historike në jetën moderne, dhe veçanërisht mirëmbajtjen e vazhdueshme, si dhe procedurat më të mira të ruajtjes, duke në vijim të kategorizimit të monumenteve dhe planit menaxhues”, thuhet në letrën e Bejkos. Në artikull i lihet të nënkuptojë lexuesi se ndryshimet në Gjirokastër kanë ardhur si kontribut i OJQ-së, prej nga ka marrë këshillat e Gilkes. Kjo është jashtëzakonisht e gabuar - shkruan Bejko. “Ai nuk ka kuptuar asgjë prej fillimit të ruajtjes dhe filozofisë së projektit aktual. Si drejtor i Institutit të Monumenteve në kohën e formulimit të këtij projekti kam punuar me kolegët e mi dhe partnerët tanë të UNESCO-s. Zyra e UNESCO-s në Venecia dhe Instituti Shqiptar i Monumenteve të Kulturës janë të vetmet institucione specifike për mbikëqyrjen e këtij projekti të ruajtjes dhe të tjerave kudo në Gjirokastër. Sigurisht autori i shkrimit nuk e ka këshilluar OJQ-në për këtë”, - drejtohet Bjeko editorëve të revistës amerikane specifike për arkeologjinë, duke përgënjeshtruar edhe një herë faktet mbi këtë shkrim nga Shqipëria për Gjirokastrën. Në pyetje të artikullit Bejko aludonte pyetjet: Pse gjithë këto deklarata të rrejshme? Për cilët janë drejtuar këto? A përfaqësojnë këto një publicitet për Shqipërinë dhe trashëgiminë e saj, apo thjesht për “përpjekjet gjigande”, të OJQ-së që ka këshilluar autori i “në shpëtim të qytetit të argjendtë”? A është kjo drejtuar vetëm donatorëve apo për të tjerë donatorë të mundshëm? Pse japin gjëra të rreme? Pse japin histori të rreme rreth institucioneve lokale dhe profesionale? A është dikush duke u përpjekur, për të shitur produkte të rreme për të tërhequr më shumë fonde për më shumë produkte false dhe më tepër fonde për to? A nuk e kemi mësuar mësimin disa muaj më parë se shitja e produkteve financiare të rreme prodhon një krizë globale? Në mbyllje të letrës drejtuar editorëve të revistës “Arkeologjia”, Bejko pohon se “sektori modest i trashëgimisë kulturore, ndoshta nuk është në gjendje të provokojë një krizë financiare globale, por ka një krizë morale që kërkon vëmendjen tonë”.

V.M

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›