PD-PDI, një marrëveshje e natyrshme
Nga Hyqmet Zane
Si pjesëtar i komunitetit çam dhe me një kontribut të njohur publikisht, jam ndier mirë kur kam parë se si mes PD-së dhe PDI-së u nënshkrua një marrëveshje elektorale për koalicion mes dy partive. Shtrëngimi i duarve mes Sali Berishës dhe Tahir Muhedinit m’u duk një nga marrëveshjet më të natyrshme që ishte e pritshme për gjithë komunitetin çam kudo në Shqipëri që e ndien dhe e gjen veten mes së djathtës dhe jashtë së majtës. Kjo ka një domethënie historike, sepse komuniteti që është persekutuar më shumë nga e majta dhe trashëgimtarët e tyre legjitimë, janë çamët. Kush mund të thotë se çamët nuk u cilësuan armiq, të pabesë, qytetarë të dorës së tretë e çfarë nuk u është thënë atyre nga diktatori Enver Hoxha dhe e gjithë shpura e Sigurimit të Shtetit. S’ka nevojë për t’i thënë unë se çfarë nuk pësoi komuniteti çam gjatë 45 viteve të diktaturës komuniste, se të gjithë ne i provuam ato. Një popull i tërë me ndjesi komuniste të papara u bë agjitpropi më i zellshëm kundër komunitetit çam sa fjala “çam” cilësohej turp kombëtar nga enveristët, sa paranojat e asaj kohe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Vetëm një fakt mund të kujtoj, se si grupi i çamëve me emrin e Teme Sejkos dhe i Tahir Demit, siç njihet, ende nuk ka fituar pafajësinë, por ata mbeten “armiqtë e popullit” të bijve pasardhës të diktaturës që realisht gjenden tek e majta. Një ish-sigurims që më erdhi një herë në zyrën e punës për një hall të tijin, në koenfidencë më thotë: “Ishte i vetmi gjyq që u bë me altoparlant dhe ne kishim urdhër sekret që të krijonim skuadra spiunësh që të shpërndaheshim në çdo qytet që banonte komuniteti çam dhe në çdo lokal apo mjedis publik të hidhnin fjalë fyese për çamët se ata u bënë tradhtarë e të tjera broçkulla të tilla që i besonin vetëm sigurimsat, se bijtë e Çamërisë që kishin kontribute për vendin u trajtuan në mënyrën më mizore sa nuk mund të rrëfehet, që nga shkelja në tokën e cilësuar shqiptare, por që drejtohej nga joshqiptarët, miq e shërbëtorë të Enverit”. Ky “i penduar” sigurims, që mbetej i tillë, se ishte një pendesë vetëm për një interes që ai kishte në momentin kur i bëmë këto fjalë, pohoi atë që ne e kemi provuar mbi kurrizin tonë, nëse këtë nuk e kanë provuar ata që shqetësohen pse çamët lidhen me të djathtën, por që kanë qenë të përkëdhelurit e sistemit
Kuptova shumë nga kjo bisedë dhe desha ta cilësoja sot se më ka vrarë veshin një prononcim i deputetit socialist, Shpëtim Idrizi, që e kam njohur si të tillë vetëm kur kërkoi nga Tahir Muhedini të ishte mes çamëve për të drejtat e tyre. E kam parë edhe në Qafë-Botë me deklaratat që ka bërë me zellin e një njeriu që një ditë u gdhi çam se si të tillë e kam njohur veç në këto 2-3 vitet e fundit, se kur ishte miku i Fatos Nanos, ai nuk ishte çam.
I nderuar zoti deputet i PS-së, Shpëtim Idrizi, prononcimi juaj kundër PDI-së dhe Tahir Muhedinit, ishte një zbulim i pjesës suaj të padukshme. Ju e keni parë PDI-në dhe angazhimin tuaj mes çamëve vetëm e vetëm për t’i dhënë së majtës vota dhe jo se e majta e trashëgimtarëve të Enver Hoxhës, ku bën pjesë edhe ti, jo vetëm që është po ajo e viteve pas 1961-shit, kur u vranë bijtë e Çamërisë, por lideri yt i së majtës as që do të dijë ndonjëherë për komunitetin çam se ai është përfaqësues i atij grupimi që nuk e lënë të bëjë gabime duke përkrahur çamët. Nëse ju si një njeri keni kurajën të përballeni me të vërtetat historike, pyeteni një herë Edi Ramën se ç’mendon për zgjidhjen e çështjes çame, por të nxjerr ty të vjellësh vrer kundër vëllait tënd, që asnjëherë nuk të ka thënë një fjalë, edhe pse ke qenë majtas. Bile në bisedë me Muhedinin, kur i thosha se përse lidhesh me këta tipa që kanë harruar se janë çamë, ai më kundërshtonte me moton se kemi gjëra për t’u bashkuar dhe jo për t’u ndarë. Por nuk e prisja kurrë që ti të bëheshe zëdhënës i antiçamëve, se para së gjithash nuk të kam parë e takuar ndonjëherë për aq kohë sa unë që nga themelimi i shoqatës “Çamëria” më 10 janar 1991, nuk ju kam parë ndonjëherë në aktivitete, veç këto vitet e fundit që duken sheshazi se janë thjesht për interesat e tua personale dhe jo për ato të komunitetit çam. Ju, zoti Idrizi, nuk përfaqësoni askënd, veç vetvetes. Nëse Tahir Muhedini ka bërë një lëvizje të menduar, atë e bëri pikërisht këto ditë duke u bërë përfaqësuesi i një komuniteti që realisht e shpirtërisht është djathtas, kurrë majtas.
Artikulli “Aleanca me Berishën shkon kundër interesave të çamëve”, i botuar në një të përditshme, m’u duk një turp i vërtetë, si të ishte shkruar nga një njeri i specializuar nga strukturat e “dorës së ngrohtë” që do të hedhë limontoz në qumështin e punëve që janë bërë nga komuniteti çam gjatë këtyre viteve të demokracisë në shërbim të zgjidhjes së çështjes çame. Nuk jua kam dëgjuar ndonjëherë emrin apo mbiemrin (shpresoj të mos jetë pseudonim), por t’i vendosësh vetes epitetin “çami”, kjo do të thotë që të jesh vërtet i tillë. Por me këtë shkrim që keni bërë ju zotëri, keni treguar maksimalisht një urrejtje ndaj gjithçkaje që është bërë në këto vite në bashkëpunim me qeverisjen demokratike që vendosi që më 1994-n që dita e 27 qershorit të jetë “Dita e Gjenocidit ndaj Shqiptarëve të Çamërisë nga Shovinizmi Grek”. Rrjedhat e ngjarjeve që kanë marrë punët e këtij vendi dhe vendosja e disa pikave mbi “i” që po i bëhen Shqipërisë dhe kombit shqiptar, kërkojnë edhe një situatë të mençur në qëndrimet ndaj fqinjëve veçanërisht, sidomos me grekët, po të kemi parasysh se kemi të bëjmë me një shtet që ka qenë i përkëdheluri i Evropës dhe e Amerikës, paçka se i ka humbur tashmë kredencialet, politika e do po aq sa edhe diplomacia e kërkon që burrat e shtetit shqiptar që nga Presidenti, Kryeministri, kryetarja e Parlamentit, por edhe politika e diplomacia në përgjithësi duhen të tregohen të kujdesshëm në çdo deklaratë e veprim. Të gjitha ato që ju zoti Bashkim që mbillni përçarje, janë një gjellë e kuzhinave të vjetra që prodhojnë asortimente që nuk ka stomak që t’i asimilojë, se janë bastarditete që nuk i pranon kush më. Po ti Bashkim kush je, ku je, çfarë ke bërë për çështjen çame, ku ke fjetur dhe ku je zgjuar gjatë kësaj kohe, se më duket se ta kanë prishur gjumin bashkimet e sinqerta të një komuniteti që kërkon fitoren e zgjedhjeve për të hapur një faqe të re në marrëdhëniet mes së djathtës. Mjafton fakti që një marrëveshje e tillë koalicioni u bë dy ditë pasi kishte bërë vizitën Karamanlisi dhe u bë një zhurmë e madhe propagandistike denoncimesh amatoreske, kur tashmë Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe çdo marrëdhënie e këtij vendi me shtetet fqinje, aq më tepër me ato që janë pjesë të euroatlantizmit, i kanë të përcaktuara qëndrimet dhe detyrimet. Ndaj, çdo përmendje e atyre dashakeqësive që ju i thoni si të ishit njeriu që po mbani mbi shpatulla hallet e çamëve, janë qëndrime donkishoteske të njerëzve që dalin vetëm në ato raste kur marrin porosi si hyzmeqari nga agai. Puna dhe kontributi i shumanshëm i kryetarit të PDI-së, Tahir Muhedini, meritojnë një herë vlerësim dhe jo përçmim nga anonimët, që veç u kontribuojnë punëve të zeza dhe që çojnë ujë në mullirin e millonait dhe i vë çamët në një pozicion që nuk e dëshirojnë. Çamët janë të djathtë dhe këtë nuk e përcakton as ti Shpëtim Idrizi, as ti Bashkim Laraku, por janë vetë çamët që e kanë përcaktuar që në fillimet e demokracisë dhe s’ka se si të bëhet ndryshe. Veç majtas çamët nuk mund të shkojnë kurrë. Kështu si Shpëtim Idrizi apo Bashkim Laraku do të fliste çdo socialist që nuk do zgjidhjen e çështjes çame, por kërkon vota nga çamët. Unë kam bindjen se çdo pjesëtar i komunitetit çam do të shkonte dhe do t’i shtrëngonte dorën Tahir Muhedinit, pikërisht për këtë koalicion të pritshëm dhe të nevojshëm, ashtu si kryetari i PDI-së i shtrëngoi dorën Berishës në një betejë me të majtën që kërkon të na lërë pas si në kalendat greke.