Dëshmia: Punonjësit e Albademil-it në Gërdec punonin në të zezë
Laureta Rryçi
TIRANË - Punëtorët në fabrikën e Gërdecit nuk ishin të siguruar. Kështu deklaroi dje në sallën e gjyqit ekonomistja e firmës “Albademil”, që kishte marrë përsipër dhe demontimin e municioneve. Valbona Lloha, e thirrur si dëshmitare e akuzës, rrëfeu dje në sallën e gjyqit detaje interesante për procesin gjyqësor. “Nga 160 punonjës, vetëm 37 prej tyre ishin të siguruar, ndërsa pjesa tjetër punonin në të zezë në fabrikën e tmerrit, shpërthimi i së cilës më 15 mars 2008 u mori jetën 26 personave dhe mbi 300 të tjerë u plagosën”, - deklaroi dëshmitarja. Ekonomistja dëshmoi dhe fakte të tjera të rëndësishme për aktivitetin e kompanisë dhe të presidentit të saj, Mihal Delijorgji.
Dëshmia
Sipas dëshmitares, dy ditë pasi kishte ndodhur shpërthimi, më 17 mars 2008, në cilësinë e ekonomistes kishte derdhur në llogari të kompanisë “MEICO” një shumë prej 400 mijë dollarësh, që, sipas saj, ishte shuma që Albademil i detyrohej MEICO-s për blerjen e fishekëve, që më pas demontoheshin në Gërdec. Sipas dëshmitares, shuma kishte mbetur e palikuiduar që në 2007-n. Për t’iu shmangur penaliteteve të tjera, Delijorgji ka derdhur këtë shumë me qëllim mbylljen e të gjitha likuiditeteve dhe detyrimeve si ndaj MEICO-s, ashtu dhe institucioneve të tjera shtetërore. Ekonomistja nuk ka mundur të mbyllte likuiditetet me kompanitë e sigurimeve për punonjësit, pasi nuk është lejuar nga oficerët gjyqësorë.
Sipas Llohës, po në të njëjtën ditë, oficerët e Policisë Gjyqësore e kishin penguar të shlyente edhe 25 mijë euro sigurime shoqërore për punonjësit e Albademil-it, shumë e cila u sekuestrua prej tyre. Dëshmitarja tregoi para gjykatës se numri i punëtorëve të siguruar në pikën e demontimit në Gërdec ishte i ulët, ndërsa nuk kishte dijeni për kontratat e punës. Ajo dëshmoi se nuk kishte dijeni edhe për punonjës të veçantë të punësuar në Gërdec, si rasti i Muhamet Hoxhës, baxhanakut të kryeministrit Sali Berisha.
Procesi
Gjyqi për tragjedinë e 15 marsit të vitit 2008 në Gërdec, ku mbetën të vrarë 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë, është një nga proceset më të mëdha gjyqësore të hapura në vend. Për tragjedinë e 15 marsit 2008 prokuroria ka dërguar në gjykatë dosjen me 28 të pandehur dhe akuzoi për shpërdorim detyre ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, aktualisht ministër i Mjedisit. Por, Gjykata e Lartë vendosi të pushojë çështjen ndaj Mediut pasi ai është veshur me mandatin e deputetit nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Familjarët e viktimave të tragjedisë së 15 marsit 2008 në Gërdec dorëzuan në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzim penal ndaj ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu, mirëpo ende nuk kanë marrë një përgjigje zyrtare se çfarë ka ndodhur me kallëzimin e tyre. Ata kërkojnë rihapjen e çështjes ndaj Fatmir Mediut. Të pandehur që gjykohen në gjendje të lirë janë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha; zëvendësi Agim Lala, Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Ramadan Tartari, Ndue Marku, Ardian Mullahi, Adriatik Mema, Shkëlzen Madani, Dashnor Çaushaj, Zenun Fero, Hysni Coçka, Hilmi Laçaj, Fari Toska, Rezart Tërshana, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fiqiret Mato, Lavdi Shatro, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi. Ish-drejtori i kompanisë shtetërore “MEICO”, Ylli Pinari, administratori i kompanisë "Albademil", Mihal Delijorgji, ish-drejtori Teknik i fabrikës së çmontimit të municioneve, Dritan Minxolli, si dhe ish-punonjësi i MEICO-s, Sokol Gjeçi, janë në gjendje arresti.
Prangoset 26-vjeçari, prodhonte armë luftarake artizanale
DURRËS – Prodhonte armë luftarake në mënyrë artizanale, por arrestohet në flagrancë.
Policia e Durrësit njoftoi se në orën 02:00 të mëngjesit të së hënës prangosi në shtëpinë e tij, në Lagjen Nr. 6, në qytetin bregdetar, shtetasin me iniciale A. T. Sipas saj, i arrestuari kishte kryer tetë klasë shkollë dhe ishte i padënuar më parë. Në bazë të informacioneve në rrugë operative, në mbrëmjen e 3 korrikut, policia e Durrësit kishte kryer kontroll në këtë lagje në Durrës dhe 26 vjeçarit iu gjet një armë zjarri artizanale në formë stilolapsi, të cilën e mbante pa leje. Kjo u ka mjaftuar oficerëve të policisë së Durrësit që të lëshojë urdhrin e arrestit ndaj 26-vjeçarit A. T., i cili tashmë po ndiqet penalisht për prodhimin e armëve luftarake dhe mbajtjen e tyre pa leje.
Mosha e pensionit ngre në protestë minatorët
BULQIZË - Sindikata e Minatorëve të Bulqizës i kërkon takim kryeministrit Sali Berisha për të zgjidhur problemet që i shqetësojnë prej kohësh. Minatorët ngrenë zërin për ndryshimin e moshës së daljes në pension, që me gjithë kërkesat dhe protestat e vazhdueshme të tyre, nuk ka gjetur zgjidhje. Ata nuk bien dakord me vendimin e Këshillit të Ministrave që parashikon shtesë në pagë për minatorët mbi 50 vjeç.
Një tjetër problem për të cilin minatorët kërkojnë ndihmë nga kryeministri është sigurimi i një mjeku, i domosdoshëm në rastet e aksidenteve në punë. Ndonëse në këtë qytet ndodhin shpesh aksidente në minierë, Spitali i Bulqizës nuk ka një mjek reanimator.
Shpallet në kërkim, qëlloi me armë ndaj vjehrrit
TIRANË – Forcat e policisë së Tiranës kanë shpallur në kërkim 36-vjeçarin Olsi Karagjozi, lindur dhe banues në Laprakë, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri duke plagosur rëndë një person. Lajmi konfirmohet nga Policia e Tiranës, sipas së cilës, i ndaluari mban inicialet B. C., 56 vjeç. Konflikti ndodhi në fshatin Çezmelie të Shijakut, në banesën e vjehrrit të tij. Mësohet me detaje se që të dy janë grindur për motive të dobëta dhe dhëndri më pas ka qëlluar me pistoletë në gjoks vjehrrin e tij duke i shkaktuar plagë të rënda dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkaq, i dëmtuari është dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës ku aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa grupi hetimor, i cili ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes, ka kryer të gjitha veprimet e para dhe po punohet me intensitet për kapjen e autorit të ngjarjes. Materialet për veprën penale të vrasjes me dashje të mbetur në tentativë dhe mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake i kaluan për ndjekje Prokurorisë së Durrësit.
Bojaxhi: “Do të rikthehemi në Hamallaj”
TIRANË - Nuk ka kthim pas në vendimin për prishjen e ndërtimeve pa leje jo vetëm në Hamallaj, por edhe në çdo vend tjetër ku objektet nuk janë pjesë e procesit të legalizimit. Ajo që pritet është që Policia e Shtetit të bëjë gati planin e masave, pasi ndërhyrja sërish në Hamallaj është çështje ditësh. “Po presim policinë që të jetë gati, në mënyrë që ne të vijojmë punën tonë. Ato ndërtime aty nuk janë pjesë e ligjit të legalizimit, madje disa prej tyre janë ndërtuar pas viteve 2006-2007”, - u shpreh kryeinspektori i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik, Gjergji Bojaxhi. Sipas tij, bashkëpunimi me policinë është një moment që ka nevojë për përmirësim. Ndërsa mesazhi për banorët e zonës së Durrësit, ku do të vijojë aksioni, është i qartë. “Mbi 400 objekte pa leje që shtrihen përgjatë zonës bregdetare të Durrësit do të prishen”, - theksoi zoti Bojaxhi.
Pak ditë më parë, në komunën Hamallaj, në qarkun e Durrësit, u krijua një situatë e pazakontë, ku banorë të zonës i bënë rezistencë të fortë policisë për të mos prishur ndërtimet pa leje, aksion ky që mund të konsiderohet një dështim i uniformave blu, pasi disa efektivë u plagosën nga banorët gjatë detyrës.
6 Korrik 2010