Nisin shërbimet në Qendrën e Dializës Pediatrike ne QSUT
Lizeta Duro
Vitet e fundit numri i fëmijëve që vuajnë nga insuficienca renale, siç quhet ndryshe sëmundja në veshka, i kalon 110 të tillë. Një pjesë e tyre kanë mundur të kurohen jashtë vendit tonë në rrugë private ose shtetërore, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë. Por disa prej tyre në pamundësi financiare për t’iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale apo transplantit janë detyruar të jetojnë me shpresë. Për pacientët e vegjël që iu nevojitet shërbimi i dializës nëse nuk merren masa në kohë pasojat mund të jenë fatale sepse mosfunksionimi i veshkave shkakton dhe vdekjen. Shifrat e fundit tregojnë se në vendin tonë rreth 10-15 fëmijë në vit kanë humbur jetën nga sëmundja në veshka.
Pak ditë më parë në QSUT pranë Pediatrisë u çel pavioni i Dializës për fëmijë. Ngritja e këtij pavijoni është financuar nga qeveria turke dhe ka kushtuar 316 mijë Euro. Të pranishëm në këtë inaugurim, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe drejtori i QSUT-së Ilir Dashi e vlerësuan këtë pavijon një zgjidhje për shpëtimin e jetëve të fëmijëve duke i cilësuar standardet e shërbimit që do të ofroi bashkëkohore dhe në nivelet e strukturave simotra në Turqi e në vendet e tjera.
Fillimi i shërbimit, flet shefi i pavijonit Rezar Xhepa
Doktori Rezar Xhepa shprehet se hapja e pavijonit të hemodializës për fëmijë është një nga evenimentet më të rëndësishëm për shëndetësinë shqiptare. Ky shërbim funksionon për herë të parë në vendin tonë dhe na bën koherent dhe me të njëjtat shërbime dhe standarde evropiane. “Ka parametra që e vlerësojnë të nevojshme apo jo dializimin e një fëmijë, pra përpara se një pacient të dializohet kryhen analiza nëse është apo jo veshka në gjendje të kryejë funksionin e saj. Tashmë, neve jemi të gatshëm ti shërbejmë çdo pacienti që do ketë nevojë për Dializë. Në këtë pavijon ekziston një regjistër kombëtar për insuficiencën renale kronike ose siç njihet ndryshe: pamjaftueshmëria e veshkave për të kryer funksionin e saj në mënyrë kronike. Në këtë regjistër, në harkun kohor 5-7 vjet janë rreth 110 fëmijë të regjistruar që kanë ardhur në këtë spitale për të kërkuar shërbimin e Dializës. Gjatë kësaj kohe një pjesë e këtyre fëmijëve mund të jenë kuruar apo kryer transplantin në shtete të tjera si: Italia, Turqia, Greqia apo vende të tjera ndërkohë që fëmijë të tjerë mund të kenë humbur jetën, në pamundësi për tu kuruar për shkak se në vendin tonë shërbimi nuk ishte i gatshëm për këta lloj pacientësh. Në të shumtën e rasteve pacientët janë kuruar jashtë shtetit duke ndjekur rrugën shtetërore, nëpërmjet ministrisë së Shëndetësisë ose me ndërhyrjen e fondacionit për fëmijë i cili drejtohet nga zonja Liri Berisha. U tha që janë 110 fëmijë të regjistruar po kjo nuk do të thotë që të gjithë këta pacientë kanë nevojë për shërbimin e Dializës ashtu siç nuk do të thotë që janë vetëm 110 fëmijë që vuajnë nga insuficienca renale. Mund të ketë edhe të tjerë të sëmurë por që nuk janë të regjistruar,- thotë doktori.
Xhepa tregon se pak ditë para se të hapej Qendra e Dializës për fëmijë humbi jetë një vajzë 12 vjeçare, e pa regjistruar në pavijon, e cila për prindërit ishte një fëmijë i shëndetshëm dhe në momentin që erdhi në spitale rezultoi të ishte në stadin terminal. Në këtë rast thotë doktori sëmundja kishte përparuar shumë, edhe nëse do të bëhej dializa vdekja ishte e pashmangshme. Shërbimi i Dializës është shumë i rëndësishëm sepse ndihmon të kapërcehen situatat akute. Prandaj Ministria e Shëndetësisë e ka trajtuar këtë problem si superior dhe primar, ka kohë që në QSUT funksionon shërbimi i transplantit renal te adultët. Mbas dializimit apo ndërhyrjes pacientët risin kualitetin jetësor edhe pse problemet nuk zhduken tërësisht. Doktor Xhepa shprehet se aktualisht në Qendrën e Dializës Pediatrike po regjistrohen fëmijët. Stafi i këtij pavijoni është i gatshëm dhe ka marrë masa për shërbimin e dializës për të sëmurët akutë.
“Qëllimi i Dializës në vetvete është që t’i ndihmojë pacientët në momentet kritike për jetën por jo të vazhdojnë dializën deri në pafundësi. Janë marrë masa që nëse do të jetë e nevojshme të punohet me dy ose tre turne për t’iu ardhur në ndihmë të sëmurëve që janë në stad terminal. Dializa ruan parametrat vitale të organit të veshkës deri sa pacienti të bëhet gati për zëvendësimin e saj,”- shprehet doktori.
Dializa, një veshkë artificiale por e përkohshme
Aparati i Dializës kryen të njëjtin funksion me organin e veshkës por shërbimi nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Të sëmurët kronikë dializohen në bazë të një programi, një ditë po një ditë jo, deri sa pacienti ti nënshtrohet transplantit. Sa më i dëmtuar të jetë organi i veshkës aq më e shpeshtë është dializa.
Shërbimi i Dializës është zgjidhja për të gjithë fëmijët që vuajnë nga insuficienca renale në vend që shpesh apelojnë për ndihmë edhe në media. Disa prej tyre kanë humbur jetën në pamundësi për tu kuruar jashtë vendit apo sepse nuk kanë mundur ta marrin trajtimin në kohë. Pavioni i hemodializës ishte një financim i Agjencisë Turke për Zhvillim dhe Bashkëpunim (TIKA), me një kontribut prej 316 mijë Euro në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë e cila me të drejtë e cilësoi këtë projekt si prioriteti i shëndetësisë shqiptare.
6 Korrik 2010