Ulje-ngritjet e krizës
Europa ka kaluar një tjetër javë të trazuar, ku shqetësimi i ditëve të para u lehtësua disi, pasi bankat morën më pak hua sesa pritej nga Banka Qendrore Europiane
Pas një fillim jave të tensionuar, lidhur me shqetësimet e rritura për likuiditetin e sistemit bankar tensionet ranë, teksa bankat morën më pak hua sesa pritej nga Banka Qendrore Europiane.
Kjo e fundit i zbuti shqetësimet rreth sistemit bankar të Eurozonës, pasi raportoi shumë më pak kërkesë nga sa pritej për likuiditet emergjent tremujor për të zëvendësuar 442 miliardë euro në hua 12-mujore, që u mbaroi afati të martën e kaluar.
Mungesa e interesit sugjeroi që bankat e Eurozonës ishin më pak të varura nga likuiditeti i pakufizuar nga BQE. Në krahasim me atë që kishin supozuar analistët, vetëm 171 banka morën hua, një total prej 131.9 miliardë eurosh në likuiditet tremujor – krahasuar me parashikimet se kërkesa mund të tejkalonte 300 miliardë euro.
Duke folur në Romë, Jean-Claude Trichet, presidenti i BQE-së, tha se rezultatet e vinin theksin te një “tranzicion sa më të qetë që të jetë i mundur”, duke u larguar nga operacionet 12-mujore të likuiditetit. BQE do që të largojë bankat nga fondet e saj të likuiditetit të emergjencës dhe shqetësimet se furnizimi me likuiditet po vazhdonte për gati një vit, po i shtrembëronte tregjet financiare.
Por politikëbërësit e Eurozonës nuk janë në gjendje të japin një faturë të qartë të shëndetit të sistemit bankar rajonal.
“Ky rezultat duket shumë i mirë në sipërfaqe, por ne nuk e dimë se çfarë fshihet përtej sipërfaqes. Sa ‘cajas’ spanjolle (banka kursimi) ose banka gjermane e kanë përdorur këtë mjet?”, pyet Don Smith, ekonomist në “Icap”.
Me humorin e tregjeve që është ende shumë i luhatshëm, BQE-ja e shikon se kthimi i besimit varet në mënyrë thelbësore nga publikimi i “testeve të stresit” të besueshme për bankat më të mëdha të rajonit – që priten së shpejti – po ashtu dhe nga rezultatet e saj në tregjet e hapura.
“Testet e stresit janë shumë më të rëndësishme për të rikthyer besimin në Eurozonë sesa një tender. Në rast se ato nuk bëhen në mënyrë të qartë dhe të plotë me supozime të besueshme dhe hapje të plotë, do të jetë e vështirë të shihet rihapja e tregjeve të financimit”, tha James Chappell, strategjist financiar në “Olivetree Securities”.
BQE-ja nuk dha detaje se cilat banka kërkuan likuiditete tremujore, por analistët dyshojnë se shumë prej tyre ishin në vende si Spanja dhe Greqia, ku mbajtja e obligacioneve kombëtare qeveritare ishte goditur rëndë.
Gary Jenkins, analist në “Evolution”, tha: “Shifra më e ulët sesa pritej është një shenjë e mirë, por ka shumë shqetësime lidhur me atë se cilës bankë i është dashur të përdorë këtë mjet dhe sa të varura janë ato nga BQE-ja”.
Në fillim të javës, shqetësimet për sistemin bankar u rritën pasi banka për zgjidhjet ndërkombëtare paralajmëroi se ato përballeshin me një detyrë tepër sfiduese rifinancimi. Jane Foley i “Forex.com” tha se frika rreth aftësisë së disa institucioneve në sektorin bankar europian për të gjetur fonde kishte goditur besimin në tregje për javë me radhë.
Në fakt, paqartësia lidhur me atë se cilat institucione mund të kenë shumat më të mëdha të huave me probleme bëri që normat ndërbankare të huasë të rriteshin të martën e kaluar në nivelin më të lartë që nga shtatori.
“Ndërsa BE-ja është përpjekur të qetësojë këto dyshime, duke premtuar të publikojë rezultatet e testeve të stresit, tregu frikësohet se testet e stresit do të detyrojnë disa banka të fshijnë huatë dhe të rrisin humbjet”, tha z. Foley. “Në këtë mjedis, euro pritet të qëndrojë në presion”.
Euro gjithashtu u godit javën e kaluar nga shqetësimet e reja lidhur me shëndetin fiskal të vendeve në periferi të Eurozonës, me koston e sigurimit për mospagim të borxhit spanjoll që arriti afër një niveli të ri rekord.
Euro ra në një nivel të ulët rekord kundrejt frangës zvicerane dhe kuotimin më të ulët prej tetë vitesh e gjysmë kundrejt jenit, si rrjedhojë rritjes së shqetësimeve për sistemin financiar të Eurozonës. Euro e mori veten më pas, pasi shqetësimet u fashitën disi.
6 Korrik 2010