Dëshmia e Almir Rrapos: ja si e vramë Erion Shehun
Kur vëllezërit Krasniqi, Bruno dhe Saimir, erdhën nga Michigan-i në New York në vitin 2002, ata ishin në të njëzetat dhe filluan të vardiseshin në kafenetë shqiptare. Binin në sy, sepse ishin të vetmit që visheshin me kostume. Kjo pak vjet para se të fillonin të njiheshin si dy nga shpërndarësit më të suksesshëm dhe të dhunshëm të marijuanës dhe dy nga gangsterët më të kudogjindshëm të New York-ut. Aso kohe nuk kishin edhe aq para, kështuqë vendosën të grabisnin dikë dhe t’i siguronin kështu paratë. Kjo grabitje shënoi edhe fillimin e tyre.
Tre vjet më vonë ata bënë pre Parid Gjokën, një djalë të ri shqiptaro-amerikan, që ndërkohë ishte me emër në tregtinë e drogës në New York dhe me të cilin Krasniqët bashkëpunuan kur mbërritën së pari. Problemi i Gjokës, sipas një dëshmie të fundit nga një ish-aleat i Krasniqëve, ishte se ai ishte shumë i ndjeshëm.
Almir (Miri) Rrapo, një ish-zyrtar nga Shqipëria që iu bashkëngjit grupit Krasniqi në New York, tha se shenja më dalluese se Gjoka ishte shumë i butë ishte pikëllimi i tij i madh nga humbja e së dashurës, një këngëtare e famshme në Shqipëri, e quajtur Anita Bitri, e cila vdiq bashkë me të ëmën dhe vajzën 7-vjeçare nga helmimi me monoksid karboni.
Rrapo tha se Gjoka “e teproi” me pikëllimin, të qarat, drogimin dhe me varjen në mur të posterave të Anitës. Vetë Gjoka e pranoi këtë gjatë gjyqit të fundit: “Po, flisja më shumë sesa duhet për dashurinë dhe në këtë lloj shoqëri nuk mund ta bësh këtë”.
Rrapo dhe Krasniqët që shoqëroheshin me Gjokën më parë, nuk mendonin se ai e meritonte më respektin e tyre. Por ajo që ndoshta kishte më shumë rëndësi, sipas Rrapos, ata s’e kuptonin se pse ai ishte më i suksesshëm se ata në tregtinë e drogës: “Ai po bënte shumë para [Gjoka thoshte se bënte 5-10 mijë USD në javë] dhe ne mendonim se ai nuk meritonte të bënte gjithë ato para”.
Ndërkohë Krasniqët kishin filluar të tërhiqnin vëmendjen e një baze më të gjerë të krimit të organizuar shqiptar në New York. Dikush i quajtur Erion Shehu (i njohur në rrugë si Lonka), një shok i Gjokës, menaxhonte Astorian, veçanërisht aktivitetin ilegal të kumarit në këtë lokal. Ai ishte i lidhur me një gangster shqiptar që quhej Aleks Rudaj, organizata e të cilit kishte luftuar me familjen Gambino për kontrollin e rrjetit të kumarit në një pjesë të New York-ut. Gjatë operacionit ‘Kali i Trojës’, kur FBI shkatërroi sindikatën e Rudajt, Shehu arriti t’i shmanget arrestimit dhe të vazhdonte aktivitetin. Krasniqët filluan të shkaktonin probleme te baret e Shehut; ata shpenzonin pa paguar asgjë. Gjuanin edhe me armë drejt kulmit.
PARID GJOKA dhe të tijtë u dhanë Krasniqëve 25 kg marijuanë dhe këta refuzuan të paguanin. Gjoka dhe shoku i tij Plaurent Çela shkuan për të takuar Krasniqët dhe grupin e tyre (rreth 10 vetë) para një kafeneje në Staten Island, për të kërkuar paratë. Pas njëfarë debati Saimir Krasniqi tha: “nuk do t’ua japim paratë”. “Je i sigurt?” pyeti Gjoka. “Shumë i sigurt”. “Mirë, se do ta shohim”, ia ktheu Gjoka duke sharë teksa largohej.
Saimiri i kërkoi që, po t’ia mbante, ta shante prapë dhe ai e bëri. Saimiri nxori armën, ia drejtoi Gjokës dhe plasi sherri. Gjoka u kthye te vendi ku vardisej grupi i tij, ‘La Roma Café’ dhe u tha të tijve të bëheshin gati për luftë.
Ata blenë armë nga një shqiptar i quajtur Nebi Braka, njëra prej tyre një Uzi që kushtonte 2 mijë USD. U zhdukën nga qarkullimi, duke lëvizur sa nga një motel në tjetrin. Siguruan një automatik nëpërmjet dikujt që quhej Toni Trashalauqi (Fat Tony). Çela mburrej me “vogëlushen e tij”, një armë 45 me karikator të vogël.
Në korrik 2005 grupi i Gjokës u sinjalizua nga Shehu, të cili i kishte ardhur në majë të hundës me Krasniqët. Bruno Krasniqi ishte në një strip club në Astoria. Gjoka, Cakoni dhe Çela hipën në një furgon dhe shkuan atje. Shehu i ndiqte me Jaguar-in e tij. Ai ishte në telefon më dikë brenda klubit që i jepte informata.
Bruno doli dhe u fut në makinë. Ata e ndoqën duke u përpjekur të gjenin një rast të sigurt për të qëlluar. U afruan sa duhet, pasqyrat e makinave pothuajse u prekën. Gjoka dhe Çela ishin në gjunjë në furgon, duke marrë shenjën Brunon. Kaluan njëzet sekonda. Gjoka nuk qëllonte dot. Atij i kujtohej kur ai dhe Bruno kishin shoqëri, ndanin prostituta, thithnin kokainë, hanin bashkë; atij i kujtohej kur Bruno vinte në apartamentin e tij dhe sesi kish gdhendur emrin në kanapenë e Gjokës.
Gjoka uli armën e vet dhe atë të Çelës. Cakoni u zemërua. “Ti nuk je për këtë, ti s’je për këtë punë”, tha ai. Çela e humbi respektin për Gjokën dhe përplasi derën e makinës kur iku. Gjoka u shpreh si ishte i zhgënjyer me veten që nuk kishte zemër të vriste.
Grupi i Krasniqëve gjithashtu po bëhej gati për luftë, por ata nuk kishin skrupujt të tillë. Bruno shkoi në Detroit dhe bleu armë, jelekë antiplumb dhe municione. Nga 15 armë gjithsej, një prej tyre ishte me silenciator. Disa ditë më vonë pas atentatit të dështuar ndaj Brunos, Krasniqët u sinjalizuan se grupi i Gjokës ndodhej në ‘Café Amici’ në Glendale, një lagje ende plot me italianë, gjermanë dhe europianë lindorë në Queens. Shkuan atje dhe pritën jashtë. Disa prej tyre vunë këmishat në kokë për të mos u dalluar. Ata pritën aq kohë sa merr “pirja e tri cigareve”, dëshmon Rrapo. Më pas u dëgjua “Lonka! Lonka! Lonka!”. Po dilte Erion Shehu.
Krasniqët nuk u ngashnjyen për kohët e vjetra, siç bëri Gjoka. Kasa shkrehu Colt-in e tij; Bruno i cytur nga Saimiri shkrehu 9 milimetërshen. Nja 20 plumba gjithsej. Pastaj u larguan me shpejtësi. Kur mbërritën në Belt Parkway hodhën armët ujë dhe u përqafuan. Rrapo tha se ai po dridhej dhe se ishte nervoz. Kasa iu kthye: Mbaj mend se armën ma dhe ti. Ti je po aq fajtor sa edhe unë”.
Jashtë kafe ‘Amici’ shtrihej kufoma e Lonkas. Çela ishte në gjunjë i tronditur. Cakoni po bërtiste dhe shante policët, të cilëve u kërkonte të thërrisnin një ambulancë dhe të ulnin armët e drejtuara nga ai. (Lonka kishte pasur armë me vete). Cakoni u arrestua. Sipas dëshmisë në gjyq, një polic i solli varësen e Lonkas dhe i tha “ky mori fund”. Të nesërmen Çela, Cakoni dhe Gjoka shkuan në një kishë në Woodhaven Boulevard në Queens. Nuk u futën brenda, por qanë dhe u lutën jashtë.
I ati i Lonkës e dërgoi trupin e të birit në Shqipëri. Çela mori pjesë në varrim. Edhe Almir Rrapo u kthye në Shqipëri. “Tani”, shoqëruesi i Gjokës u largua për në Pennsylvani në shtëpinë e prindërve.