E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndalohen 10 këngëtare shqiptare në Tetovë

TETOVË- Dhjetë vajza nga Shqipëria, të cilat punonin si kamariere apo këngëtare në lokalet e Tetovës janë ndaluar dje nga policia. Agjencitë e lajmeve maqedonase kanë raportuar se Policia e Tetovës ka ndalur dje disa shtetase shqiptare, të cilat akuzohen për qëndrim ilegal në vendin fqinj. Sipas njoftimeve të policisë, gjatë një aksioni të zhvilluar në fshatin Zhelinë, në hotelin e një 39-vjeçari u ndaluan 10 vajza dhe gra shqiptare, të moshave 26 deri 36-vjeç. Së bashku me pronarin e kompleksit, ku ata ushtronin profesionin e tyre, femrat u shoqëruan në rajonin e policisë. Mësohet se vajzat punonin ilegalisht si kamariere dhe këngëtare në lokal dhe për të ushtruar një gjë të tillë në një vend të huaj, nuk ishin paraqitur pranë organeve kompetente të vendit, për të marrë një vendqëndrim. Vajzat tashmë do të përballen me akuzën për qëndrim të jashtëligjshëm në Maqedoni, ndërkohë që ekziston edhe mundësia e ekstradimit të tyre në Shqipëri. Lokalet në zonat shqiptare në Maqedoni janë kthyer kohët e fundit në treg pune për shumë vajza nga Shqipëria, të janë në kërkim të një “skene”. Në Tetovë, e cila banohet në shumicë nga shqiptarët, ky fenomen është më i përhapur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›