Ekzekutohet me një plumb në kokë i penduari i bandës së drogës
Ekzekutohet me një plumb në kokë Aleksandër Koliçi, i penduari i bandës së drogës “Poter-Al”. Atentati ndodhi mbrëmë, rreth orës 22.00, në kohën kur 37-vjeçari Koliçi po ecte në këmbë drejt shtëpisë së tij, në një pallat pranë shkollës “Petro Nini” në Tiranë. Hetues të policisë në vendngjarje i thanë MAPO-s se autori ka shfrytëzuar errësirën në rrugicën ku ndodhej pallati i 37-vjeçarit Koliçi, për të mos u diktuar nga ky i fundit. Këqyrja e trupit të viktimës shpjegon edhe mënyrën e ekzekutimit: Aleksandër Koliçi ka ndaluar rrëzë pallatit, ku ndodhej e parkuar makina e tij. Është ulur për të parë diçka në të, e në këtë moment është qëlluar me një plumb të vetëm në kokë. I bindur për goditjen fatale, autori ka shfrytëzuar më pas rrugicat e errëta të zonës për t’u zhdukur pa lënë gjurmë. Banorët e zonës kanë mbërritur të parët pranë trupit të Aleksandër Koliçit e më pas kanë lajmëruar policinë. Pak minuta më vonë, dhjetëra forca policie kanë mbërritur në vendngjarje, ku edhe nisën hetimet e para për krimin. Të parët janë marrë në pyetje disa persona, banorë të lagjes që ndodheshin në dyqanet ende të hapura aty pranë. “Kemi marrë në pyetje banorët e pallatit, të cilët kanë dëgjuar krismën e pistoletës dhe kanë gjetur përtokë trupin e Koliçit. Askush prej tyre nuk ka diktuar autorin e kësaj ngjarjeje”, - i tha MAPO-s një burim nga vendi i ngjarjes. E kaluara e viktimës ka ngritur edhe pistën e parë të hetimit: Aleksandër Koliçi ishte arrestuar në vitin 2006, në kuadër të një operacioni ndërkombëtar antidrogë, së bashku me 8 persona të tjerë. Hetimet e antimafias italiane për operacionin “Poter-Al” kishin zbuluar se kjo organizatë trafikonte sasi të mëdha heroine drejt Italisë, Gjermanisë e kishte lidhje edhe në Holandë. Asokohe Koliçi u konsiderua si njëri prej anëtarëve të grupit që në Shqipëri drejtohej nga Ilir Koçia dhe Bledar Balliu, por ishin zhvillimet e mëvonshme ato që do ta veçonin Koliçin nga pjesa tjetër e bandës. Në vitin 2008, kohë kur pritej edhe dënimi i kësaj organizate nga Gjykata e Krimeve të Rënda, Koliçi dhe Bledar Balliu firmosin një marrëveshje bashkëpunimi me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Falë këtij pakti, viktima e djeshme u dënua vetëm me 4 vite burg, nga 12 vjet që rrezikonte e pak muaj më vonë u lirua me kusht nga Gjykata e Tiranës. Sipas grupit hetimor, e kaluara e Aleksandër Koliçit në trafikun e drogës është një nga pistat kryesore për zbardhjen e këtij krimi. Nga ana tjetër, policia nuk ka përjashtuar edhe konfliktet e fundit që Koliçi mund të ketë pasur e që mund të jenë motiv i kësaj ngjarjeje të rëndë. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, trupi i viktimës është dërguar në morgun e Tiranës, ku do t’i nënshtrohet autopsisë, ndërsa hetuesit në vendngjarje kanë vazhduar punën me mbledhjen e dëshmive dhe provave për zbardhjen e këtij ekzekutimi të rëndë në Tiranë.