Gjykata liroi Koliçin me kusht më 2008
Në mars të vitit 2008, kur shokët e tjerë të bandës së njohur me emrin e operacionit të koduar “Poter-Al” merrnin dënime të rënda, Aleksandër Koliçi do të dënohej me vetëm 4 vjet burg. Shkak për këtë kthesë të papritur në procesin e bujshëm të trafikut të drogës do të bëhej “pendesa” e Koliçit dhe firmosja e një marrëveshjeje bashkëpunimi me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në sallën e gjyqit, prokurori i çështjes ka kërkuar 12 vjet burg për Aleksandër Koliçin, por gjithashtu ka shtuar se për shkak se i pandehuri kishte një marrëveshje bashkëpunimi me prokurorinë, i faleshin 6 vjet. Gjykimi i shkurtuar ishte një tjetër përfitim i Koliçit, i cili përfundimisht do të qëndronte 4 vjet në burg. Në të njëjtën linjë ishte edhe dënimi i Bledar Balliut, i etiketuar si njëri prej drejtuesve të grupit “Poter-Al”, i cili në fund të procesit gjyqësor u dënua me 6 vjet burg. Vetëm pak kohë pas dënimit, më 7 nëntor 2008 Gjykata e Tiranës liroi me kusht Koliçin, për shkak se i kishte mbetur vetëm pak kohë burgim. Për këtë vendim u shfrytëzua sjellja e mirë në burg, ku ai punonte si magazinier, pendesa për krimin, por edhe fakti se priste një fëmijë nga bashkëshortja e tij dhe babanë e kishte të moshuar. Viktima e mbrëmshme, Aleksandër Koliçi, ishte pjesë e një organizate të trafiku të drogës, që vepronte në 4 shtete të Europës. Superoperacioni ndërkombëtar çoi në pranga 80 persona, nëntë prej të cilëve u arrestuan në Shqipëri. Hetimi i antimafias italiane zbuloi rrjetin e fuqishëm, ku një rol të rëndësishëm luanin shqiptarët, mes të cilëve edhe Aleksandër Koliçi. Grupi “Poter-Al” e ka pasur kulmin e vet në vitet 2003-2004, kohë kur Shqipëria konsiderohej si baza e tyre për trafikun e heroinës që shkonte më pas në Itali, Gjermani e Holandë. Arrestime pati edhe në Greqi, ku dyshohej se ishte shtrirë ky grup i trafikut të heroinës. Së bashku me Bledar Balliun e Aleksandër Koliçin, policia arrestoi edhe biznesmenin e ndërtimeve, Ilir Koçia, ndërsa operacioni u pasua nga një valë e gjerë sekuestrimesh për këtë çështje.