Rryma elektrike u merr jetën dy punonjësve të Sigurimeve
Tiranë- Kontakti me rrymën elektrike në pompën e ujit u ka marrë jetën dy punonjësve të një kompanie sigurimesh në Tiranë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 11:00 të paradites së djeshme, në zonën e Komunës së Parisit, ku dy punonjësit e kompanisë SIGMA, Qirjako Kozma, 45 vjeç dhe Refik Kryemadhi, 56 vjeç, kanë hapur pusetën e pallatit dhe janë munduar të pastrojnë pompën e ujit, e cila ishte bllokuar. Kjo ndërhyrje ka qenë fatale për dy punonjësit, për shkak se lagështira dhe energjia elektrike e pandërprerë ka zënë njërin prej tyre. E ndërsa i pari është goditur nga rryma elektrike, kolegu i tij ka shkuar menjëherë ta ndihmojë, duke pësuar të njëjtin fat tragjik. Ata kanë humbur jetën njëri pas tjetrit. Kanë qenë banorët e zonës, të cilët pasi kanë parë skenën e ngjarjes, kanë njoftuar të tmerruar policinë. Forca të shumta të bluve të Tiranës mbërritën pak minuta më vonë, duke nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, edhe pse të dhënat e para flisnin për një aksident fatal. Fillimisht, pas shkëputjes së energjisë elektrike në të gjithë zonën, u bë i mundur nxjerrja e trupave nga puseta dhe identifikimi i tyre si Qirjako Kozma, 45 vjeç dhe Refik Kryemadhi, 56 vjeç, të dy punonjës të kompanisë së sigurimeve. Pas dëshmive të mbledhura nga personat që ishin të pranishëm në momentin e ngjarjes, grupi hetimor doli në konkluzionin se vdekja e dy personave kishte ardhur si pasojë e masës së bërë nga pompa e ujit, e cila preku dhe trupat e dy viktimave, duke u shkaktuar atyre vdekjen. Nga këqyrja e kufomave rezultoi se trupat e dy viktimave ishin të karbonizuara në një pjesë të madhe të tyre, çka do të thotë, se ata kanë qëndruar për shumë kohë në kontakt me rrymën elektrike. Pas mbledhjes së dëshmive të personave të pranishëm në vendngjarje, Policia e Tiranës dërgoi trupat e dy viktimave në morg, ku dhe do t’i nënshtrohen autopsisë. Nga ana e tyre, banorët e zonës kanë treguar se pastrimi i pompës bëhej shpesh, jo vetëm nga punonjësit e kompanisë së sigurimeve, por edhe nga banorët e pallatit, por fatmirësisht deri më tani nuk kishte pasur asnjë incident. “Pompa bllokohej shpesh, pasi ishte e futur në ujë dhe mblidhte mbeturina. Herë pas here, ajo pastrohej nga banorët e pallatit dhe nga punonjësit e kompanisë së sigurimeve, por nuk ka pasur incidente. Tani që ndodhi kjo gjë, them që na ka ruajtur Zoti, pasi edhe ne mund të kishim përfunduar keq. Është e gjitha pakujdesi” – tregon njëri nga banorët e pallatit. Ndërkohë, punonjësit e kompanisë së sigurimeve tregojnë se dy viktimat, prej vitesh ishin pjesë se stafit të tyre, ku njëri merrej me mirëmbajtjen ndërsa tjetri ishte specialist në fushën e Sigurimeve. Nga ana e saj, Policia e Tiranës ka mbledhur të gjitha provat e gjetura në vendngjarje dhe ka dalë në përfundimin se rrethanat e vdekjes së dy punonjësve të kompanisë “Sigma” ishin aksidentale.