Vdekja e 12-vjeçarit nën rrënoja, bashkia jep ndihmë financiare
SHKODËR Miratimi i një shume si ndihmë financiare për familjen e 12-vjeçarit Kristian Marku, i cili vdiq aksidentalisht më 9 shtator në rrënojat e një ndërtimi të prishur nga inspektoriati i ndërtimit, ka sjellë debate në mbledhjen e këshillit bashkiak të Shkodrës. Familjes së Ndoc Markut i është akorduar një ndihmë financiare prej 300 000 lekësh të reja nga fondi rezervë i baskisë, për fatkeqësitë. Këshilltarët e PS kanë kërkuar që kjo shumë të jetë më e madhe, por ata të PD dhe drejtuesit e bashkisë kanë sqaruar se ligji nuk lejon shumë më të lartë se 300 000 lekë të reja. Pas debateve është vendosur që këshilltarët e bashkisë Shkodër të japin si ndihmë humanitare për këtë familje pagën mujore të tyre si këshilltar, ndërsa kryetari i baskisë, Lorenc Luka, ka afruar 50% të pagës së tij mujore për këtë familje. Luka ka theksuar se bashkia ka dhënë limitin e shumës që lejon ligji dhe kjo sepse në këtë rast ndihet një lloj përgjegjësie, duke uruar të mos ketë fatkeqësi të tilla në këtë qytet. Disa nga anëtarët e këshillit bashkiak kanë shtuar se ky veprim humanitar nuk duhet të bëhet i vazhdueshëm, pasi fatkeqësi mund të ndodhin, por mundësia financiare për t’i ndihmuar familjet përkatëse nuk e lejon dhënin e ndihmës për të gjithë. D.K