E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmia e mikeshës për atentatin, Policia: Franc Konomi u qëllua me 14 plumba 9 milimetër



Etleva Delia

Dy pistoleta të njëjta, pa silenciator, të kalibrit 9 milimetra, janë përdorur për vrasjen e Franc Konomit.Sipas grupit të hetimit, dy autorët që ndodheshin në motorrin me targa greke, kanë përdorur pistoletë me kalibër të madh për ekzekutimin e 42-vjeçarit me precedentë penalë. Paraprakisht dyshohet se armët e përdorura për atentatin të jenë pistoleta tip “Glock”, ose “Bereta”, edhe pse ende nuk është sqaruar përfundimisht lloji i armës së përdorur në krim. Në Laboratorin e Kriminalistikës, në Ministrinë e Brendshme, u dërguan për ekspertim balistik 14 gëzhoja të gjetura në vendin e ngjarjes. Të gjitha gëzhojat i përkasin të njëjtit kalibër, 9 mm, maksimali për armët e shkurtra, pistoletë me fuqi të madhe goditëse. Pas krahasimeve paraprake të gëzhojave me ngjarje të ndryshme, për të gjetur ndonjë lidhje të mundshme me krime të vjetra, ka rezultuar se armët që goditën Franc Konomin javën e kaluar nuk janë përdorur në krime të mëparshme, të skeduara nga policia shqiptare. Ekzekutimi i 42-vjeçarit Franc Konomi, është cilësuar nga grupi hetimor si një vrasje e sofistikuar, e kryer nga profesionistë të cilët nuk kanë lënë asnjë provë në vendngjarje. Policia pohon se ka vështirësi në hetimin e ngjarjes, e cila duket se është planifikuar prej kohësh deri në detaj. Burime nga grupi hetimor thanë se gjetja e armës së krimit do jetë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, edhe pse janë kryer kontrolle në disa puseta pranë zonës ku ka ndodhur atentati, me dyshimin se pistoletat mund të jenë hedhur aty për t’u fshehur. “Në të tilla raste, në ngjarje kaq të sofistikuara, arma zhduket dhe ne jemi përballur edhe më parë me ngjarje të kësaj forme”, thonë oficerët e policisë, të angazhuar në hetimin e ngjarjes. Sipas tyre, nuk përjashtohet mundësia që armët mund të jenë hedhur edhe në ndonjë pusetë të ujërave të zeza, apo edhe në lumin e Lanës. Policia e Tiranës vazhdon të marrë në pyetje persona të rrethit të ngushtë shoqëror të Franc Konomit, që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes. Burime të rezervuara thanë se është marrë në pyetje një vajzë, e cila pritet të jetë çelësi i hetimeve, pasi sipas policisë, mes saj, Franc Konomit dhe një personi të tretë, ka pasur lidhje të ngushtë. Ndërkohë policia po vazhdon mbledhjen e deklarimeve nga të afërm e të njohur të Franc Konomit.
ZHDUKJA E PROVAVE
Asnjë gjurmë e vrasësve nuk është gjetur në vendin e ngjarjes së ndodhur në mes të Tiranës javën e kaluar, përveç 14 gëzhojave 9 mm dhe një predhe arme, që aksidentalisht ka goditur një automjet “Jaguar”, të parkuar pranë “Mercedezit” me targë TR 0626 S, të Franc Konomit. Sipas policisë, pistoletat me të cilat është kryer krimi dyshohet se kanë qenë të porositura, posaçërisht për vrasjen e Franc Konomit. Dyshohet se armët janë asgjësuar pas kryerjes së krimit. Nga ekspertimi paraprak balistik rezulton se pistoletat e krimit nuk janë përdorur në vepra të tjera penale. Edhe ky tipar duket se i përket personave profesionistë në këtë fushë, të cilët pas çdo ngjarje, asgjësojnë armët dhe mjetet e tjera të përdorura, për të mos i lënë shteg policisë për zbulimin e tyre.

“Vrasësit gjakftohtë, qëlluan në shenjë”
Nga mënyra se si është qëlluar për vdekje Franc Konomi, vendet ku u gjetën gëzhojat e fishekëve dhe fakti se makina tip “Mercedez”, me targë TR 0626 S, rezulton e padëmtuar nga plumba, policia i ka vlerësuar si profesionistë dhe gjakftohtë autorët e ngjarjes. Rrezja e qitjes ka qenë mjaft e afërt, që tregon se autorët i janë afruar viktimës dhe më pas e kanë qëlluar nga një distancë rreth 30 centimetra, duke mos gabuar shumë në goditjet drejt viktimës. Katër gëzhoja janë gjetur brenda makinës, një tjetër sipër kofanos së saj dhe 9 gëzhoja të tjera janë fiksuar në tokë, pranë automjetit të Franc Konomit. Burimet sqaruan se armët janë drejtuar vetëm te xhami i përparmë i mjetit, ku ndodhej Franc Konomi dhe autorët kanë qëlluar në atë drejtim, duke dëmtuar vetëm xhamat e makinës dhe plumbat nuk kanë prekur asnjë pjesë tjetër të automjetit. është qëlluar 14 herë në drejtim të tij dhe predhat e armës pasi kanë thyer xhamin e krahut të Konomit, kanë dalë nga xhami tjetër paralel me të. Të dy autorët kanë qëlluar në një drejtim, nga motorri në drejtim të sediljes së drejtuesit të Mercedesit luksoz.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›